BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKrijimi artistik shitet si provë për falsitetin e luftës në Ukrainë

Krijimi artistik shitet si provë për falsitetin e luftës në Ukrainë

Një video e bërë virale, që përdoret si provë për të ngritur dyshime mbi vërtetësine e luftës në Ukrainë, rezulton e manipuluar në mënyrë digjitale. Një tjetër rast ku propaganda ruse përpiqet të manipulojë opinionin mbi të vërtetën e hidhur të luftës në Ukrainë.  

Nëse keni parë në rrjete sociale një video ku një grua është duke shtyrë një karrocë fëmijësh në një rrugë me mbishkrimin Ukrainë, mos e besoni.

Videoja që është virale tregon një ekran të ndarë në mes ku shfaqet një grua duke ecur përgjatë një rruge tipike në një vend evropian, së bashku me të njëjtën grua me një sfond që tregon një qytet të shkatërruar nga lufta. Por verifikimet tregojnë se këto imazhe nuk kanë asnjë lidhje me Ukrainën.

Një përdorues i Twitter-it, me pseudonimin “nikola 3“, postoi për herë të parë këtë video në Twitter më 11 mars, duke lënë të kuptohet se i gjithë shkatërrimi që kemi parë nga luftimet në Ukrainë është rezultat i manipulimeve të imazheve.

Pasi video ka marrë mbi 41 mijë shikime, autori e ka fshirë imazhin nga profili i tij edhe pse ajo tashmë është bërë virale. Ndryshe nga ky përdorues, një profil shqiptar në Facebook ka ndarë të njëjtën video në 5 prill duke u mjaftuar me mesazhin: “Zgjohuni!! Keni fjetur shume…”.  

Screenshot i profilit në facebook

Sipas verifikimeve, video nuk ka asnjë lidhje me Ukrainën dhe është xhiruar në Maltë. Krijuesi i saj është Konstantin Kovalenko, një person i cili realizon efekte vizuale për të siguruar jetesën. Ju mund ta shihni punën e tij në ArtStation ku ai ka më shumë modele të efektit që aplikoi tek gruaja që shtynte karrocën.

Autori i kësaj video ndan punën e tij në rrjetin social Instagram me mbishkrimin: “Jeta pas apokaliptike në Maltë”. Ndërsa në një tjetër postim, ai sqaron se si e ka realizuar këtë projekt vizual të Apokalipsit në eistan.artstation.com.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, shumë njerëz që mbështesin Rusinë dhe agresionin e saj, kanë postuar video që supozohet se tregojnë se lufta është inskenuar për kamerat televizive. Madje disa prej tyre njerëz sugjerojnë se lufta është si “Ëag the Dog”, filmi i vitit 1997 me Dustin Hoffman dhe Robert DeNiro, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillojnë një luftë fiktive me Shqipërinë, të xhiruar para ekraneve jeshile. Në shumë prej këtyre rasteve, materialet krijohen nga propaganda ruse, e cila kërkon të manipulojë opinionin mbi të vërtetën e hidhur që po ndodh realisht në Ukrainë.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.

Fotografia kryesore e marrë nga profili i Konstantin Kovalenko.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img