.

.

BallinaAktualitetCovid-19Kufizimi i lëvizjes pas orës 17:30, a është i drejtë dhe efektiv?

Kufizimi i lëvizjes pas orës 17:30, a është i drejtë dhe efektiv?

Ruajtja e kufizimit në oraret e lëvizjes, nuk gjen dakordësi nga ana e qytetarëve në pjesën dërrmuese. Kufizimi i lëvizjes ka sjellë grumbullime në pikat e shërbimeve. Ky është një argument përse shumë qytetarë e shohin të panvojshëm vijimin e kësaj mase shtrënguese.

—————————————————————————————————————————————–

Alessia Sh, 26 vjeç nga Tirana duhet të lërë orarin e punës për të bërë pazarin. Kjo sepse kur ajo mbaron punën në 17:30 dyqanet e lagjes së saj mbyllen për shkak të kufizimit nga COVID-19.

Si Alessia janë edhe shumë qytetarë të tjerë në Tiranë, por edhe në zonat e tjera të kuqe që detyrohen të shkëputen  nga puna për të bërë pazar apo për të shkuar në farmaci.

Grumbullimet masive

Zonat e Kuqe të përcaktuara tani janë bashkitë Tiranë, Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, dhe Fier, ku do të vazhdojë regjimi i orareve të lëvizjes deri në 17:30.

Kjo fashë orare në Tiranë ka sjellë jo pak probleme.

Kufizim ka sjellë grumbullime në disa zona të kryeqytetit, kryesisht në tregje, qendra tregtare, dyqane, supermarket e farmaci.

Radha te një prej farmacive të Rr. Elbasanit

Tregu tek Rr.Elbasanit

Lehtësimi i masave në Tiranë për këtë javë duket i pamundur“, tha ndër të tjera kryeministri Rama gjatë komunikimit me gazetarët.

A shërben kufizimi i lëvizjes pas orës 17:30?

Faktoje pyeti audiencën e saj në mediat sociale nëse ata mendojnë se ky kufizim është i drejtë edhe efektiv.

Rezultati ishte se afro 87% e ndjekësve në Facebook dhe 78% e ndjekësve në Instagram mendonin se kjo masë nuk është e drejtë dhe efektive.

Entela Binjaku, sociologe, mendon se e përbashkëta e kësaj shumice që mendon se nuk është vendim i drejtë, lidhet me mungesën e transparencës dhe arsyetimit  të këtij vendimi për kufizim, komunikimin e njëanshëm mes publikut dhe vendimmarrësve, koha e gjatë e kufizimeve. Format e komunikimit që vijuan të mbesin njëlloj si rrjedhojë kanë sjellë sipas saj edhe uljen e bindjes së ditëve të para, kur kufizimet mirëpranoheshin dhe zbatoheshin.

Në kohën e pandemisë qytetarëve iu kërkua përvetësimi i disa koncepteve që binin ndesh me atë që ata janë programuar gjenetikisht, pra me ndërveprimin me të tjerë. Qytetarët shqiptarë përvetësuan në një kohë të shkurtër disa rregulla që ishin të vështira si: distancim shoqëror, distancim fizik, marrje tamponi, test serologjik, kufizim, gjoba, burg etj. që ishin edhe fjalët kyç të kësaj pandemie”- thotë Binjaku.

Kjo sipas sociologes solli lodhje tek njerëzit.

Ne jemi qenie shoqërore, kemi nevojë për të tjerët, madje jemi zhvilluar pikërisht falë ndërveprimit me te tjerë. Truri i secilit prej nesh është zhvilluar duke vlerësuar atë që tjerët mendojnë, çfarë ata ndjejnë, si na përgjigjen, a ndjehemi të sigurtë në praninë e tyre apo ata në praninë tonë e kështu me radhë.  Studimet tregojnë se përjashtimi nga përvoja me të tjerët, pra kufizimet nga ndërveprimi me ta krijon në trurin të njëjtin reagim që prodhon kur provon dhimbje fizike”, tha Binjaku

Këto kufizime shton ajo, vendosin regjim të ri lëvizjesh apo moslëvizjesh dhe sërish krijojnë padurim, mosmiratim, habi, ndonjëherë duken edhe fyese për logjikën e të menduarit.

Ky lloj reagimi po theksohet gjithnjë e më shumë me hapjen graduale të aktiviteteve. Prej së hënës hapja e qendrave tregtare, parukerive, berberhaneve dhe klinikave dentare ishte edhe një testim i sjelljes së njerëzve, që përballen me rikthimin e normalitetit, por me rregulla e kufizime të reja.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img