BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë rremë artikujt reklamues për trajtimin që zhduk diabetin

Të rremë artikujt reklamues për trajtimin që zhduk diabetin

Trajtimi i diabetit është një nga këshillat kryesore mjekësore që ofrohet në portale. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore ku gjithçka ishte e sajuar me qëllim shitjen e produktit. Ekspertët sqarojnë rrezikshmërinë e këshillave të tilla për shëndetin e qytetarëve.

Më 13 mars portalet kanë ofruar një kurë që sipas tyre trajton problemet e diabetit. Në artikull përmenden emra mjekësh dhe pacientësh, të cilët tregojnë eksperiencën e tyre.

Mësoni të dalloni realitetin nga trillimet dhe më pas kuroni diabetin! Miti kryesor i diabetit që shkurton jetën”-shkruan portali që mban emrin “Shoqëria”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali 

Vihet re se portali ka përdorur emrin e mjekut endokrinolog, Evis Sinjari, shoqëruar me një foto. Nga kërkimi rezulton se mjeku në fjalë punon pranë një spitali privat në qytet. Mirëpo, foto e përdorur për të ilustruar mjekun, nuk është e tij. Nga verifikimi rezulton se imazhi i përket Vladimir Nikolaevich Borovikov. Sipas mediave të huaja, ai ka ndërruar jetë që në mars të vitit 2019, në moshën 89-vjeçare. Pra, në këtë rast portali ka përdorur një imazh të një personi të huaj për të justifikuar intervistën e rreme me mjekun shqiptar.

Një tjetër emër që përdoret në artikull është ai i pacientes 67-vjeçare, Klaudia Kasa, e cila thuhet se jeton në Shkodër. Mirëpo, edhe në një verifikim të një tjetër publikimi të tillë, ishte përdorur e njëjta foto dhe “Faktoje” konstatoi se bëhej fjalë për një grua nga Rumania. Pacientja është fiktive dhe është përdorur me qëllim që ta bëjë sa më të besueshëm artikullin për pacientët që synon të tërheqë.

Gjithçka në këtë dhe artikuj të tjerë marketingu online të denoncuar më parë nga Faktoje, synon që të bëjë më të besueshme shitjen e preparateve të reklamuara, të cilët shiten si trajtime pa recetë dhe jashtë kontrolleve standarte që i nënshtrohen barnat zyrtare.

“Faktoje” kontaktoi Presidenten e Urdhit të Farmacistit, Diana Toma, e cila sqaroi se nuk ka një institucion që t’i monitorojë këto produkte që reklamohen, pasi ato kategorizohen si shtesa ushqimore.

Futja e këyre produkteve është e pakontrolluar, reklamimi i tyre po ashtu. Ato reklamohen pa asnjë kriter. Unë jam e bindur që nuk ka mjek që të reklamojë produkte të tilla. Duhet një reagim nga institucionet për të kontrolluar edhe këtë kategori produktesh pasi ndikojnë në jetën e qytetarëve. Këto preparate mund të rëndojnë shëndetin e tyre, pasi nuk kanë asnjë informacion të rëndësishëm mbi efektet, por qëllimi i tyre është tregtimi dhe fitimi”, sqaron Toma.

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img