BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookZelenski nuk dakordësoi pushtimin e Ukrainës nga Polonia

Zelenski nuk dakordësoi pushtimin e Ukrainës nga Polonia

Pretendimi se presidenti ukrainas sapo dha dritën jeshile për pushtimin polak të Ukrainës është i rremë.

Ndër teoritë konspirative që rrethojnë luftën në Ukrainë është pretendimi se Polonia synon të pushtojë disa territore të Ukrainës. 

Më së fundmi, në rrjete sociale ky pretendim po qarkullon në formën e një lajmi se “presidenti ukrainas sapo dha dritën jeshile për pushtimin polak të Ukrainës.” Pavarësisht natyrës së jashtëzakonshme të këtij pretendimi, teksti që e shoqëron nuk e shtjellon më tej duke dhënë ndonjë provë për ta mbështetur.

Shkak për rishfaqjen e këtij pretendimi duket se ka qenë vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Poloni më 5 prill. 

Gjatë kësaj vizite, Zelensky falenderoi homologun polak Andrzej Duda duke thënë se Polonia nuk e braktisi Ukrainën dhe e quajti marrëdhënien midis dy vendeve “historike”. Ai përmendi specifikisht miliona ukrainas që janë strehuar në Poloni pas fillimit të luftës.

Polonia ka qenë ndër aleatët kryesorë të Ukrainës pas pushtimit rus, dhe është vendi që ka pritur më shumë refugjatë ukrainas në botë. Ndërkohë, Polonia ka qenë shteti i parë që njohu pavarësinë e Ukrainës në vitin 1991.

Zyrtarët polakë nuk kanë bërë kurrë ndonjë deklaratë që vë në dyshim integritetin territorial të Ukrainës.

Kreu i Departamentit polak të Sigurisë Kombëtare, Stanisław Żaryn, deklaroi më 18 janar se propaganda ruse po përpiqet të njollosë imazhin e Polonisë, duke e portretizuar atë si “një shtet aventurier në rajon, që po lufton Rusinë përmes një pale të tretë në territorin Ukrainas, dhe si një shtet që planifikon të aneksojë një pjesë të territorit ukrainas.“

Narrativa e synimeve imperialiste të Polonisë ndaj Ukrainës përdoret shpesh nga propaganda ruse. Duke portretizuar Poloninë si një shtet imperialist që synon të mësyjë integritetin territorial të Ukrainës, Rusia mund ta pozicionojë veten si mbrojtëse e kufijve ukrainas. “Faktoje” ka përgënjeshtruar dhe më parë lajme të kësaj natyre.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img