BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashAutori i masakrës në një shkollë në Rusi nuk ishte ushtar

Autori i masakrës në një shkollë në Rusi nuk ishte ushtar

Një lajm i publikuar nga portalet, ku pretendohet se një ushtar ka kryer masakrën në shkollën në Rusi pasi nuk donte të shkonte në Ukrainë, nuk është i vërtetë. Nga verifikimi i “Faktoje” rezulton se agresori nuk ishte ushtarak dhe mendohet se sulmi kishte lidhje me bindjet e tij neo-naziste.

——————————————————————————————————————————–

Portali Liberale.al ka publikuar një artikull në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rusi, ku një person i armatosur hyri në një shkollë, duke shkaktuar masakër. “Nuk donte të shkonte në Ukrainë, ushtari hyn në një shkollë në Rusi dhe bën masakër”, është ky titulli i artikullit të publikuar nga kjo media online më 26 shtator.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Konflikti Rusi-Ukrainë është një temë mjaft e ndjeshme jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri dhe ndaj “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit. Ajo që vihet re në lajmin e publikuar nga portali “Liberale.al” është fakti që nuk ka një burim reference në artikullin e publikuar. Pra, në tekst nuk ka një link të medias së huaj, ku ata bazohen për këtë informacion që përcjellin tek lexuesit.

Gjatë një kërkimi në Google shihet se lajmi është pasqyruar gjerësisht në mediat më të rëndësishme botërore si BBC, The Guardian, Reuters, ALJAZEERA. Mirëpo, në asnjërën prej këtyre mediave nuk përmendet që autori ishte ushtarak dhe se ‘nuk donte të shkonte në Ukrainë’. Bazuar në artikullin e “Liberale.al”, ky mund të ishte shkaku që e kishte çuar drejt këtij akti të rëndë.

The Guardian shkruan se agresori kishte veshur një bluzë me simbole naziste dhe se ai ishte i regjistruar në një institucion trajtimi ‘psiko-neurologjik’. “Komiteti Hetimor i Rusisë tha se po shqyrtonte lidhjet e dyshuara neo-naziste të autorit. Po bëhen kontrolle për aderimin e tij ndaj pikëpamjeve neo-fashiste dhe ideologjisë naziste”, thekson The Guardian.

Në lidhje me këtë ngjarje, BBC raporton duke cituar zëdhënësin e presidentit Vladimir Putin se ky ishte një ‘sulm terrorist çnjerëzor’.

Reuters dhe ALJAZEERA shkruajnë se autori mbante të veshur një bluzë me simbole naziste dhe besohet se ka lidhje neo-naziste.

Nuk dihet burimi i informacionit që ‘Liberale.al’ ka përdorur për artikullin në fjalë, por të dhëna të tilla për autorin e ngjarjes nuk gjenden në asnjë prej burimeve serioze të informacionit zyrtar apo mediave të rëndësishme ndërkombëtare.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img