BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashAmbasada e Izraelit në Bahrein nuk u sulmua me molotov, video e 10 viteve më parë

Ambasada e Izraelit në Bahrein nuk u sulmua me molotov, video e 10 viteve më parë

Ambasada e Izraelit në Bahrein nuk është sulmuar me koktej molotov, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në mediat në Shqipëri. Faktoje verifikoi se pamjet i përkasin nëntorit të vitit 2012 dhe nuk kanë lidhje me zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme.

Në një artikull që mban datën 20 tetor, mediat online në Shqipëri pretendojnë se është sulmuar me molotov ambasada e Izraelit në Bahrein, duke publikuar edhe një video në lidhje me këtë ngjarje.

Sulm me koktej molotov në ambasadën izraelite në Bahrein, Izraeli tërheq diplomatët nga Lindja e Mesme”-shkruan “Abc News”.

Lajmi i publikuar nga ‘Abc News’

Në këtë video tregohet një ndërtesë në flakë gjatë natës, teksa jashtë ambienteve të saj duken një grup personash që sulmojnë në mënyrë të vazhdueshme me shishe me benzinë të ndezura me zjarr. Ne vendosëm të bëjmë një verifikim të pamjeve që qarkullojnë, fillimisht duke përdorur mjetet e verifikimit të fotove.

Referuar rezultateve, rezulton se në fakt kjo video është publikuar në Youtube që në 30 dhjetor të vitit 2012 dhe nuk ka asnjë lidhje me përshkallëzimim aktual ushtarak në Lindjen e Mesme.

Sipas titullit dhe mbishkrimit në arabisht që shoqërojnë videon origjinale, bëhet fjalë për sulmin e disa demonstruesve me bomba molotov në një stacion policie, i cili ndodhi më 3 nëntor 2012 në Sitrah, një qytet në veri-lindje të Bahreinit. Sipas informcioneve në këtë faqe, sulmi ndodhi pasi u përhap lajmi se gjendja shëndetësore e Hassan Mushaimës ishte përkeqësuar. Mushaima është lideri i një partie opozitare në Bahrein, i dënuar me burgim të përjetshëm për pjesëmarrjen e tij në protestat e vitit 2011 në vend, të cilat shpërthyen në vazhdën e të ashtuquajturës ‘Pranvera Arabe’.

Lajmi për sulmin në stacionin e policisë në Sitrah u raportua në atë kohë edhe nga United Press International (UPI), një agjenci amerikane e informacionit.

Veç kësaj, nuk ka asnjë provë në mediat lokale dhe ndërkombëtare për një sulm ndaj ambasadës izraelite në Bahrein. Më 16 tetor 2023, faqja zyrtare e ambasadës, me vendndodhje në Manama, kryeqyteti i vendit, publikoi një deklaratë ku thuhej se për arsye sigurie shërbimi konsullor do të pezullohej deri në një njoftim të dytë.

Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e mediave të huaja, të cilët raportuan se ambasada izraelite në Bahrein nuk u sulmua me koktej molotov.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img