BallinaAktualitetI lënduari, lëndon

I lënduari, lëndon

Editorial nga LIVING

Shpesh shkruajmë e flasim për fenomene shoqërore, por sa herë nis të shkruash për “gjuhën e urrejtjes”, nuk di nga t’ia nisësh, për një sërë arsyesh. Nga se buron? Kush bie pre e saj? Cilat janë limitet? Çfarë është kjo mënyrë komunikimi në vetvete? Janë të gjitha pyetje, të cilat vrullshëm të vijnë në mendje kur nis rreshtat e parë të një shkrimi të tillë. Por, ajo më e madhja, e ndoshta, më e vështira, është: “Pse?”

Pse persona të panjohur marrin përsipër të përbaltin njerëz, të cilët as nuk i njohin aspak, paçka se pretendojnë se mjaft mirë i njohin si pasojë e një profesioni të caktuar publik? Pse në jetën tonë të përditshme shohim shpesh situata ku për të nxjerrë një “mllef” të akumuluar, e po aq të pajustifkueshëm, individë të ndryshëm zgjedhin të sulmojnë në arenën publike e rrjeteve sociale, nëpërmjet adresave false që rëndomti krijohen? Në epokën e “lirisë së fjalës”, ku ndodhet kufiri i saj? Vështirë të gjendet kjo përgjigje sot, në një kohë ku vetë media, një ndër industritë kryesore lidhur me edukimin e publikut, konsumatorëve të saj, dënon këtë lloj sjelljeje tek “njerëzit e zakonshëm”, por e justifikon shumë lehtë në aspektin profesional. Fundja, sa mund të lëndojë një titull? Këtë besoj se thonë të gjithë “pseudo-gazetarët” në momentin e parë kur vendosin të themelojnë karrierën e tyre me tituj denigrues, histori të trilluara, shpesh herë të pakonfirmuara dhe pa e kuptuar, kthehen në “ambasadorët” e pikërisht kësaj gjuhe që gjoja dënojnë.

Nuk janë të pakta rastet ku kemi parë në vendin tonë figura të ndryshme publike të atakohen në mënyrat më të shëmtuara, me gjuhën më ofenduese që mund të “zgjidhet” për të komunikuar një mendim, duke përfshirë jo vetëm personin e karakterin e tij, por dhe familjarë, miq, duke e bërë dëmin emocional akoma dhe më të madh. Është qesharake se si kemi një natyrë të tillë njerëzore. Kur një i panjohur, i cili për një arsye ose një tjetër bën diçka e korr sukses, krenohemi sikur ta kemi pjesë të familjes tonë. Në të njëjtën kohë, kur ky person gjendet në një situatë jo të mirë, nuk presim të kuptojmë e mësojmë më shumë, nuk na intereson shpjegimi, verifikimi i fakteve, i versioneve të historisë, por menjëherë fajësojmë, ulim, ofendojmë, përbuzim, bulizojmë, e ka nga ato raste ekstreme, ku dhe kërcënojmë. Nga kjo përmbledhje kuptohet më qartë se si mund të identifikohet “gjuha e urrejtjes”, se çfarë e bën atë të tillë. Është diçka të mos biesh dakord me mua, të kesh një mendim ndryshe nga ai i imi, por kjo nuk të jep të drejtën të sulmosh atë që unë jam, të deformosh personalitetin tim. Nuk të jep asnjë lloj të drejtë të më vrasësh me fjalë. Dhe po, sot njerëzit prej fjalëve po vriten. Drithëruese është se si kemi filluar të dëgjojmë kaq shpesh makabritete të tilla të mbulohen në kronikën e zezë, pothuajse 365 ditë të vitit. Ngjarje, të cilat, një pjesë të madhe i sheh të shpalosura në moshat më të reja të vendit tonë, ndodhi kjo e cila e bën akoma më alarmante situatën. Të shohësh se çfarë ky projektim emocional shkakton, të shohësh se çfarë trazire krijon në jetën e të gjithëve, e prapë të mos duam të përmirësohemi, ndërkohë që nuk është e vështirë, duhet vetëm: KUJDES!

Sikur të kujdeseshim pak më shumë për atë që themi, e nëse ndoshta jo për atë që themi, për mënyrën se si e komunikojmë, sa mirë do të ishte për të gjithë. Nuk ka njeri që nuk lëndohet. Nuk ka individë, të cilët, kur arrin klumi, të mos thyhen në njëmijë copa, si pasojë e asaj që detyrohen të durojnë. Pse? Thjesht se kanë zgjedhur një profesion i cili është publik? E çfarë pastaj? Janë këngëtarë, aktorë, moderatorë, modelë, politikanë, opinionistë, analistë, gazetarë, shkrimtarë, piktorë, po aq sa janë dhe bijë prindërish, vëllezërit e motrat e dikujt, partnerët e dikujt tjetër, miqtë e ngushtë, kolegët e mirë, e mbi të gjitha, po aq janë njerëz, jo thasë boksi mbi të cilët ne të vendosim të nxjerrim të gjithë frustrimin e ditëve tona të këqija apo mos dakordësimin me realitetin që jetojmë, kush kolektivisht, e kush inatin me atë vetjak.

Kjo nuk vlen vetëm për “të famshmit”. Kjo vlen për të gjithë ne, për secilin nga raportet e krijuara në jetën tonë, qoftë dhe për ato më të largëtit, që meodemos i konsiderojmë lehtësisht më të diskutueshëm, që dhe sikur të ofendojmë themi: “Se mos do e marri vesh”. Në vend që të reflektojmë se problemi nuk është ai, tjetri, e mori apo se mori vesh. Problemi është koha që po humbim duke “urryer” dikë, qoftë dhe kot, është kohë e humbur kundrejt punës me veten, ajo që të garanton paqjen më të madhe e lumturinë më të pashtershme që jeta mund të të bekojë ty me. Punë, e cila të bën ty të dallosh atë që nuk shkon. Komentin e tepruar, titullin e keq-menduar, fjalët e thëna vetëm për të lënduar, e pikërisht aty ti kupton se po, me fjalë mund të vrasësh, e shkakton po aq dëme sa mund të shkaktoje dhe me plumbin e një pistolete.

Para disa kohësh fillova të mendoja me veten time kur gjendesha në situata jo fort të mira, referuar tematikës së këtij artikulli, se gjëja e duhur për të bërë ishtë të mbaja mend një shprehje: “I lënduari, lëndon”. E vërtetë nga fillimi në fund, pasi një individ i lënduar, që mbart ngarkesa të thella emocionale, traumatizuese, një individ i rritur në ambiente armiqësore, të egra, gjithmonë do të gjejë rrugëdaljet për ta kanalizuar dhimbjen dhe lëndimin tek të tjerët, për t’i parë ata si veten, pasi për atë, normalja dhe komunikimi kanë pikërisht fytyrën e urrejtjes, inatit, dhunës psikologjike e pikërisht, asaj verbale. Vështirë në vendin tonë të punojmë më identifikimin e problemeve që vetë mbartim në atë çfarë e kush jemi, e me mundimin për të bërë çmos për t’i shëruar traumat e të kaluarës, në mënyrë për t’u shndërruar në versionin më të mirë të vetes. Shumë e kanë më të thjeshtë të të bëjën ty të ndihesh keq, se sa të bëjnë punën që kërkohet për ta bërë veten të ndihet thelbësisht mirë, duke e bërë kështu “gjuhën e urrejtjes” një mekanizëm funksionimi në shoqëri, një mënyrë jetese, se sa thjesht një indicie emocionale e momentit.

Të mendohemi para se të flasim nuk duhet të jetë një zgjedhje. Kjo po që duhet të jetë një mënyrë jetese, e cila duhet mësuar vazhdimisht, kjo duhet edukuar në çdo moment që na jepet mundësia për ta bëritur, pasi jemi duke kaluar kaq shumë në kohërat që po jetojmë, aq sa minimumi i asaj çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar mënyrën se si bashkëjetojmë me njëri-tjetrin, është të mundohemi të falim mbi të gjitha respekt, më pas dashuri, nëpërmjet mënyrës si shprehemi e fjalëve që lejojmë veten të themi. Është bukur të flasësh të drejtën, duke marrë parasysh që ajo është antonim i urrejtes që haset kaq shumë, kaq lehtë. Duaj me vepra, patjetër, por mos harro dhe fjalët e bukura, pasi siç vrasin të këqijat, ashtu e shërojnë shpirtin të mirat.

*Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrjetjes”, që mbështetet nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP. 

Opinionet e shprehura këtu janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNFPA dhe UNDP.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img