BallinaAktualitetShëngjini me shpresë tek turizmi, pas vitit të krizës pandemike

Shëngjini me shpresë tek turizmi, pas vitit të krizës pandemike

ELVIS HILA

Në Shëngjin, zonën veriore me rërën kurative buzë Adriatikut, kanë nisur përgatitjet për sezonin turistik, që pritet të çelet zyrtarisht brenda muajit maj. Operatorët turistikë ndihen optimistë, pas një viti të vështirë për shkak të pandemisë. Ata vlerësojnë pozitivisht vaksinimin e personelit hotelier që pritet të ulë edhe rrezikun e përhapjes së infektimeve nga Covid-19. Ndërkohë, prej së hënës kanë nisur aplikimet për stacionet e plazheve, ndërsa pushteti vendor ka njoftuar se hapësirat publike për parkim në Shëngjin do të jenë me pagesë.

Edhe pse sezoni turistik nuk është çelur zyrtarisht, pasi nuk janë dhënë lejet për stacionet e plazhit, pushuesit e parë kanë mbërritur në Shëngjin.

Njërin prej tyre e takuam këto ditë në një nga lokalet buzë detit.

“Çmimet janë të larta, sidomos fjetja. Sepse ushqimi mbetet ushqim. Në Shëngjin vijmë prej disa vitesh. Është i përshtatshëm për fundjavë, por jo për pushime se çmimet janë të papërballueshme” -tha për Faktoje pushuesi nga Kosova.

Megjithatë operatorët turistikë thonë se prenotimet e deritanishme janë të kënaqshme dhe presin një sezon turistik të suksesshëm, pas një viti sfidues për shkak të pandemisë.

Sipas tyre, nisja e procesit të vaksinimit anti-covid, ka ndikuar për mirë pasi edhe personeli i hotelerisë i është nënshtruar këtij procesi.

“Këtë vit pritshmëritë janë më të mira se vitet e tjera. Agjencitë e huaja kanë treguar interes dhe kemi disa grupe të rezervuara. Kjo na bën të ndihemi optimistë. I gjithë stafi ynë është vaksinuar. Tanimë nuk ekziston frika se mund të infektohemi gjatë pushimeve. Besoj se 80% jemi të sigurt nga pandemia dhe kjo ndikon që edhe klientët të vijnë pa asnjë lloj hezitimi në plazhet tona. Ne e kemi rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimeve tona dhe nga strukturat turistike nuk kemi ndeshur pengesa. Jemi të gatshëm t’i presim në çdo lloj kohe”- thotë Dritan Kondakçiu, operator turistik në Shëngjin.

Ndërkohë, prej disa ditësh në Shëngjin po punohet për pastrimin dhe sistemimin e brezit të rërës. Nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Ermal Pacaj thotë se vëmendja është përqendruar tek turizmi.

“Bashkia e Lezhës, duke filluar nga data 1 maj ka filluar intensivisht prekjen e çdo mekanizmi që e bën një turizëm funksional dhe të preferuar. Besoj se brenda javës tjetër do të fillojë shpërndarja e stacioneve të plazhit, të cilat do të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar edhe vitin e kaluar.”- tha Pacaj.

Këtë vit parkingjet publike në Shëngjin do të bëhen me pagesë. Propozimi i Bashkisë Lezhë pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak brenda kësaj jave, ndërsa deklarohet se çmimi nuk do të jetë i lartë që të vrasë në xhepat e vizitoreve.

“Bashkia e Lezhës po bën një paketë, një studim fizibiliteti që nuk duhet të vrasë publikun. Hapësira publike është një nga asetet kryesore me anë të të cilave  bashkia krijon të ardhura dhe hapësira publike e parkimit në Shëngjin mund të gjenerojë të ardhura. Është e papranueshme që një hapësirë publike që është maksimalisht e frekuentuar të qëndrojë e zënë nga një pushues që e mban makinën aty 2 javë pa e lëvizur nga vendi”- thotë nënkryetari i Bashkisë Lezhë Ermal Pacaj.

Numri i pushuesve në Shëngjin ka ardhur gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit, ndërsa më besnikët e këtij bregdeti vijojnë të mbeten qytetarët nga Kosova.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img