BallinaFaktometerE vërtetëLulzim Basha: Asnjë i arrestuar për 24 jetët e humbura në Thumanë

Lulzim Basha: Asnjë i arrestuar për 24 jetët e humbura në Thumanë

JOEL ÇELA

Thuajse gjysma e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit u shkaktuan nga shembja e tre pallateve në Thumanë. Që prej muajit dhjetor policia nisi ekzekutimin e urdhërarresteve për ndërtues apo zyrtarë vendorë në Tiranë, Vorë, Kashar e Durrës. Po në Thumanë, kush u arrestua për vdekjen e 24 banorëve? “Faktoje” verifikoi një deklaratë të kryetarit të PD Lulzim Basha.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Më 26 janar, 2 muaj pas tërmetit të nëntorit me pasoja tragjike, kryetari i PD Lulzim Basha publikoi një postim të gjatë në Facebook ku tërhiqte vëmendjen se për tragjedinë e Thumanës nuk kishte asnjë të arrestuar:

“Ndërkohë për krimin shtetëror në Thumanë që mori 24 jetë, nuk ka asnjë të arrestuar, asnjë hetim serioz, vetëm heshtje nga prokuroria politike që mbron Dakon dhe Bushin me urdhër të Edi Ramës.”

Në një njoftim të Prokurorisë së Krujës më 2 dhjetor, thuhet se ky organ është vënë në lëvizje për të verifikuar nëse ka apo jo elementë të veprave penale lidhur me shembjen e tre pallateve në Thumanë, ku kanë humbur jetën 24 persona. Në njoftim thuhet se në përfundim të veprimeve të domosdoshme hetimore, në varësi të elementeve të veprave penale që do të konstatohen, do bëhen procedime penale.

Në fund të janarit “Faktoje” pyeti Prokurorinë e Përgjithshme nëse ka nisur procedimi penal për shembjen e pallateve ku humbën jetën 24 personat dhe nëse ka persona të arrestuar për këtë çështje.

Në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka nisur procedimin penal më 2 dhjetor 2019 për veprën penale “shpërdorim i detyrës”. Janë kryer një sërë veprimesh hetimore, por deri në momentin e përgjigjes, më datë 31 janar 2020, nuk janë ngritur akuza për persona të veçantë dhe nuk janë nxjerrë urdhra ndalimi apo caktuar masa sigurimi.

Kryeprokurori Olsian Çela ka shkuar në Prokurorinë e Durrësit dhe Prokurorinë e Krujës gjatë muajit dhjetor për t’u njohur me situatën pas nisjes së hetimeve. Pas këtyre vizitave, zoti Çela u shpreh për mediat se ka persona përgjegjës për humbjen e jetëve, por pa folur konkretisht për rastin e Thumanës:

“Individë të papërgjegjshëm, duke kryer veprime të caktuara me koshiencë të plotë kanë shkelur ligjin dhe pasoja e ardhur është vdekja e shumë personave. Në këtë kuadër, besoj se dhe reagimi i prokurorisë, zbatimi i ligjit do të jetë korrekt, do të jetë i prerë dhe në fund do të kemi rezultate të qarta për hetimet.” 

Duke u rikthyer te akuzat e kryetarit të PD Basha për tragjedinë e Thumanës, ajo konsiderohet nga opozita si një krim shtetëror. Sipas Bashës, banorët u lejuan nga shteti të ktheheshin për të jetuar në pallate të cilat ishin dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit.

Pallatet që u shembën në Thumanë u ndërtuan në fund të viteve ‘80, me punë vullnetare nga vetë banorët dhe sipas disave prej tyre, cilësia e ndërtimit ishte e dobët. Megjithatë pas tërmetit të 21 shtatorit banorët vazhduan të jetonin në këto pallate, pavarësisht dëmtimeve.

A ishin verifikuar pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 shtatorit?

Kjo pyetje iu bë në “Opinion” më 28 nëntor drejtorit të Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu. Ai deklaroi se pallatet e Thumanës nuk ishin verifikuar, me këtë arsyetim:

“Sepse tërmeti që ra në 21 shtator, nuk ra në Thumanë. Zona që ka kapur tashi, është zona e Thumanës.”

Nisur nga verifikimi që “Faktoje” bëri mbi deklaratën e kryetarit të PD, Lulzim Basha, vendosëm që ta kategorizojmë atë Të Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img