BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraMASR, asnjë të dhënë mbi efektivitetin e mësimit të kombinuar që nga shtatori 2020

MASR, asnjë të dhënë mbi efektivitetin e mësimit të kombinuar që nga shtatori 2020

Qëkur ka nisur viti shkollor 2020-2021, Ministria e Arsimit nuk ka publikuar asnjë gjetje se sa efektiv ka rezultuar mësimi online. Publikimi i fundit zyrtar i përket një sondazhi të zhvilluar që në gusht 2020, ku thuajse 42 për qind e të anketuarve ishin refuzues ndaj këtij procesi. Komuniteti i nxënësve, prindërve dhe mësuesve që dëshmon për Faktoje se mësimi i kombinuar ka rezultuar jo produktiv, raporton se i është nënshtruar një sondazhi që në janar të këtij viti, por MASR nuk ka publikuar rezultatet. Mësimi në distancë, edhe sipas raportit të BB, parashikohet të përkeqësojë nivelin e mësimnxënies, i cili edhe para pandemisë në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri, paraqitej në nivele alarmante.


Një vit nga shfaqja e Covid-19 në vendin tonë, sistemi i arsimit rezulton një ndër fushat më të prekura nga pasojat e pandemisë.

Faktoje gjatë kësaj periudhe ka publikuar disa artikuj mbi nivelin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, pas ndërprerjes së procesit mësimor fizik.

Ne iu drejtuam në mënyrë të përsëritur me anë të kërkesave për informacion Ministrisë së Arsimit në lidhje me gjetjet dhe rezultatet e hulumtimeve të kryera në grupet e interesit, mbi efektivitetitin e mësimit online dhe atij të kombinuar.

                                            Kërkesë për informacion drejtuar MASR, 3 mars 2020

Pas ngulmimit të vazhdueshëm për të marrë informacionin e kërkuar, Ministria e Arsimit na dha këtë përgjigje:

                                           Përgjigje e Ministrisë së Arsimit, 24 mars 2021

Ne klikuam në sondazhin e parë të publikuar nga MASR të kryer në mars 2020. Aty rezultojnë të jenë pyetur 178 096 nxënës, 118 376 prindër, 25 439 mësues të sistemit, në total 321 911 kampione dhe 61 Bashki. Sipas MASR sondazhi nuk është aplikuar tek arsimi parashkollor dhe arsimi profesional.

Sipas MASR në mësimet online janë angazhuar 96.8 për qind e nxënësve, 95.3 për qind e prindërve dhe 98.7 për qind e mësuesve.

‘Rreth 86.4 për qind e nxënësve shprehen se janë dakord dhe shumë dakord për të marrë mësimet përmes komunikimit online dhe 90.2 për qind e prindërve shprehen dakord dhe shumë dakord që janë pjesë e grupeve të komunikimit online me mësuesit.”-thuhet në gjetjet e publikuara nga MASR

Por gjatë prillit 2020 Faktoje ka konstatuar se mësimi online ishte një sfidë e përbashkët nxënës-prindër-mësues. Verifikimet e Faktojes treguan një situatë krejt tjetër lidhur me pjesëmarrjen dhe produktivitetin e mësimit online .

Sondazhin për mësimin online në periudhën prill 2020, sipas MASR u përfshinë 219.590 persona.

Në mësimet online u angazhuan, përkatësisht: 96 për qind  e nxënësve, 95.2 për qind e prindërve dhe 96.4  për qind e mësuesve.”-citohet në këtë publikim.

                       Rezultatet e MASR, përdorimi i platformave elektronike nga nxënësit, prill 2020

Edhe pse Ministria e Arsimit pohon se platforma elektronike Akademia.al është përdorur nga nxënësit për të vijuar mësimin, ajo nuk dha efektivitet në mësimdhenie.

Sondazhi për mësimin online në periudhën gusht 2020, kishte të bënte me gatishmërinë e komunitetit të arsimit parauniversitar për fillimin e vitit të ri shkollor online. Por gjetjet e tij shërbyen edhe si tregues që kundërshtonte shifrat optimiste të sondazheve pararendëse, për një pjesëmarrje dhe shfrytëzim maksimal të platformave online.

                                          Rezultatet e mësuesve për sondazhin, gusht 2020

43.4 për qind mësues nuk ishin aspak dakord që shkollat të fillonin procesin mësimor online, 6.5 për qind nuk ishin dakord, 31 për qind pjesërisht dakord, 14 për qind dakord, 5.1 për qind shumë dakord”-citohet në gjetjet e sondazhit nga MASR.

                                          Rezultatet e nxënësve për sondazhin, gusht 2020

“25.3 për qind nxënës nuk ishin aspak dakord që shkollat të fillonin procesin mësimor të kombinuar në klasë dhe online, 23.6 për qind nuk ishin dakord, 19.1 për qind pjesërisht dakord, 20.1 për qind dakord, 11.9 për qind shumë dakord”-citohet në gjetjet e sondazhit nga MASR.

                                                  Rezultatet për sondazhin e prindërve, gusht 2020

Nga të dhënat grafike të publikuara nga kjo ministri, rezulton se 42, 4 për qind e prindërve të anketuar janë kundër mësimit të kombinuar (respektivisht 12,9 për qind aspak dakord dhe 29,5 për qind jo dakord).

40,6 për qind janë pro nisjes së mësimit të kombinuar (përkatësisht 23,3 për qind dakord dhe 17,3 për qind shumë dakord). Ndërkohë 17 për qind janë shprehur pjesërisht dakord.

Rezultati i sondazhit të tretë, po të mos llogarisësh pjesën e pavendosur prej 17 për qind, tregon se komuniteti që është kundër mësimit të kombinuar është pak më i madh se ai që shprehet dakord për zhvillimin e këtij procesi mësimor.

Të dhënat mbi efektivitetin e procesit mësimor, nga muaji shtator 2020 e deri më sot, kur kanë mbetur vetëm 3 muaj nga përfundimi i vitit shkollor, mungojnë.

Faktoje është vënë në dijeni nga komuniteti i prindërve dhe mësuesve se sondazhi i 4-t është zhvillar në muajin janar të këtij viti. Por MASR nuk ka publikuar gjetjet, ndonëse kanë kaluar 3 muaj. Ne u interesuam në zyrën e shtypit të MASR e cila na u përgjigj se rezultatet e këtij sondazhi nuk do të publikoheshin, por do të përdoreshin së brendshmi.

Mungojnë të dhënat zyrtare, por jo pakënaqësitë e nxënësve, prindërve e mësuesve?

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga aplikimi i mësimit online dhe atij të kombinuar, grupet e interesit dëshmojnë se ky proces ka dështuar në disa drejtime.

Në raportin e publikuar nga ministria e Arsimit, pjesa më e madhe e prindërve të anketuar pranonin se mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, por dëshmitë e atyre që kanë folur për Faktoje nuk përputhen me këto gjetje.

Faktoje komunikoi me disa nxënës, prindër dhe mësues në zona të ndryshme të Shqipërisë, për të kuptuar se si ka qenë ecuria e procesit mësimr të kombinuar, gjatë këtij viti shkollor.

A.M nxënës në klasën e 9-të shkolla “Ramazan Jonguzi” në Thumanë tha:

“Në shkollën tonë ne bëjmë mësim të kombinuar, një javë mësim fizik dhe një javë mësim online. Mësimi online nuk funksionon, nuk i japim dum!”.

L.S nxënëse në gjimnazin “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës u shpreh për Faktoje:

“Në gjimnazin tonë ne bëjmë mësim online, më shumë përdorim Zoom dhe whatsapp, për të dërguar materiale. Duhet të përdorim edhe Akademia.al sepse e kontrollon ministria, por ka problematika, sepse duhet të kesh internet të fuqishëm për t’u future. Ndodh në të shumtën e rasteve të kemi problem me logimin në program. Mësimi online në këtë periudhë nuk ka rezultuar produktiv edhe për shkak të ndërprerjes së energjisë energjisë elektrike në mënyrë të vazhdueshme. Në raste të tjera shumë lëndë mësimore nuk arrihen të kuptohen kryesisht shkencat, matematikë, fizikë”.

Edhe prindër të pyetur nga Faktoje shprehën rezerva lidhur me mësimin anline dhe atë të kombinuar.

“Unë si prind i dy fëmijeve në shkollën 9-vjeçare, ‘Nik Tom Prela’ në Laç jam i pakënaqur me këtë mënyrë të mësimdhënies, sado që mësuesja i mëson dhe mundohet për të zhvilluar mësimin, ditët që është në shtëpi e konsideron ditë pushimi në shumë raste. Kur jemi në punë, fëmijët telefonojnë dhe më kërkojnë t’u jap sqarime shtesë. I vetmi aplikacion ku e zhvillojnë mësimin është whatsapp”-tha P.A për Faktoje

“Unë jam mësuese në një gjimnaz të Tiranës, gjatë kësaj periudhe hasëm vështirësi të shumta si ne ashtu dhe nxënësit e prindërit. Pasojat shfaqen tek nxënësit, që e humbin fokusin e shpjegimit kur bëjmë mësim online, shpërqendrohen dhe nuk arrijnë të kuptojnë disa lendë. Problematikat me ndërprerjen e energjisë, internetit dhe mungesa e mjeteve digjitale vazhdojnë edhe sot, pas një viti mësimi online”.

Edhe sipas studimit përmbledhur në një Raport të Bankës Botërore, niveli i produktivitetit llogaritet të çojë në humbje të konsiderueshme të të nxënit.

                                         Burimi: Eurydice dhe OECD

Ende përpara se të shfaqej pandemia, sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor përballeshin me sfida serioze. Mbi 78 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë, dhe mbi 50 për qind në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi rezultojnë analfabetë funksionalë, sipas gjetjeve të këtij raporti. Ndaj parashikohet që masat e të nxënit në distancë mund të mos jenë aq efektive sa mësimdhënia në klasë, veçanërisht nëse duhet të përdoren për një periudhë të gjatë (siç ka ndodhur për shkak të kufuzimeve nga pandemia).

*Sondazhi I publikuar nga MASR në mars 2020- https://www.ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2020/03/Sondazhi-i-m%C3%ABsimit-online.pdf

*Sondazhi i publikuar nga MASR në prill 2020- https://www.ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2020/04/Sondazhi-i-m%C3%ABsimit-online-2.pdf

*Sondazhi i publikuar nga MASR në periudhën 2020-2021 https://www.ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2020/08/Sondazh.pdf

*Foto e parë marrë nga Reporter.al


*Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Faktoje dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img