BallinaAktualitetSezon i vonuar turistik në Velipojë dhe sprova në vitin e dytë pandemik

Sezon i vonuar turistik në Velipojë dhe sprova në vitin e dytë pandemik

EMI KALAJA

Në javën e fundit të muajit maj, sezoni turistik ende nuk ka nisur, as në Velipojë, ndërsa operatorët turistikë ankohen se paguajnë taksa nga data 1 maj deri më 15 nëntor. Një deklaratë e kryeministrit për nisje të aksioneve kundër ndërtimeve pa leje, kur duhej të kishte nisur sezoni ka shkaktuar pakënaqësi edhe tek zyrtarët vendorë, që konfirmojnë përgatitjen e sezonit ende nën masat shtrenguese të pandemisë. Çmimet e larta të shërbimeve për shkak të taksave dhe pastrimi i inerteve nga territori, mbeten vetëm disa nga sfidat e Velipojës turistike që çdo vit pret rreth 200 mijë pushues.

“Do ta nisim aksionin nga Velipoja deri në Ksamil”- deklaroi kryeministri Rama duke paralajmëruar ndërhyrje nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit përgjatë vijës bregdetare, më 14 maj, kur praktikisht pretendohej të kishte nisur zyrtarisht sezoni turistik.

Ne u interesuam pranë inspektoriatit vendor, por deri më 24 maj nuk kishte ndonjë plan për shembje përgjatë bregdetit të Velipojës.

Gent Ibro, Drejtor i Inspektoriatit për Mbrojtjen e Territorit në Bashkinë Shkodër e konsideron të pakuptimtë nisjen e aksionit nga Velipoja, sepse sipas tij në fashën ranore nuk ka ndërtime me struktura të qëndrueshme apo ndërtesa shumëkateshe.

Ai shprehet se të paktën 15 subjekte janë proceduar për ndërtime pa leje në zonën e Velipojës, por këto nuk bëjnë pjesë në zonën e rërës.

Por si paraqitet situata reale në prag të sezonit turistik në Velipojë, plazhin më të madh në veri të vendit?

Lekë Marku, operator turistik prej 20 vitesh në këtë zonë, thotë se zgjedhjet elektorale vonuan nisjen e sezonit turistik.

“Ne si operatorë turistikë e kemi pritur që më 1 maj çeljen e sezonit. Nuk e shohim një nisje pozitive këtë të sivjetshmen. Shpresojmë që pas zgjedhjeve, edhe shteti të kthejë sytë nga turizmi. Gjatë fushatës u vërejtën shumë premtime dhe mbeten të shihen a do përmbushen.

Të prekurit nga pandemia duken në shifra minimale, por edhe kemi fituar eksperiencë nga viti i kaluar. Velipoja vit pas viti ka qenë në rënie dhe ne si operatorë turistik e kemi vërejtur një gjë të tillë. Por kjo situatë nuk ka ndodhur për fajin tonë, ne kemi bërë çdo gjë që ka qenë në dorën tonë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit.”- thotë Marku.

Lekë Marku, operator turistik

“Jemi në javën e fundit të muajit majit, por ende nuk ka stacione plazhi, pasi vetëm para pak ditësh u hapën aplikimet nga Agjensia e Bregdetit. Tashmë kërkesat janë në shqyrtim. Burokracirat janë humbje financiare, sepse ne taksa paguajmë nga 1 maji deri më 15 nëntor. D.m.th. muaji maj paguhet pa u shfrytëzuar e po ashtu nga 15 shtatori deri më 15 nëntor, askush nuk bën plazh në Velipojë. Me pak fjalë punojmë 3 muaj dhe paguajmë për 6 muaj. Kjo ka kosto për ne, por edhe për pushuesit, sepse detyrohemi të rrisim çmimet e shërbimeve.” – ankohet Lekë Marku.

Ndërkohë drejtori i Turizmit në Bashkinë Shkodër, Gentian Mema ka njoftuar se çelja e sezonit turistik do bëhet me një fushatë publicitare online, për shkak të masave ende në fuqi për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

“Turizmi nga 1 maji, kur ne e dimë se akoma nuk ka nisur, deri më 15 nëntor është shtyrë artificialisht dhe ka kosto për biznesin dhe pushuesit”- pranoi drejtori Mema.

Megjithatë, sipas tij, shërbimet publike janë shtuar në zonën turistike të Velipojës, kompanitë e pastrimit po shtojnë frekuencën e shërbimit, ndërsa raporton edhe për investime në gjelbërim, ndriçimin publik etj.

Gentian Mema, drejtor i Turizmit në Bashkinë Shkodër

Fadromë në plazhin e Velipojës

Por për ambientalistët, Velipoja ka nevojë për vëmendje të shtuar jo vetëm në pastrimin e mbeturinve, por mbi të gjitha për problematikën që po haset në lagunën e Vilunit me hedhjen e mbetjeve inerte. Mirsad Basha, drejtues i organizatës “Eko mendje”, pas një aksioni pastrimi, tha për Faktoje se duhet me urgjencë që mbetjet inerte të hiqen nga zona e mbrojtur e Lagunës.

Mbetje inerte në lagunën e Vilunit

Mbetje inerte në lagunën e Vilunit

Velipoja mbetet një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Shqipëri. Ajo është e njohur për detin e pastër dhe rërën kurative, lagunën me specie të shumëllojshme, pyjet me bimësi të dendur, malin me pamje madhështore dhe lumin Buna.

Raportohet se rreth 200,000 vizitorë frekuentojnë Velipojën gjatë sezonit veror, kryesisht nga Shkodra dhe shqiptarë të Kosovës. Sërish, këtë vit mbetet sfidë sistemimi i plazheve, pastërtia dhe siguria.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img