BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëTopojani fshati ‘fantazmë’ dhe premtimet e pambajtura

Topojani fshati ‘fantazmë’ dhe premtimet e pambajtura

INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI

Ne do ta kthejmë bashkinë te njerëzit! Deri tani bashkia ka qenë e ndarë me njerëzit. Keni menduar që do t’ju bënin ndonjë investim, do t’ju prisnin, do t’ju zgjidhnin ndonjë hall. Por mesa shohim ata nuk kanë ardhur të bëjnë gjë”.

Kështu e nisi fjalën e tij në takimin me banorët e fshatit Topojan në Kukës, kandidati për kryebashkiak Safet Gjici, gjatë fushatës elektorale të vitit 2019.

Me tej ai shtoi se bashkia nën drejtimin e tij do të merrte përsipër garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza të fshatit dhe rregullimin e rrugës së  kësaj njësie administrative.

Nisur nga këto deklarata “Faktoje” pyeti Bashkinë e Kukësit se çfarë është bërë në lidhje me këto investime, por deri në momentin e publikimt të këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Po ashtu në një kërkim në faqen zyrtare të bashkisë nuk ka të publikuar ndonjë informacion mbi investimet që bashkia është duke bërë në këtë zonë.

Në trasparencën e buxhetit të kësaj bashkie për vitin 2020 shikojmë se plani për investimet kapitale kap një vlerë prej 60.220 lekë.

Ndërkohë në raportin periodik të zbatimit të buxhetit të Bashkisë Kukës, për periudhën tetëmujore Janar – Gusht 2020, shpenzimet për programin e rrugëve rurale kanë qenë 17.946.29 mijë lekë dhe statusi i realizimit të buxhetit për këtë program ka qenë në masën 53.1 %.

Pavarësisht këtyre të dhënave Faktoje, gjatë verifikimit në terren konstatoi se rruga që lidh njësinë Administrative Topojan me rrugën që të çon në Kukës ishte e pa- shtruar dhe në gjende të mjerueshme.

Komuna Topojan i përket një zone të pasur me burime ujore, por sipas banorëve vuan prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm.

Osmani rreth të 70-ave thotë për “Faktoje” se që prej fillimit të ndërtimit të HEC-eve në atë zonë banorët kanë ngelur pa ujë.

Shkojmë e marrim ujin në pyll, është gjysmë ore larg. E kanë vjedhur ujin ata që ndërtuan. Na dhanë fjalën dhe na lanë pa ujë”-shprehet ai i revoltuar.

Më tej ai shton se në fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit, sepse të rinjtë janë larguar jashtë vendit. Sipas CENSUSIT të vitit 2011 Topojani kishte 1753 banorë, por siç dëshmojnë banorët, ky komunitet është pakësuar ndjeshëm dhe tashmë fshati numëron më pak se 1000 banorë.

Mungesa e ujit, rrugës dhe punësimit e kanë kthyer Topojanin në një fshat fantazmë. Edhe pse bashkia e Kuksit ka hapur një tender së fundi për për hartimin e projektit të furnizimit me ujë, ky projekt përfshin vetëm qytetin.

Nga verifikimi në terren dhe informacionet e grumbulluara, premtimet e kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, për furnizimin me ujë të pijshëm dhe shtrimin e rrugëve në Topojan, do t’i kategorizojmë të Pambajtura.

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img