Pretendimi: Buka në Slloveni kushton vetëm 20 lekë, ndërsa në Shqipëri 5 herë më shumë

Verdikti: Mungon konteksti

Pretendimet e shpërndara online, se buka në Slloveni kushton 19 cent, nuk janë të sakta. Verifikimet tregojnë se një bukë mesatare atje kushton 1.71 €.

“Pula e fqinjit ngjan gjithnjë më e mirë se e jotja”. Kjo është shprehja që përshkruan më së miri vrullin me të cilin po ndahet në rrjetet sociale së fundmi një foto e një buke të bardhë në Slloveni, e cila pretendohet se kushton vetëm 20 lekë ose 19 centë Euro.

Buka në Slloveni kushton 20 lekë, në Shqipëri 5 herë më shumë! Paga mesatare në Slloveni është 1800 euro, në Shqipëri 500 euro. Pra pagat 3.5 herë më të vogla, çmimet 5 herë më të shtrenjta!”- është teksti që shoqëron foton e një rafti të një dyqani buke. Të njëjtat postime janë ndarë njëkohësisht edhe në disa media dhe profile në Kosovë, duke krahasuar diferencën në çmimin e bukës dhe fajësuar kryeministrin Kurti.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke analizuar foton. Nëse shohim me detaje, në foto dallohet vetëm etiketa me emërtimin “bela struca” pranë një flamuri slloven. Përkthimi në shqip i fjalës “bela struca” do të thotë bukë e bardhë. Mirëpo, nuk dihet nëse etiketa i përket produktit në foto që tregon peshën 1000 gramë, apo një porcioni buke më të vogël, që mund të jetë më lart në këtë raft.

Nga kërkime të mëtejshme në Google vihet re se “struca” nënkupton një copë apo pjesë buke, që në Shqipëri e njohim si panine. Pra, produkti i shfaqur në imazh me peshë 1 kg, jo domosdoshmërisht i përshtatet përshkrimit në etiketë.

Më tej, ne bëmë një tjetër kërkim, për të parë sa kushton një bukë në Slloveni. Nga të dhënat online shihet se një bukë 500 gramë atje kushton mesatarisht 1.71 €. Çmimi për bukën e prodhuar në supermarketin Spar në Slloveni kushton 1.19 € për kilogramë, që duhet t’i afrohet kufirit minimal të disponueshëm.

Pretendimet online se çmimi i bukës me peshë 500 gramë në Slloveni është 0.19 euro, nuk janë të sakta. Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët në Kosovë të “Hibrid Info”.

Ndërkohë, çmimi i bukës masive në furra të Tiranës është 100-120 lekë, në varësi të furrave. Në një verifikim të bërë dy vite më parë, Faktoje konstatoi se pesha e bukëve varionte nga 600 deri në 770 gramë, edhe pse në etikë shkruhej 1000 gramë.

Artikulli paraprakMbreti i Spanjës nuk deklaroi se Izraeli po kryen gjenocid
Artikulli tjetërAsnjë dyshim se gripi është i transmetueshëm
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.