BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraMësuesit u trajnuan, por mungesa e aksesit në platforma uli efektshmërinë e mësimdhënies

Mësuesit u trajnuan, por mungesa e aksesit në platforma uli efektshmërinë e mësimdhënies

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka deklaruar se mësuesit e arsimit parauniversitar janë trajnuar për mësimin online dhe për të pasur akses në platformat e këtij lloji. Në një verifikim të bërë për Faktoje me ekspertë të komunikimit, mësues, prindër dhe nxënës, na konfirmohet se vërtetë trajnimet janë kryer, por së pari kjo disa muaj pas pandemisë dhe së dyti, në shumë raste ka qenë i pamundur aksesi. Kjo situatë e ka kthyer mësimdhënien dhe mësimnxënien në pak ose aspak produktive.


Ministrja e Arsimit Evis Kushi duke folur në Komisionin e Edukimit në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar virtualisht, më 27 tetor të vitit të kaluar, ndër të tjera  deklaroi se me përkeqësimin e situatës së koronavirusit, ishin parashikuar disa skenarë për zhvillimin e mësimit.

“Po trajnohen 1200 mësues për mësimin online. Janë 47 mijë klasa virtuale që kanë hapur llogaritë personale të nxënësve me platformën akademia.al”.

Gjithashtu edhe më 10 maj 2021, gjatë një interviste televizive Ministrja e Arsimit Kushi tha:

“Mësuesit u trajnuan gjatë gjithë këtij viti”.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, për të mësuar se sa mësues janë trajnuar për procesin mësimor online.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit, 6 prill 2021

Ministria e Arsimit na dërgoi këtë përgjigje:

“Në sistemin arsimor janë trajnuar: 1200 mësues të TIK, për përdorimin e platformës kombëtare academia.al për zhvillimin e mësimit online. Këta mësues të TIK kanë trajnuar të gjithë mësuesit e shkollave të tyre.

5500 mësues të lëndeve të ndryshme për përdorimin e platformave online të TeachPitch (shkolla e së ardhmës, GoTomeeting, Google Classroom) të cilat lehtësojnë zhvillimin e mësimit online.

                                                      Përgjigjja e Ministrisë së Arsimit, 27 prill 2021

Por sa efektiv ka qenë trajnimi i mësuesve për realizimin e mësimit në distancë? Edhe pse ministria na pohon që ka trajnuar mësues për përdorimin e platformave të ndryshme për mësimdhënien online, të shumta kanë qenë problematikat e hasura, në më shumë se një vit, qëkur u shfaq pandemia dhe pasojat e saj.

Faktoje ka komunikuar me shumë mësues, nxënës dhe ekspertë të arsimit të cilët na pohojnë se edhe pse janë trajnuar për procesin mësimor online, këto platforma nuk kanë qenë të mundura për t’u aksesuar në disa shkolla në vend. Ndaj mësuesit dhe nxënësit janë rikthyer tek komunikimi përmes whatssap-it apo rrjeteve sociale.

Sipas dëshmive të mësuesve edhe trajnimi për përdorimin e platformave online ka ndodhur gati 8 muaj pas shfaqjes së pandemisë. E gjithë kjo periudhë ka qenë një sforcim për mësuesit për t’u përshatur me aq sa dinin nga teknologjia, për të mos i lënë nxënësit pa mësim, qoftë edhe në distancë.

Një mësuese në shkollën Petro Nini Luarasi, e cila nuk pranoi të identifikohej tha për Faktoje:

“Ne kemi bërë dy periudha mësimi online. Në periudhën e parë mars- maj 2020, ne punuam me iniciativat tona dhe në mënyre autodidakte. Në fund të shtator-tetorit bëmë në shkollë një trajnim të brendshëm, me mësuesit tanë të IT për platformën Akademi.al dhe hapem klasat, u krijuan grupet, sigurisht me asistencën e shkollës dhe mësuesit e TIK. Më pas, kur platforma nuk pati shumë sukses, shkolla jonë vendosi të hyjë në një platforme tjetër Teams. Për këtë, mësuesit u orientuan po nga mësuesit e TIK-ut në 1-2 seanca të shkurtra dhe me pas e mësuam vetë hap pas hapi”.

Mësuesja e Fizikës Lindita, na tregon hollësi për mënyrën sesi janë trajnuar mësuesit në shkollën e saj dhe më gjerë.

“Pasi është trajnuar mësuesja e informatikës nga trajnerë të specializuar për mësimin online, jemi trajnuar edhe ne mësuesit e shkollës, duke filluar me hapjen e klasave online me kodin e shkollës përkatëse, pasi secila shkollë ka kodin e saj nga MASR. Më pas jemi trajnuar për zoom, brenda shkollës dhe ka funksionuar në rregull zhvillimi i mësimit. Di që edhe në shkollat e tjera është ndjekur e njëjta proçedurë.”

R.N mësuese e një shkolle 9 vjeçare në Lezhë tregon për Faktoje:

“Edhe pse mësuesit e TIK na kanë ndimuar në platformat online, ne gjatë gjithë kësaj kohe kemi hasur problematika nga më të ndryshmet, po ashtu edhe nxënësit. Ndaj e kemi patur më të lehtë komunikimin me whatssap dhe messenger. Duhet theksuar se ky vit shkollor nuk ka qenë produktiv.”

                                                                    Nxënëse që ndjek procesin mësimor online

“A.B nxënëse e shkollës 9 vjeçare “Nik Tom Prela”, Gorre thotë:

“Shkolla jonë ka bërë mësim online dhe të kombinuar. Në javën që ishim në shkollë bënim mësim dhe kuptonim shumë mirë mësimin, por në atë jave që kishim online, mësimin dhe detyrat i merrnim me whatssap dhe nuk kishim shumë motivim.”

F.K nëna e dy fëmijëve nga Shkodra thotë për Faktoje.

Mësimi në distancë dhe ndryshimi i metodave të mësimdhënies ka ndikuar tek nxënësit. Fëmijët e mi ndihen të hutuar dhe të pamotivuar për të mësuar. Mësuesit mundohen në forma të ndryshme, mësimi online nuk është produktiv, sepse mundësia e kopjimit nga ana e nxënësve në zgjidhjen e detyrave apo dhe testeve është një ndër të metat që ka shkaktuar mësimi në distancë.”

N.L, prindi i një maturanti nga Tirana tha për Faktoje

“Sistemi arsimor ka të meta edhe në formën klasike, përkundrejt mësimit online, apo të mësuarit në distance. Kjo përsëri ka shumë problematika dhe mangësi të shumta. Një problem është përdorimi i tepërt i telefonit që i ka bërë më të varur ndaj tij, gjë që është e pamundur që t’ua heqësh nga dora.

Një nxënës i klasës së 9, në shkollën “Demokracia” në Mamurras u shpreh:

“Mungesa e internetit dhe mosmarrja e informacioneve shkollore ka qënë një minus i madh për shumicën prej nesh. Në javën që kishim online nuk kuptonim gjë, kur shkonim në shkollë mësuesit duhej të përseritnin të gjitha nga fillimi dhe për këtë kishim shumë ngarkesë, për të mos ndenjur mbrapa me mësimet.”

L.GJ. mësues në një shkollë në Tiranë tha për Faktoje:

“Në shkollën tonë kemi përdorur edhe Google Classroom, por më shumë kemi përdorur Zoom. Kemi pasur ndihmën e mësuesës së TIK për çdo paqartësi, megjithatë problematikat kanë qenë të shumta.”

Mësuese Kozeta nga Tirana na thotë:

“Ne kemi bërë një trajnim në rang vendi dhe kemi pasur kerkesa për workshop, këtë vit kemi bërë me academi.al, edhe pse në disa raste kishte problematika. Por edhe në zoom, vështirësi ka gjithmonë me mësimin online dhe nuk mund të krahasohet me mësimin fizik, pavarësisht trajnimeve që kemi bërë.”

Lektorja Majlinda Keta, dha opinionin e saj për Faktoje, lidhur me arsimin parauniversitar gjatë kohës së pandemisë, duke pohuar se në trajnimet e mësuesve vihet re se sektori publik është ende shumë larg standardeve të duhura për sa i përket infrastrukturës apo digjitalizimit në shkolla:

“Pandemia zbuloi sërish se ku kemi gabuar në zhvillimet e pretenduara reformatore në vite, në lidhje me politikat e kualifikimit dhe të zhvillimit të karrierës së mësuesve. Së pari, mosmbajtja e përgjegjësisë ligjore nga Ministria,

  1. Përmes strukturave të specializuara nga qendra ( Agjensia për cilësinë në arsim) drejt njësive politikzbatuese( Drejtoritë Rajonale apo Zyrat Arsimore),
  2. Përmes buxheteve posaçërisht për kualifikimin nga qendra drejt njësive shkollore,
  3. shkatërrimi i sistemit të ToT ( trajnimi i trajnerëve) që me shumë investime partnerësh u krijuan deri në 2005
  4. Planifikimi në vijueshmëri për aftësimin e kompetencës digjitale tek mësuesit,
  5. Mosmbështetja e fasadave të pretenduara si kualifikim me pajisjen e mësuesve me mjete digjitale për përdorim personal,
  6. Mungesa e vizionit dhe vullnetit udhëheqësor për të zgjidhur problematikat e kualifikimit të mësuesve përmes maksimizimit të shumë aktorëve në system (fakultetet për IT), por dhe të partnerëve të huaj jo vetëm nuk kanë zgjidhur problemin, por e kanë thelluar.

Ministria me anemizmin në vizion e veprim dhe pushtetet vendore që me ligj kanë përgjegjësinë mbi infrastrukturat shkollore (përfshi edhe atë digjitale) kanë prodhuar një hendek të thelluar në nivelet e analfabetizmit digjital në disfavor të shkollave publike, por edhe në acarimin në forma të reja të bullizmit digjital drejt mësuesve, mes nxënësve etj. Sa ka funksionuar ajo që pretendohet, lehtësisht provohet me cilësinë e interpretueshme të platformave të zgjedhura për parauniversitarin, studimet e bëra për shqetësimet e mësipërme, tash së fundmi edhe me rastin fatkeq të fëmijës 10 vjeçar nga programe të pakontrolluara, por dhe të paedukuara për transmetim kulture digjitale për fëmijët, mësuesit dhe prindët. Celulari ende në dorë të fëmijës dhe të mësuesit si mjeti i vetëm ku vjen dhe vepron klasa digjitale, është treguesi i pazgjidhshmërisë së problematikave të mësipërme në dëm të cilësisë në arsimimin e fëmijëve tanë. Qeveria duhet të reflektojë urgjent mbi këtë gangrenë të politikave të shkollës digjitale dhe kualifikimit të mësuesve.”

Faktoje gjatë gjithë periudhës së pandemisë së Covid-19 ka nxjerrë në pah problematika të ndryshme të mësimit online dhe atij të kombinuar, mungesën e aksesit në platformat e përzgjedhura për vijueshmërine e procesit mësimor apo sondazheve që ka publikuar vetë Ministria e Arsimit.

*Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Faktoje dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

*Foto e parë marrë nga Kallxo.com

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img