BallinaFaktometerPa kategoriTejkalohen dy afatet e kryeministrit Rama për pagesën e paketës së zgjeruar

Tejkalohen dy afatet e kryeministrit Rama për pagesën e paketës së zgjeruar

Rreth një muaj pas shpalljes së paketës së parë ekonomike, kryeministri Rama publikoi  paketën e zgjeruar duke premtuar pagesën e bonusit prej 40 mijë lekësh për 176 mijë persona. Pak ditë më vonë ai premtoi fillimisht se bonusi do t’u shkonte të gjithëve brenda muajit prill, ndërsa më pas e ka shtyrë afatin deri në fillim të majit. A ka përfunduar ky proces, kur jemi thuajse në mesin e këtij muaji?


13 prill kryeministri Rama publikoi paketën e zgjeruar ekonomike që do t’u vinte në ndihmë familjeve të prekura nga masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kreu i qeverisë premtoi një pagesë prej 40 mijë lekësh, për 176 mijë persona të ndarë në tre kategori. Pak ditë më pas, më 16 prill, në një postim në Facebook zoti Rama specifikoi edhe një herë kategoritë përfituese duke përcaktuar fundin e muajit prill si afatin e likuidimit të pagesës.

Më 20 prill, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Rama tha:

“Nesër fillon lëvrimi i bonusit prej 400 mijë lekësh (të vjetra). Është shumë më e thjeshtë procedura dhe parashikojmë që deri në javën e parë të majit, të gjitha paratë të jenë të derdhura në konton e të gjithë atyre që përfshihen në paketën e zgjeruar si subjekte të saj.”, – tha zoti Rama.

Më 29 prill, drejtoresha e përgjithshme e tatimeve, zonja Delina Ibrahimaj në një intervistë për “Open”, bëri me dije se deri në atë moment kishin mbërritur aplikime për 94,549 të punësuar, nga 176 mijë që duhej të përfitonin në total.

“Momenti i përmbylljes së paketës së dytë është ende larg pasi nuk kemi arritur akoma totalin e aplikimeve që duhet të vijnë për paketën e dytë. Pra, jo të gjithë subjektet që janë njoftuar nëpërmjet programit e-filing kanë aplikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për përfitimin e paketës së dytë.”, – tha ajo.

Një tjetër problematikë që ka dal në pah gjatë këtij procesi, është fakti se për punëtorët të larguar nga puna deri më datë 10 prill ka punëdhënës të cilët nuk kanë aplikuar për pagesën, çështje që u cek nga zoti Rama më 4 maj.

Më 6 maj, gjatë një interviste për televizionin Scan, zonja Ibrahimaj tha se të gjithë të punësuarit për të cilët punëdhënësit nuk kanë aplikuar mund të bëjnë denoncim përmes formularit të ankesës ku mund të vendosej edhe numri i IBAN. Në këtë mënyrë pagesa do të kalonte automatikisht tek ta pas verifikimeve, pa pasur nevojë që punëdhënësi të aplikojë.

E pyetur mbi përfundimin e procesit të shpërndarjes së pagesave, zonja Ibrahimaj dha si afat datën 15 maj, por me rezerva.

“Për paketën e dytë ne mendojmë që aplikimet të mbyllen në datën 15 maj, por kjo datë është subjekt rishikimi pasi siç thashë deri në këto momente numri i aplikimeve është rreth 100 mijë, ndërkohë që janë edhe 76 mijë të punësuar të tjerë për të cilët do të duhet që të aplikohet. Pra, nëse deri në datë 15 maj ky numër nuk është arritur, ne do të vijojmë me njoftimet.”- përfundoi ajo.

Më 7 maj kryeministri Rama gjatë një interviste në “Çim Peka Live” është ndalur sërish tek bonusi nga paketa e zgjeruar për të cilën ka dhënë shifrat e fundit deri në atë moment.

“Paketa e dytë, janë paguar…janë aprovuar për 31,448 subjekte dhe faktikisht janë 102 mijë individë. Kështu që, në total, numri i përgjithshëm i atyre që kanë marrë pagë sot që flasim është afro 150 mijë. Ata që kanë marrë atë 400 mijë lekëshin e kanë marrë, të tjerët do vazhdojnë të marrin në bazë të aplikimeve dhe të verifikimeve.”- deklaroi ai.

Në të dy afatet e vendosura nga kryeministri Rama për dhënien e pagës së parashaikuar  nga paketa e zgjeruar e ndihmës, nuk është arritur të përfundojë likuidimi i plotë i saj. Deri sot shpërndarja e pagesave prej 40 mijë lekësh të reja është ende në proces.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img