Një tjetër artikull me këshilla mjekësore nga mjekë të rremë reklamon një preparat që pretendon se trajton diabetin. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky artikull përmban një sërë elementesh fiktivë që përdoren për të nxitur lexuesin për blerjen e produktit.

—————————————————

Në portale është shpërndarë së fundmi një tjetër artikull reklamues për efektet çudibërëse të një preparati për trajtimin e diabetit.

Nën titullin bombastik “Miliarda të tëra për diabetin. Hetimi ‘Njeriu dhe Ligji’ zbuloi një komplot në shkallë të gjerë të mjekëve dhe farmacistëve kundër popullatës së Shqipëria”, faqja wremina.com tenton të tërheqë vëmendjen e lexuesve.

Më tej në artikull aludohet se mjekët dhe farmacistët po bëjnë një komplot për të “grabitur” lekët e qytetarëve, duke mos i prezantuar me këtë preparat.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Për të prezantuar produktin, autorët kanë përdorur pacientë dhe mjekë, në mënyrë që ta bëjnë sa më realist dhe të besueshëm për lexuesit dhe personat e interesuar. “Faktoje” bëri një verifikim të personave të përdorur në shkrim.

Emri i mjekut të përdorur për të prezantuar produktin është Fatmir Gashi, por nga një kërkim I bërë në listën e mjekëve, nuk rezulton që personi në fjalë të jetë pjesë e stafit mjekësor në vend. Ndërsa, nëpërmjet mjetit të verifikimit të fotove “Yandex”, ne konstatuam se fotoja e përdorur për të ilustruar mjekun në fakt i përket një politikani rus dhe prej vitesh qarkullon në rrjet.

Gjthashtu, në këtë artikull është përdorur edhe një pacient, që pretendohet se është 64 vjeç, por nuk ëhstë dhënë emri i tij, por thjesht një imazh ilustrues. Nga verifikimi i fotos shihet që personi në fjalë nuk është shqiptar dhe fotoja është thjesht një imazh stok, që mund të përdoret nga kushdo.

Të pyetur nga “Faktoje” nëpërmjet një kërkese zyrtare për informacion, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore sqaron: “Ju bëjmë me dija se produktet e cituara nga ju janë shtesa ushqimore dhe si të tilla nuk janë objekt shqyrtimi i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”.

E kontaktuar më herët nga Faktoje në lidhje me këtë preparat, Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma sqaroi se futja e këtyre produkteve në vend dhe reklamimi i tyre është i pakontrolluar. Ajo ngriti shqetësimin se këto preparate mund të rëndojnë shëndetin e qytetarëve pasi nuk kanë asnjë informacion të rëndësishëm mbi efektet, por qëllimi i tyre është tregtimi dhe fitimi.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Artikulli paraprakRiciklohet lajmi për mbështetjen e familjeve me fëmijë
Artikulli tjetërE pasaktë video e minierës së kobaltit në Kongo
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.