BallinaPertejFirmoset marrëveshja e dytë ‘sekrete’ për vaksinat nga Turqia, por ende nuk dihet kur vijnë

Firmoset marrëveshja e dytë ‘sekrete’ për vaksinat nga Turqia, por ende nuk dihet kur vijnë

Në prill përfundoi mbërritja e 500 mijë vaksinave të para CoronaVac, të kontraktuara nga qeveria shqiptare me një vlerë 10 milionë USD, ndërkohë që ishin porositur edhe 500 mijë të tjera. Faktoje mësoi se qeveria ka lidhur marrëveshjen e dytë me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret A.s”, që fillimisht ishte ndërmjetëse për sjelljen e Coronavac, të prodhuar në Kinë nga Sinovac. Por,sipas Aktit Normativ të ndryshuar në prill, kompania do të jetë furnizuese me vaksinën e prodhuar në Turqi, pasi Kina ndërpreu  prodhimin. Këtë herë, numri i vaksinave dhe çmimi janë sekret, por blerja do përballohet nga fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit.


Në 25 mars të këtij viti, kryeministri Rama njoftoi se kishte siguruar 1 milionë vaksina kineze, një pjesë e të cilave mbërrinte po atë ditë përmes Turqisë, në aeroportin e Rinasit.

Kemi siguruar 1 milionë vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysmë milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë. Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim.”- deklaroi kryeministri.

Me Aktin nr. 174, të datës 24 mars 2021 u vunë në dispozicion të marrëveshjes 10 milionë USD, me të cilat, sipas konfimimit që kryeministri bëri në 25 mars, do të furnizoheshim me 500,000 doza CoronaVac (të njohura si Sinovac, emri i kompanisë prodhuese kineze).

Sipas llogaritjeve që Faktoje bëri bazuar në raportimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se sasia e fundit me vaksinat CoronaVac mbërriti në 19 prill, duke plotësuar sasinë prej 500 dozash të kontraktuar, sipas qeverisë.

192 000 doza Coronavac (mbërritën në 25 mars)

+        1000.000 mijë vaksina Coronavac (mbërritën me në 8 prill)

208.000 vaksina Coronavac (mbërritën në 19 prill)

=        500.000 mijë doza Coronavac gjithsej

Kjo sasi dozash nisi të injektohej në kategoritë përkatëse, ndërkohë që në 28 mars filloi edhe vaksinimi masiv. Në mesin e muajit maj,një pjesë e personave që prisnin të merrnin dozën e dytë të vaksinës Sinovac, mësuan se ajo kishte përfunduar.

Kjo u raportua edhe në media.

“Më datë 17 maj duhet të bëja të dytën. Kam katër ditë që shkoj edhe atje edhe këtu nuk ka thonë.”- tregon Gjergj Shyti që ka marrë vetëm dozën e parë të vaksinës CoronaVac.

Qytetari Gjergj Shyti,në pritje për të marrë dozën e dytë të vaksinës Corona-Vac,screenshot i shkëputur nga A2CNN.

Një tjetër qytetar, ndërkohë që priste për përgjigje nga vaksinatorët se kur i vjen radha për dozën e dytë shprehet:

“Na thonë edhe ka edhe nuk ka për sot njëherë. Na thonë kot dhe ne rrimë e presim. Nesër do vijmë prapë.”

Faktoje u interesua pranë disa burimeve për të mësuar nëse ishte nënshkruar kontrata për 500 mijë vaksinat e tjera të premtuara. Më datë 20 maj pyetëm këshilltaren për mediat në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila na konfirmoi:

“Po është miratuar në qeveri prej dy ditësh”.

Nga një kontroll në botimet zyrtare rezulton se me Aktin Normativ nr. 21, datë 19.05.2021, është miratuar teksti i marrëveshjes së dytë midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë turke. Akti është botuar në Fletoren Zyrtare në datë 21 maj. Të dhënat e kontratës mbahen sekret, ndërsa në nenin 2 përcaktohet që efektet financiare për blerjen e vaksinës do të përballohen nga Fondi Rezervë.

Screenshot i Aktit Normativ,numër 21 i botuar me datë 21 maj në fletoren zyrtare

Si rrjedhojë shpërndarja e dozave, sipas marrëveshjes së dytë nuk mund të ketë ndodhur më parë se data 19 maj 2021, datë kur Akti Normativ hyri në fuqi. Për më tepër nuk ka ndonjë deklaratë publike apo njoftim për pritje vaksinash në aeroport këto ditë. Edhe nga konfirmimet që bëri Faktoje, dorëzimi dozave, sipas marrëveshjes së dytë ende nuk ka ndodhur.

Faktoje zbuloi që në prill se vaksinat CoronaVac “paketoheshin” në Turqi

Sipas artikullit që Faktoje realizoi më datë 20 prill, vaksina e ashtuquajtur kineze nuk prodhohej më në Kinë, por në Turqi.

Qeveria Shqiptare me aktin normativ nr. 14, datë 7.4.2021 ndyshoi tekstin e marrëveshjes për furnizimin me vaksina. Sipas relacionit shoqërues, arsyeja e këtij ndryshimi është se Kina ka njoftuar që Sinovak Life Science CO Ltd ka ndërprerë furnizimin e kompanisë turke me vaksinën CoronaVac Covid-19 (Vero Cell) si një produkt i përfunduar në Kinë.

Në këto kushte kompania turke propozoi të sjellë në Shqipëri vaksinën që përdoret në Turqi, CoronaVac 600SU/IM – Suspension për të cilën kjo kompani mban edhe autorizimin emergjent për tregtim. Sipas relacionit kjo vaksinë përmban të njëjtën substancë aktive (formulë), e cila prodhohet nga Sinovac Life Science Co ltd. Paketimi i vaksinës së propozuar kryhet në Turqi dhe jo më në Kinë, por sipas relacionit është e njëjtë me CoronaVac Covid-19 (Vero Cell) që prodhohet si produkt i përfunduar në Kinë.

Kjo lloj vaksine ende nuk është miratuar nga organizmat ndërkombëtare EMA dhe FDA, një kusht sipas aktit normativ fillestar, për lejimin e vaksinave në Shqipëri, siç janë Pfizer apo Astra Zeneca. Mungesa e këtij kriteri për vaksinën Sinovac bëri që qeveria ta ndryshonte aktin normativ 3 herë, përkatësisht në , datw 10.1.2021, në 24.03. 2021 dhe në 07.04.2021.

Mungesa e transparencës dhe personat që mbeten në pritje të dozës së dytë të vaksinëës ‘kineze

Nuk ka shifra zyrtare se sa është numri i personave që kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës kineze Sinovac dhe sa i kanë marrë të dyja dozat. Më herët Faktoje ka shkruar për mungesën e transparencës në lidhje më llojin e vaksinave të injektuara në Shqipëri, duke bërë krahasimin me mënyrën e raportimit në vendet fqinje.

Në mungesë të tyre në faqet zyrtarë ne ia kërkuam këto të dhëna edhe përmes kërkesës për informacion, për të cilën presim përgjigje.

Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

I pyetur nga Faktoje, edhe eksperti Ilir Alimehmeti e konsideron problematike këtë situatë:

“Kohët e fundit nuk kemi dalje nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, as nga Komitetit Teknik i Ekspertëve në lidhje me situatën. Transparenca është dhe duhet të jetë patjetër e nevojshme në çdo program të shëndetit publik, përfshirë programet e vaksinimit.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img