BallinaFaktometerE PavërtetëLleshaj për shpëtimin e Alvinit dhe 5 provat që rrëzojnë deklaratën e tij

Lleshaj për shpëtimin e Alvinit dhe 5 provat që rrëzojnë deklaratën e tij

MARJO BRAKAJ & ANXHELA RUÇI

“Faktoje” verifikoi një deklaratë të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili deklaroi se Shqipëria ishte nismëtare e operacionit për shpëtimin e Alvinit 11-vjeçar nga kampi sirian i Al-Hawl. Pas verifikimit, rezulton se Shqipëria jo vetëm nuk ka qenë nismëtare, por për disa vite ky proces është zvarritur nga vendi ynë, vetëm për një akt formal diplomatik, i mjaftueshëm për ta shpëtuar atë.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Një nga lajmet më të bujshme të vitit 2019 ishte shpëtimi i 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha, nga kampi Al-Hawl në Siri ku strehohen ish-luftëtarë të ISIS, mes tyre gra dhe të mitur nga Shqipëria. Lirimi i Alvinit u “shit” nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj si një arritje e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shqiptare, pretendim të cilit i mëshoi edhe kryeministri Rama. Këto deklarata Lleshaj i përsëriti disa herë në intervista televizive dhe postime në rrjete sociale, të shoqëruara edhe me foto nga zona pranë Sirisë.

“Nisma për operacionin është ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë, na kanë ndihmuar Italia, Kryqi i Kuq dhe Gjysëmhëna e Kuqe. Ata kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar. Qeveria italiane ka punuar ngushtësisht me ne”, theksoi ministri në Opinion.

Postimet e Sandër Lleshajt në Twitter, pas shpëtimit të Alvin Berishës

 “Faktoje” vendosi të shqyrtojë vërtetësinë e deklaratës së ministrit duke bërë një kërkim të thelluar.

Lleshaj përballë 5 provave që e kundërshtojnë.  

1. Për të verifikuar deklaratën e ministrit te Brendshëm “Faktoje” iu referua policisë italiane, e cila, me mbylljen e vitit 2019 publikoi një bilanc të 12 muajve, ku raportohej edhe kthimi i Alvinit në Itali. Raporti thekson ndër të tjera se identifikimi i 11-vjeçarit Alvin Berisha është kryer nga Policia Shkencore e Italisë.

“Operacioni, i realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale, i drejtuar nga Zëvendës Shefi i Policisë, Vittorio Rizzi, është koordinuar, që nga gushti 2019 nga Shërbimi i Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar (SCIP) me mbështetjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, dhe homologes së saj Gjysëmhëna e Kuqe”, thuhet ndër të tjera në raport.

Postim në faqen zyrtare të Policisë Italiane

2. “Faktoje” iu drejtua përmes një emaili Kryqit të Kuq Italian, i cili na u përgjigj se kjo organizatë ka pasur bashkëpunim vetëm me autoritetet italiane. Ky bashkëpunim ka filluar që në muajin maj të 2019-s, pas sinjalizimit për prezencën e mundshme të Alvinit në Siri.

Komunikimi nëpërmjet e-mail midis “Faktoje” dhe Kryqit të Kuq Italian

3. Edhe Gjysëmhëna Siriane konfirmon se operacioni është kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Kryqin e Kuq.

Postimi në rrjetin social Facebook i Gjysëmhënës Arabe

Policia Italiane, Gjysmëhëna Arabe Siriane dhe Kryqi i Kuq Italian të cilat bënë të mundur krijimin e korridorit humanitar për dorëzimin e Alvinit, nuk e përmendin policinë dhe qeverinë shqiptare si nismëtare apo kontribuese kryesore e aq më pak nismëtare për lirimin e të miturit në kampin e Al-Hawl në Siri.

4. “Faktoje” i referohet edhe emisionit investigativ italian “Le Iene” i cili denoncoi që në vitin 2014 rastin e Alvinit dhe e risolli si rast në vitin 2019, konfirmon se i gjithë operacioni është ndërmarrë dhe realizuar nga tre aktorë: Policia Italiane, Gjysëmhëna e Kuqe dhe Kryqi i Kuq. Ndër artikujt e publikuar nga redaksia e “Le Iene”, ndërkohë doli në pah mungesa e bashkëpunimit nga ana e disa përfaqësive të shtetit shqiptar, siç janë ambasada shqiptare në Turqi dhe ajo në Itali. Pengesa për daljen e Alvinit nga kampi sirian sipas hulumtimit të “Le Iene” ishte mungesa e një dokumenti identifikimi që vërtetonte shtetësinë shqiptare. Për këtë arsye nxjerrja e Alvinit nga kampi i Al-Hawl mund të bëhej vetëm përmes një përfaqësuesi të ambasadës shqiptare, por kjo procedurë ishte zvarritur.

Pjesë nga artikulli i Le Iene

5. Afrim Berisha, i ati i Alvinit, në një lidhje telefonike me Report Tv më 16 janar 2019, deklaroi se lirimi i djalit të tij ishte tërësisht meritë e shtetit italian. Madje, Afrim Berisha akuzoi se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur thirrjeve të tij.

Afrim Berisha: Unë kam qenë 8 herë brenda 5 viteve në Siri. Nuk është e vërtetë ajo që thonë. Shteti shqiptar nuk ka çuar asnjë letër, nuk është interesuar fare. Unë kam kontakte me të gjithë ata të kampit. Askush nuk ka shkuar për ata fëmijë. Kthimi i Alvinit është bërë si bashkëpunim nga Kryqi i Kuq italian dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Falë zotit unë jam në Itali dhe ata kanë bashkëpunuar me ata që kam dhënë unë. Shkuam në shtator. Ishte e pamundur sepse duhej një autoritet shqiptar që ta merrja Alvinin dhe unë u ktheva. I kërkova përsëri shtetit italian dhe u shpëtua Alvini. Falë Zotit qëllova në Itali.

Praktikisht, siç u informua “Faktoje”, roli i vetëm që duhej të luante Shqipëria ishte dërgimi i një përfaqësuesi të konsullatës shqiptare, që do vërtetontë shtetësinë shqiptare të Alvinit. Ky ishte një mision diplomatik. Zvarritja e këtij akti formal vuri në lëvizje autoritetet italiane pas denoncimit të emisionit “Le Iene”. Ndaj prania e ministrit të Brendshëm Lleshaj, përveç fotove dhe postimeve që dërgoi nga Libia nuk prodhoi një zgjidhje për çështjen e Alvinit në vetvete.

“Faktoje” u përpoq të kontaktojë drejtpërdrejt edhe me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për ta pyetur mbi deklaratën e bërë në emisionin Opinion, më datë 11 nëntor 2019. Kërkesës për informacion apo një komenti, ministri i Brendshëm zgjodhi të mos i përgjigjej. 

Nga verifikimi i “Faktoje” rezulton se kryerja e operacionit për lirimin e Alvinit të mitur nga kampi Sirian nuk është një nismë e policisë shqiptare. Ndaj vendosëm që deklaratën e ministrit të Brendshëm Lleshaj ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img