BallinaUncategorizedFaktoje në ditën e të drejtës për informim, nga 510 kërkesa, as gjysma nuk kanë përgjigje

Faktoje në ditën e të drejtës për informim, nga 510 kërkesa, as gjysma nuk kanë përgjigje

Duke njohur rëndësinë e qasjes në informacion, Asambleja e 74-të e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli në vitin 2019 – 28 Shtatorin si Ditën Ndërkombëtare për Qasjen Universale në Informacion. 

Faktoje, si organizatë mediatike që merret me verifikimin e premtimeve dhe deklaratave të zyrarëve publikë, e ka pjesë të pandarë të procesit të punës kërkesën për informacion. Përmes saj, ne synojmë të sigurojmë të dhëna të konfirmuara zyrtarisht dhe t’i përfshijmë në artikujt ‘fact-checkin’. 

Ligji për të Drejtën e Informimit, i miratuar që në vitin 2014 i jep të drejtën qytetarëve t’i kërkojnë autoriteteve publike vënien në dispozicion të informacioneve apo dokumenteve që konsiderohen publike. Kjo realizohet pas depozitimit të një Kërkese për Informacion tek institucionet përkatëse.

Nga përvoja e saj, qëkur ka nisur punën, Faktoje ka konstatuar se ligji nuk respektohet nga institucionet publike, edhe pse shkelja e tij parashikon sanksione. Ne bëmë një llogaritje të numrit të kërkesave për informacion dërguar këtyre institucioneve që prej fillimit të vitit 2020. 

Nga janari i vitit 2020 deri në shtator, gazetarët e Faktoje u kanë dërguar rreth 510 kërkesa për informacion institucioneve shtetërore, por kanë marrë përgjigje për 218 kërkesa, ose për më pak se gjysmën e tyre, një tregues që ilustron nivelin e transparencës ndaj publikut.

Nga të dhënat që Faktoje përpunoi për këto kërkesa, rezulton se institucionet e nivelit qendror (ministritë) zënë pjesën kryesore të kërkesave për informacion me 290 kërkesa të dërguara. Pjesa më e madhe e  tyre janë dërguar tek ministria e Shëndetësisë, ajo e Rindërtimit dhe Minsitria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, për shkak të situatave të krijuara nga tërmetet e 20 shtatorit dhe 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë që pasoi në muajin mars të këtij viti.

Bashkitë, renditen në vendin e dytë me 124 kërkesa për informacion, ndërsa 96 kërkesat e tjera janë dërguar nëpër instucione të tjera ku përfshihen edhe ato ndërkombëtare. 

Procesi i hapur i Faktoje në Gjykatë

Në 8 korrik të vitit 2019 Faktoje ndërmori një nismë për të zbardhur sesi shpenzohen paratë nga titullarët e institucioneve qendrore, sa i përket udhëtimeve jashtë vendit. Për këtë qëllim ne dërguam kërkesa për informacion tek të gjitha ministritë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenca nga të cilët kërkoheshin dokumentat shoqëruese (faturat) që vërtetonin këto shpenzime. 

12 institucione nuk dhanë informacion, ose e dërguan atë të paplotë. Faktoje pasi konsumoi procedurën e ankimimit me Komisionerin, vendosi të ndërmerrte paditjen në gjykatë të institucioneve që refuzuan të përgjigjen. 

Aktualisht Faktoje është në proces gjyqësor me 11 institucione që refuzuan të  japin informacionin thelbësor se sa kanë qenë shpenzimet e titullarëve dhe dokumentacionin mbështetës të tyre, sa i takon shpenzimeve për udhëtimet e zyrtarëve jashtë vendit. Faktoje ka vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj beteje ligjore, pasi e konsideron të dobishme për transparencën ndaj publikut, gjë që promovohet edhe nga faqet zyrtare të institucioneve publike, por jo gjithmonë respektohet.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img