Rinisja e transporti publik u shty për javën e ardhshme me argumentin se janë shtuar shumë të infektuarit nga Covid-19. Por shoqëritë e transportit, të cilat e kishin njoftuar edhe më herët se qeveria se nuk do fillonin aktivitetin në 15 qershor, këmbëngulin se nuk ia dalin dot pa u plotësuar paraprakisht disa kushte. Mungesa e një zgjidhjeje për këto kërkesa mund shkaktojë sërish pengesa për nisjen e transportit publik, mungesa e të cilit është kthyer në makth për dhjetëra mijëra qytetarë që e kanë të domosdoshëm këtë shërbim.
—————————————————————————————————————————————–
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë më 7 qershor lajmëroi hapjen e Transportit Publik të hënën e 15 qershorit.
Edhe pse shoqata e transporteve e hodhi poshtë mundësinë për nisjen e aktivitetit, pasditen e së premtes kryeministri Rama njoftoi shtyrjen me një javë të aktivitetit, duke përdorur si arsyetim rritjen e numrit të të infektuarve nga Covid-19.
Çfarë do të ndodhë me transportin publik?
Hapja e transportit publik po përballet me një sërë barrierash ekzistuese që para shfaqjes së pandemisë së koronavirusit. Kjo situatë është bërë e qartë edhe nga operatorët të cilët e shohin të pamundur nisjen e aktivitetit në këto kushte.
Për të mësuar më shumë mbi rifillimin e transportit publik, ne komunikuam me Bledi Gonxhen , kreun e Drejtorisë së Përgjithshme Shërbimeve të Transportit Rrugor(DPSHTRR). Gonxhe tha për “Faktoje” se është në dorën e shoqërive të transportit nëse vendosin ta rihapin aktivitetin ose jo, pas dhënies së ‘OK’ nga organet shtetërore.
“Ne nuk i urdhërojmë dot të rihapin aktivitetin. Ka një protokoll nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili vlerëson riskun, pastaj është në dorën e tyre se çfarë vendimi marrin.”- tha Bledi Gonxhe për “Faktoje”.
Kreu i DSHPTRR, thekson se operatorët e transportit publik kanë një kontratë me pushtetin vendor apo qëndror për të zbatuar dhe nëse ata nuk rikthehen sipas njoftimit zyrtar, në bazë të marrëveshjes që kanë nënshkruar, do të ndërmerren sanksione deri në heqje license.
Nga ana tjetër Unioni i Shoqatave të Transportit Publik nuk tërhiqet nga 4 kushtet e vendosura shtetit për rinisjen e aktivitetit. Unioni kërkon subvencionim të të ardhurave të munguara gjatë periudhës së pandemisë, rimbursim në burim për kategoritë që përfitojnë transport publik falas, heqjen e akcizës së karburantit dhe zbritja e TVSH në shitje. Sipas kreut të DPSHTRR, Gonxhe është bërë depozitimi i ankesave në instancat përkatëse, ndërsa dy kërkesat e fundit nuk mund të plotësohen, të paktën për momentin.
Komunikimi i institucioneve përgjegjëse dhe shoqërive të transportit deri më tani ka qenë në distancë, pasi të dyja palët pranojnë se nuk janë ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar rreth problematikave.
Sipas protokollit të Institutit Të Shëndetit Publik, i cili pritet të gjejë zbatim më 22 qershor, disa nga rregullat që duhet të ndiqen për rifillimin e udhëtimeve me autobus janë: distanca e udhëtarëve me të paktën 1 metër, udhëtarët dhe drejtuesi i mjetit duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza, mjetet duhet të dezinfektohen çdo ditë nën monitorimin e Bashkisë, ajrim natyral i mjeteve, hipja dhe zbritja e udhëtarëve duhet të bëhet nga dyer të ndryshme dhe duhet mjetet duhet të pajisen me shenja sinjalizuese për qëndrimin e udhëtarëve.
Transporti publik vlerësohet si një ndër aktivitetet me rrezikun më të lartë për përhapjen e koronavirusit, ndaj ky shërbim ishte i pari që u pezullua dhe ndër të fundit që do të hapet. Edhe data 22 qershor e parashikuar për nisjen e e tij mbetet në pikëpyetje. Nga njëra anë rastet e të infektuarve me Covid-19 po rriten me shpejtësi, nga ana tjetër shoqëritë e transportit dhe institucionet shtetërore nuk bien dakord as në parim për mënyrën sesi do të funksionojë rikthimi i aktivitetit në kushtet e reja të krijuara nga pandemia. Ndërkohë dhjetëra mijëra qytetarë që e kanë jetik këtë shërbim, do vazhdojnë të përballen me shpenzime dhe vështirësi që krijohen nga mungesa e austobusëve.