BallinaPertejA mund të vazhdohet me mësimin e kombinuar kur ai po rezulton jo efektiv?

A mund të vazhdohet me mësimin e kombinuar kur ai po rezulton jo efektiv?

EDIT NIKOLLI

Nxënësit e arsimit parauniversitar (klasat VI-XI dhe klasat e gjimnazit X-XI) në të gjithë vendin iu nënshtruan për një muaj mësimit të kombinuar,mësim online në platformën akademi.al dhe atij në mjediset e shkollës, sipas një grafiku të paracaktuar. Nxënësit dhe mësuesit u detyruan t’i rikthehen platformave zoom apo whatsapp pasi përvoja me akademi.al rezultoi me probleme. Ekspertë të fushës së arsimit, janë skeptikë për efektivitetin e këtij procesi mësimor, që siç është paralajmëruar nga MASR nis në 11 janar.


Që nga fillimi i vitit shkollor në shtator 2020 e deri në fund të muajit nëntor, mësimi u zhvillua nëpër shkolla mes kufizimeve dhe frikës nga përhapja e covid 19, kundër të cilit u morën masa për distancimin social. Gjatë muajit dhjetor, procesi mësimor vijoi i kombinuar, ashtu siç paralajmëroi ministrja e Arsimit, Evis Kushi më 10 nëntor kur deklaroi:

“Platforma akademia.al, është një platformë online ku kanë akses, nxënësit, mësuesit madje dhe prindërit për të kontrolluar vijueshmërinë e tyre, është e aksesueshme falas, komunikimi do jetë në kohë reale. Ështe një platformë që i vjen në ndihmë çdo nxënësi”.

Kjo platformë iu sugjerua edhe prindërve të nxënësve, para se të shpallej vendimi për vijimin e procesit mësimor të kombinuar prej datës 1 dhjetor 2020.

Screenshot i datës 29 tetor që njofton nxënësit të regjistrohen në akademi.al

Screenshot i njoftimit të mësueses së një shkolle 9 vjeçare për nxënësit

Faktoje më anë të një kërkese për informacion, drejtuar Ministrisë së Arsimit, u interesua ndër të tjera se sa shkolla iu nënshtruan mësimit të kombinuar dhe cilat janë platfomat online që po përdoren.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit

                                               Përgjigje e Ministrisë së Arsimit

 

Ministria e Arsimit dha këtë përgjigje:

-Sot janë 491 godina arsimore në të cilat mësimi zhvillohet i alternuar midis mësimit në klasë dhe në distancë për klasat VI-XI

MASR thotë se ndër platformat që përdoren nga mësuesit dhe nxënësit janë academi.al. RTSh shkolla, google clasroom, ZOOM etj.

Sa i efektshëm është mësimi i kombinuar?

Shumë nxënës dhe prindër janë të pakënaqur me platformën akademi.al, ndërkohë që një pjesë i janë rikthyer platformës zoom apo whatssap, por edhe këto kanë kostot e veta.

Faktoje pyeti prindër dhe nxënës se sa të efektshëm e patën mësimin e kombinuar përgjatë muajit dhjetor.

B.A mësuese e gjuhës së huaj në shkollën “28 Nëntori” në Fushë-Milot tha për Faktoje:

“Unë nuk e kam përdorur asnjëherë akademia.al, nuk është praktik, shumë nxënës nuk kanë internet për ta përdorur dhe të hapin videot që janë aty. Për gjuhët e huaja si frëngjisht apo gjuhë të dytë, nuk ka asnjë material, mjetet ku komunikoj me nxënësit janë messenger ose whatsapp”.

M.D nxënës në klasën e 10 në shkollën Aleks Buda thotë:

“Unë bëj mësim të alternuar, në fillim na lajmëruan për platformën akademi.al, kishim shumë paqartësi dhe vëshirësi për hyrjen në platformë, kemi mundur të hynim, por nuk e kemi përdorur për të bërë mësim online, kemi zhvilluar procesin e mësimit me Zoom ose përmes bisedave me Whatsapp.

K.I, mësuese në një nga gjimnazet e Tiranës u shpreh për Faktojen:

“Kemi patur akses në platformën academia.al po jo në çdo kohë mësimi hapej. Një tjetër problem është interneti, si për nxënësit ashtu dhe për mësuesit. Me nxënësit kemi aplikuar emailin për detyrat, vlersimin dhe komentet që mund të kishin”.

Djali im, kur është në shkollë bën mësim në klasë është i kënaqur, është më i vëmendshëm dhe për çdo paqartësi që ka, pyet zyshën. Me mësimin online ndodh e kundërta, me pak fjalë është mision i pamundur, nuk mund ta përballojmë buxhetin për internetin dhe për të blerë mjete elektronike. Unë i kam dhënë djalit telefonin tim, po shpresoj që kjo situatë të mbarojë shumë shpejt dhe t’i kthehemi normalitetit”-tha R.M prindi i një djali në një shkollë në Laç

Sa te efektshëm e shohin ekspertët mësimin e kombinuar dhe platformën akadmia.al?

Majlinda Keta, lektore e Filozfisë së Edukimit në Universitetin e Tiranës thotë për Faktoje:

“Vetë paltforma e zgjedhur nuk është në cilësinë që tregu i edukimit kërkon gjatë pandemisë në të gjithë botën. Kjo situatë ku kemi mësues e nxënës të regjistruar në sistemin parauniversitar publik u pa se nuk mbajti dot ngarkesën ditën që kaloi në formatin e pyetur nga ju, sikurse nga mësues në sistem mëson faktin se ajo nuk ka funksionuar siç duhet. Ndaj mësuesit kanë bërë rrugëzgjidhjet e tyre, po përdorin google classroom, zoom, whatsapp etj, pa u unifikuar mes tyre. Pra, jemi po në kushtet e eksperimentit online të 3 muajve që mbyllën vitin e kaluar shkollor. Ajo që është më e rëndë është se mësimi i kombinuar kryhet pa patur mundësi dhe vullnet për të monitoruar arritjen e kompetencave të nxënësve që është “A” -ja e funksionalitetit dhe efektshmërisë të arsimit”. thotë ajo për Faktoje. (intervista e plotë e zonjës Majlinda Keta)

Në një intervistë televizive eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti tha:

E para kemi një mungesë të theksuar të infrastrukturës, pra të shtrirjes së internetit në të gjithë vëndin, e dyta kemi mungesë të mjeteve të tabletave apo të laptopëve, duheshin marrë masat me kohë, pajisja e shtresave në nevojë. Psh. çfarë ndodh më 1000 familje që jetojnë në çadra për shkak të termetit? A kanë ato mundësi të kryejnë mësimin online?”

Për mësimin e alternuar është shprehur dhe ish-zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj në një intervistë televizive:

Mësimi i alternuar ka treguar se dija merret e cunguar dhe se menaxhimi dhe koordinimi i prindërve, por dhe vetë nxënësve është i vështirë brenda një jave. Mësimi online nuk ekziston, ose funksionon vetëm me hope. 60 për qind e shqiptarëve po dalin analfabet funksionalë, pra bëjmë sikur shkojmë në shkollë dhe, por nuk po japim dijen e garantuar.”

Foto e parë është marrë nga shkolladigjitale

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img