BallinaPertejIntervistë me Tomorr Spahiu, inxhinier portesh

Intervistë me Tomorr Spahiu, inxhinier portesh

Zoti Spahiu, a mund të shndërrohet Porto Romano në një port tregtar?

Në Porto Romano është një infrastrukturë portuale që merret me përpunimin e likuideve, naftës dhe gazit. Quhet Romano Port dhe ne kemi pas bërë studime. Unë kam qënë pjesë e grupeve të punës deri në studimin përfundimtar të tij. Fillimisht në vitin 2000, nga Ministria e Ekonomisë në vazhdën e vendimit të qeverisë për heqjen e përpunimit të naftës dhe të benzinës nga Porti Tregtar i Durrësit për shkak të risqeve. Depozitat që ishin në Portin e Durrësit ishin me risk shumë të madh, ra dy herë zjarr. Madje ky vendim është marrë që në kohën e Adil Çarçanit. Unë në atë kohë kam qënë drejtuesi teknik i punimeve në kalatën lindore dhe në projektet tona ishte edhe risktrukturimi i asaj pikës së shkarkimit të karburanteve. Dhe në atë kohë me daljen e vendimit të Këshillit të Ministrave të Adil Carçanit u ndërpre ajo punë. Më vonë pastaj gjatë kohës ra dhe njëherë tjetër zjarr dhe qeveria ndërmori një projekt nga Ministria e Ekonomisë dhe u bë një studim. Fillimisht, studimi i parë ka qënë identifikimi i zonave bregdetare për dislokimin e përpunimit të naftës dhe të gazit. Unë kam qënë në atë grup pune. Kanë qënë specialist nga Ministria e Energjitikës dhe Ekonomisë dhe nga Instituti i Naftës në Fier. Unë duke qënë se isha i vetmi inxhinier që jam diplomuar për porte, kam vlerësuar pjesën bregdetare që nga Buna deri në Sarandë. Dhe identifikuam dy zona, Vlora dhe Durrësi. Personalisht kam insistuar për Vlorën sepse pas Vlorës shtrihet gjithë zona naftëmbajtëse e Shqipërisë. Dhe veç kësaj në vitin 80’ kur unë fillova punë, kam filluar pikërisht në Vlorë. Ka një pikë të nagrkimit të naftës, gazit dhe benzinës në të ashtuquajturin triport në Vlorë. Pra kishte një infrastrukturë të gatshme që mund të përmirësohej dhe të shtohej kapaciteti. Si gjithmonë, politika kur fut hundët dhe kërkon që të vendosë, dihen që ka interesa okulte dhe përfitime. Dhe u vendos që të jetë në Porto Romano. Ministrisë së Ndërtimit ju autorizua nga qeveria që të financonte studimin për projekt idenë dhe projektin paraprak për Romano Portin. Gjithë këtë punë e kam monitoruar dhe drejtuar unë. Pra bëmë studimet gjeologjike, hidro metorologjike të gjitha me radhë dhe projektin e ka bërë një studio e cila ishte trashëguar nga Instituti NR.3, inxhiniera që kanë punuar me projektimin e porteve. Pra ne kemi një studim në lidhje me gjeologjinë me hirdometrologjinë dhe me shumë element të tjerë për Porto Romanon. Porto Romano nuk është gji i mbrojtur, është gji shumë i hapur. Dhe në metodologjinë e projektimit të porteve elementi i parë është që të synohet të kapet zona të mbrojtura, pra gjire me mbrojtje natyrale në mënyrë që kosot e ndërtimit të porteve të jetë sa më e ulët. Në këtë rast ai vend nuk është i përshtatshëm. Arsye është sepse është gji i hapur dhe e dyta aty ka një çarje tektonike aktive. Çarja tektonike aktive fillon nga Porto Romano dhe përfundon në Urën e Dajlanit. Kjo e bën të pamundur. Pastaj kampionet që ne morëm në atë kohë gjeologjike rezultojnë që nuk janë të përshtatshme. Ky port ekzistues tregtar i Durrësit ka shërbyer që në kohë të ilirëve si skelë për afërsimin e anijeve por si ndërtim ka filluar në 1928 nga italianët që e morën për ta ndërtuar me koncension sepse kishin objektivat e pushtimit. Dy pritat mbrojtëse janë ndërtuar nga italianët në Portin e Durrësit. Ky port ka 100 vjet që ka filluar ndërtimin dhe vazhdonte të ishte në procese ndërtimi. Janë disa projekte që janë në arkivën e Portit të Durrësit te kryera me financime nga donatorë të ndryshëm. Dhe ishin projekt për zhvillim afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Dhe çuditërisht një ditë të bukur Kryeministri vendos që ta heq portin dhe ta çojë në Porto Romano pa pyetur fare. Projektimi i porteve ka një metodologji. Metodologjia më e mirë ka një standard, standardi britanik që janë zhvilluar të gjitha projektet në Portin ekzistues të Durrësit. Dhe kjo që po bën ai, për mendimin tim është një paradoks i madh.

Sa kohë kërkon zhvendosja e portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano në vlerësimin tuaj?

Nuk është e mundur të bëhet për tre vjet. Ata në mënyrë digitale me makete mund ta bëjnë, por tani vetëm nëse i fusin dhe anijet me telefon me ndonjë program 3D. Është e pamundur nuk ka asnjë shans. Sa për dijeni Porti i Durrësit nuk i ka marrë asnjë centimetër katror këtij qyteti, përkundrazi, i ka dhënë mijëra metra katrorë. Këto vetëm nga punimet që janë zhvilluar në Portin e Durrësit. Gjysma e shëtitores tek Vollga është e mbushur nga materialet qe është thelluar porti në vitet 60’. Ai port e ka zhvilluar qytetin. Për mendimin tim jo vetëm që nuk bëhët port në Porto Pomano, por heqja e këtij porti do të sjellë për pasoja. Dhe pasoja më e afërt do të jetë mbyllja e të gjitha minierave në Shqipëri sepse ne jemi vend eksportues i qymyrit, nuk e përpunojmë këtu sepse nuk kemi industri përpunuese. Kemi vetëm industry nxjerrëse e cila nxjerr dhe eksporton jashtë vetëm nëpërmjet Portit të Durrësit, nuk ka port tjetër. As në Shëngjin dhe as në Vlorë.

Po çfarë mendoni se do të ndodhë ndërkohë?

Do të ndodh ajo që ndodhi me Portin e Karpenit. Qeveria miratoi dhënien me koncension të këtij porti në 2016, u bë një vit propagandë e madhe. Ishte propozim të pakërkuar nga një studio angleze me kapital 100 paund. Propozimi i tyre ishte pa një lloj bazë, asnjë studim. Vetëm fjalë. Dhe ndërkohë propaganda dilte dhe thoshte që Karpeni do konkurronte dhe Roterdamin. Dhe çuditërisht që nga ajo kohë asnjë nuk cicëron më. Po e njëjta gjë po ndodh edhe me këtë të famshmen Marina Jaht të Durrësit dhe Portin e ri Tregtar të Porto Romanos. Jam shumë i bindur që edhe kjo do sfumohet. Siç e shihni vet edhe ata vetë brenda javës thonë që do ta financojmë me paratë tona njëhërë me koncension.

Në çfarë gjendje do ta vlerësoni portin aktual të Durrësit, sa i përket kapaciteteve dhe ndotjes?

E gjithë sipërfaqja e kalatës lindore, aty ku do të ngrihen pallatet, është e mbushur pra i është marrë detit tokë, afërsisht 300 mijë metra katrorë tokë dhe ajo tokë është e mbushur me zhavorin që vinte nga lumi i Tiranës. Nuk ka kontaminim zona siç pretendohet. Është bërë një vlerësim i ndikimit në mjedis nga një kompani amerikane në vitin 2002-2003. Dhe për mendimin tim nëse ka pasur një vlerësim të ndikimit në mjedis më të saktë dhe më serioz ka qënë i kësaj kompanie, të gjithë të tjerët i kam parë janë shumë qesharakë. Në atë kohë ata bënë një studim tepër të detajuar. Analiza fizikokimike të gjithë kampioneve të marra në tokë dhe në det, të gjithë këto broçkulla që thonë këta sot janë gjëra të thëna në ajër.

*Fotografia e marrë nga webi.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img