BallinaTë pambajturaPremtimi i kryeministrit për 1 qershorin dhe Eko Parku ‘real’ në Porto Romano

Premtimi i kryeministrit për 1 qershorin dhe Eko Parku ‘real’ në Porto Romano

Eko Parku i premtuar se do ishte gati në 1 qershor, në zonën e grumbullimit të mbetjeve në Porto Romani, sot është një kantier ndërtimi. Deklaratën e kryeministrit Rama në 7 dhjetor të 2019, e rrëzoi pak javë më parë ministrja e Energjisë Balluku, e cila dha si afat të përfundimit të lotit të tretë të projektit, shtatorin e këtij viti.


“Në 1 qershor të 2021 këtu do jetë festa më e madhe që kanë parë kalamajtë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ta mbyllim këtë histori plehrash dhe ndotjeje, se është një skandal!” – tha kryeministri Edi Rama, më 7 dhjetor 2019, gjatë inspektimit të punimeve në Porto Romano ku kishte nisur heqja e mbetjeve inerte si pjesë e projektit për shndërrimin e kësaj zone nga një fushë mbetjesh në Eko Park.

Faktoje shkoi këtë të martë të 1 Qershorit në zonën e Porto Romanos, aty ku u premtua ngritja e Eko Parkut.

Nga vëzhgimi në terren konstatuam se zona e Porto Romanos ishte ende një kantier ku vijonin punimet me makineritë e tonazhit të rëndë.

Porto Romano, kantieri për Eko Parkun, 1 qershor 2021, foto Aurora Shpataj

Porto Romano, kantieri për Eko Parkun, 1 qershor 2021, foto Aurora Shpataj

Dështimi i afatit për përfundimin e Eko parkut në 1 qershor të këtij viti, ishte konfirmuar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku 3 javë më parë, gjatë një inspektimi në Porto Romano:

Qyteti i Durrësit do të zhvillohet edhe nga ana urbane në këtë zonë, edhe se është një zonë industriale. Infrastruktura i përgjigjet të gjithë nevojës si nga ana komerciale dhe industriale dhe asaj urbane. Durrësi do shpëtojë nga trafiku i rëndë. Deri tani është bërë gati 50 % e punimeve dhe do të ruajmë në fund të shatori 2021 do të ketë përfunduar.”-tha ministrja Balluku më 12 maj, një video e cila u postua edhe nga kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të marrë të dhëna zyrtare mbi ecurinë e projektit dhe afatin e përfundimit.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi marrë përgjigje kjo ministri.

Kërkesë për informacion i dërguam edhe Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, e cila gjithashtu ka refuzuar të përgjigjet edhe pse kanë kaluar afatet e parashikuara nga ligji për të Drejtën e Informimit 119/14.

Kërkesa për informacion dërguar Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta.

Sipas tabelës së projektit që qëndron pranë kantierit të Eko Parkut, kostoja e tij shkon rreth 1 miliard e 600 milionë lekë ose rreth 15 milionë euro.

Tabela me të dhënat e projektit, foto: Aurora Shpataj

Edhe më parë Faktoje ka raportuar shkeljen e afateve të mëhershme për Eko Parkun.

Nga verifikimi në terren dhe informacionet e grumbulluara, vendosëm që premtimin e radhës të kryeministrit për ndërtimin e Eko Parkut ta kategorizojmë të pambajtur.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img