BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI nxehti afrikan rriti numrin e vdekjeve gjatë verës

I nxehti afrikan rriti numrin e vdekjeve gjatë verës

Shifrat në rritje të numrit të vdekjeve gjatë muajve të verës po përdoren si argument nga konspiracionistët për të mbështetur pasojat që ka sjellë detyrimi për t’u vaksinuar ndaj Covid. “Faktoje” verifikoi statistikat evropiane për të mbështetur sqarimin e EUROSTAT se faktori kryesor për këtë rritje fatalitetesh është vala e të nxehtit që pushtoi Evropën. 

Patris Pustina

Një postim në faqen në Facebook Populli TV mund të merret si shembull i keqinterpretimit të statistikave duke përzgjedhur një grup të dhënash specifike për të mbështetur një argument të caktuar, ndërsa shpërfill tërësinë e të dhënave, që mund të mos e japë këtë mbështetje.

Në tekst vërehen dy pretendime kryesore: se “kanë vdekur 53 mijë vetë më shumë se mesatarja e Korrikut në vitet e shkuara” dhe se “numri më i lartë i të vdekurve në vendet me v(r)aksinim më të lartë me dy doza e më shumë (Islanda, Spanja, Portugalia, Malta apo Italia). Nga ana tjetër, vendet më pak të vaksinuara janë edhe më të ulëtat në renditjen për vdekshmërinë e tepërt.”

Sa i përket pretendimit të parë, vetë faqja zyrtare e Eurostat pranon se: “Në korrik 2022, shkalla e vdekshmërisë në BE u rrit krahasuar me muajin e mëparshëm, në 15.8% të mesatares për të njejtën periudhë në 206-2019 (në Qershor ishte 7.4%). Ka patur rreth 53 mijë vdekje më shumë në Korrik 2022.” Por Eurostat gjithashtu shton se “kjo është një vlerë jashtëzakonisht e lartë për këtë muaj, shkalla e vdekshmërisë së tepërt ishte 3% në Korrik 2020 (10 mijë vdekje më shumë) dhe 6% në Korrik 2021 (21 mijë vdekje më shumë).” 

Ç’është më e rëndësishme, faqja shpjegon se “bazuar në informacionin e disponueshëm, një pjesë e rritjes së vdekshmërisë në Korrik 2022, krahasuar me të njëjtin muaj të dy viteve të fundit, mund të jetë pasojë e valës së të nxehtit që ka prekur pjesë të Europës gjatë periudhës në fjalë.”

Në fakt, nëse shohim renditjen e vendeve me vdekshmërinë më të lartë këtë Korrik, vihet re se 4 nga 6 vendet e para i zënë shtete mesdhetare që karakterizohen nga moti i nxehtë.

Një krahasim vizual i hartave që tregojnë temperaturat në Europë gjatë Korrikut 2022 (majtas) dhe shpërndarjen e shkallës së vdekshmërisë në Europë (djathtas) e mbështet më tej këtë hipotezë.

Megjithatë, konspiracionistët anti-vaksinim mbeten të vendosur ta gjejnë shkakun e çdo dëmi që mund të hasë njerëzimi tek vaksina anti-Covid. 

Kështu, “Populli TV” pretendon se po hasemi në të vërtetë me një “shpërthim i vdekjeve nga vraksinat”. 

Pyetja që mund të lindë, sakaq, është pse pikërisht tani, ky shpërthim? Tabela e Eurostatit, e bashkëngjitur në postimin e “Populli TV”, tregon qartazi se muaji korrik 2022 është një rast i jashtëzakonshëm. Vdekshmëria në muajt paraardhës, për dy vite, ka qenë shumë më e ulët.

Hipoteza e valës së të nxehtit e shpjegon lehtë ‘pse-në’ kronologjike. Hipoteza e ‘vraksinës’, jo dhe aq.

Një argument që përdoret nga “Populli TV”, por edhe nga konspiracionistë të tjerë anti-vaksinim, është se vendet me vdekshmërinë më të lartë në korrik 2022 jane dhe ato me shkallën e vaksinimit më të lartë. Për ta verifikuar këtë ‘provë’, “Faktoje” mori të dhëna nga Eurostat dhe Our World in Data mbi vaksinimin dhe vdekshmërinë e vendeve të BE dhe ndërtoi këtë grafik:

Siç shihet, e parë në tërësi, kjo ‘provë’ bie poshtë. Kolonat e verdha, që tregojnë përqindjen e popullsisë së vaksinuar, variojnë dukshëm në gjatësi, pavarësisht kolonave të kuqe që tregojnë shkallën e vdekshmërisë. Nëse do të kishte vërtet lidhje mes këtyre dy matësve (vdekshmërisë dhe vaksnimit të popullsisë), kolonat e verdha do të vinin duke u ulur, siç vijnë të kuqet.

Për më tepër, përzgjedhja e muajit korrik 2022 është një zgjedhje arbitrare. Nëse portali “Populli TV” do të kishte parë shifrat e, le të themi, po në mënyrë arbitrare, nëntorit 2021, do të kishte vënë re se vende me shkallë të ulët vaksinimi (si përshembull Bullgaria) kryesonin listën e vendeve me vdekshmërinë më të lartë.

Kështu, nëse konspiracionistët anti-vaksinim janë vërtet të shqetësuar për vdekshmërinë e lartë që pa Europa në korrikun e 2022, duhet ta ridrejtojnë vëmendjen e tyre tek ndryshimet klimaterike dhe ngrohja globale, në vend që të përpiqen të dizinformojnë me statistika. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img