BallinaPertejDurrës/ Mbi 1 vit e gjysmë pas tërmetit, monumentet e kulturës ende në pritje të restaurimit

Durrës/ Mbi 1 vit e gjysmë pas tërmetit, monumentet e kulturës ende në pritje të restaurimit

ILDA KURTI

Qyteti i Durrësit, epiqendra e tërmetit të 26 nëntorit 2019, pati 8 monumente kulture të dëmtuara dhe 4 prej tyre të klasifikuara si “objekte me risk të lartë”. Pas përgjigjes emergjente, prej institucioneve të kulturës në vend pritej dhe fillimi i procesit të restaurimit.

Në mars 2021, ministrja Margariti gjatë një inspektimi me kryeministrin Rama në Durrës, deklaroi se brenda javës do të nisnin punimet restauratore. Por mbi 1 vit e tetë muaj pas tërmetit, vetëm në Kullën C në Kalanë e Durrësit ka nisur procesi i restaurimit, ndërsa 7 objekte të tjera janë ende në pritje. Sipas Ministrisë së Kulturës, objektet e tjera pasuri kulturore janë në proces të finalizimit të procedurave për nisjes e restaurimit dhe lidhur me buxhetin e planifikuar, nuk jep një vlerë se sa do të kushtojë.

Për trashëgiminë kulturore të dëmtuar nga tërmeti Ambasada Amerikane ka akorduar Fondin e Ambasadorëve, një grant prej 800.000 dollarësh, për 4 monumente në Durrës, Krujë dhe në Prezë. Bashkimi Evropian, nëpërmjet programit të EU4Culture do të investojë 40 milionë euro, për restaurimin dhe rijetëzimin e monumente të kulturës të dëmtuara nga tërmeti.

Faktoje verifikoi në terren 8 objektet historike në Durrës, ku rezultoi se vetëm tek Kulla C po restaurohet dhe të tjerët presin ende veprimin e institucioneve të kulturës për shërbimet restauruese dhe mirëmbajtëse.


Tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, ishte njëherazi shkatërrimtar edhe për monumentet e kulturës. Durrësi, epiqendra e tërmetit, pati 8 monumente kulture të dëmtuara, disa prej tyre të klasifikuara si “objekte me risk të lartë”, një pjesë e mirë e objekteve ishin të cilësuara si *Monumente të Kategorisë së Parë. Pas përgjigjes emergjente, prej institucioneve të kulturës në vend pritej dhe fillimi i procesit të restaurimit.

Në datën 26 mars 2021, kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës inspektuan zonën historike të Durrësit. Gjatë inspektimit në terren, teksa ecnin pranë objektit ‘Kulla C’, muri rrethues i Kalasë së Durrësit i cili është dëmtuar më së shumti, ndër të tjera Margariti deklaroi:

“Kemi ecur me të gjithë, jo vetëm me projektin e emergjencës, po tashmë jemi në fazën e plotë të pajantimit të gjithë godinës dhe javën tjetër fillojmë me pjesën e restaurimit. Të gjithë pjesët e shembura janë sistemuar, kataloguar, inventarizuar dhe do të rivendosen në pozicionet e tyre dhe do të ketë përforcime të mëtejshme.”

Faktoje iu drejtua me një Kërkesë për Informacion Ministrisë së Kulturës, ku kërkuam të dimë se cilat prej objekteve historike në Durrës ishin dëmtuar dhe se ç’lloj dëmtimesh kishin pësuar ato.
Gjithashtu, Faktoje pyeti se kur do të nisë restaurimi dhe sa ishte vlera e planifikuar në buxhet për këtë ndërhyrje.

Kërkesë për Informacion drejtuar Ministrisë së Kulturës. Datë: 25.05.2021

Sipas përgjigjes zyrtare kishim të bënim me tri lloje tipesh dëmtimesh në këto monumente: dëmtime në strukturë, shkëputje fragmentesh të strukturës dhe dëmtime në elementë jo-konstruktivë.

Përgjigjia e Ministrisë së Kulturës. Datë 03.06.2021

Përsa i përket objekteve të dëmtuara në Durrës listohen:

  • Banesa ku lindi dhe kaloi disa vite të fëmijërisë Aleksandër Moisiu;
  • Kalaja e Durrësit – Kulla ‘C’ dhe muret e fortifikimit;
  • Amfiteatri i Durrësit;
  • Kalaja e Ishmit dhe banesa pranë mureve të kalasë;
  • Muret e portës në Porto Romano;
  • Hamami në oborrin e shkollës ‘16 Shtatori’;
  • Kalaja e Currilave në Muzhlin e Skënderbeut në Kepin e Rodonit;
  • Rrënojat e Kishës së ‘Shën Ndojit’ në Muzhlin e Skënderbeut në Kepin e Rodonit.”

Por, Ministria e Kulturës nuk jep asnjë informacion në lidhje koston e planifikuar duke u shprehur se: “Përfundimi i zbatimit të projekteve të restaurimit në këto objekte do të përcaktojë vlerën totale të ndërhyrjeve.”

Pavarësisht se nuk morëm një përgjigje konkrete në lidhje me vlerën, Faktoje rishikoi dokumentin origjinal të publikuar nga Ministria e Kulturës “Raport mbi dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 në objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore” (i aksesueshëm në linkun e publikuar nga Porta Vendore) thuhet se Ministria e Kulturës i ka drejtuar një kërkesë për mbështetje financiare Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtim, ku për 8 objektet e listuara në Durrës kërkohet një total prej 61,900,000 lekësh.

Foto ilustruese e Kërkesës për Mbështetje Financiare. Marrë nga Porta Vendore.

Ambasada Amerikane ka akorduar një grant prej 800.000 dollarësh nëpërmjet Fondit të Ambasadorëve, për restaurimin e 4 monumenteve më të dëmtuara në Durrës, Krujë dhe në Prezë. Bashkimi Evropian nëpërmjet programit të EU4CULTURE do të investojë 40 milionë euro, për restaurimin dhe rijetëzimin e mumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti.

Rreth 1 vit e 8 muaj pas tërmetit, Faktoje vendosi të shkojë në terren për të verifikuar gjendjen e këtyre 8 objekteve historike në Durrës.

 

Kalaja e Durrësit – Kulla ‘C’ – e vetmja në proces restaurimi

 

Foto ilustruese e Kullës C. Foto: 02.07.2021

Një nga monumentet më të dëmtuara të trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit është ‘Kulla C’ e Kalasë së Durrësit, e cila mban statusin si Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Një pjesë e kullës është shembur dhe po ashtu, dëmtime janë raportuar edhe në disa prej mureve rrethuese të saj. Objekti ka marrë përgjigje emergjente nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Foto 25.02.2021 © Inva Hasanaliaj

Faktoje ka monitoruar edhe më herët procesin e punimeve në këtë objekt.

Foto 25.02.2021 © Inva Hasanaliaj

Sipas tabelës informuese, faza e parë e projektit rehabilitues të Kullës C ka kushtuar 2.001.400 lekë.

Foto 25.02.2021 © Inva Hasanaliaj

Më 2 korrik 2021, Faktoje verifikoi sërisht tabelën e vendosur në kantierin e punimeve pranë Kullës C, në të cilën thuhet se është kaluar në fazën tjetër. Aty shkruhet se projekti është financuar nga The U.S. Ambassadors Fund for Cultural Preservation, është hartuar nga ‘Cultural Heritage Without Borders Albania’ [Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri], dhe se punimet po mbikëqyren nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, e po implementohen nga AD-Star sh.p.k.

Foto ilustruese e tabelës identifikuese të punimeve pranë ‘Kullës C’. Datë 02.07.2021.

Në tabelën identifikuese të punimeve mungonin të dhënat në lidhje me afatet. Tabela shkruante “Kohëzgjatja e punimeve: 11 muaj” – po nuk bëhet me dije as se kur kanë nisur dhe as momenti kur supozohet të përfundojnë punimet.

Lidhur me ngadalësinë e procesit, ministrja Margariti u shfajësua disi duke thënë se shkak ishin bërë zbulimet e hapësirave të reja nën kullë.

“Punimet janë zhvendosur paksa në kohë pasi ka patur gjetje në pjesën e poshtme, hapësira të cilat nuk e dinim se ekzistonin hapësira boshe në pjesën nën kullë dhe është bërë gjithë pastrimi edhe nga vegjetacioni. Është hera e parë po themi, që kemi pajantime të tilla me konstruksione metalike edhe këtu në Durrës. Është bërë një dokumentim i plotë edhe me të gjithë të rejat që kemi patur nga struktura.” – tha Margariti.

Përgjatë këtij verifikimi, Faktoje vuri re se kantieri ishte i rrethuar me struktura metalike dhe me beze, çka e bënte të pamundur kalimin.

 

Prezenca e mjeteve të punës në kantierin e rrethuar bënin që të kuptoje se punimet në Kullën C kishin nisur. Intervistat me banorët përqark na siguruan se aty po punohej.

Përveç Kullës C, Faktoje verifikoi më tej situatën në muret e tjera rrethuese për dëmtime të mundshme. Vumë re se disa prej tyre kishin pësuar krisje.

Nëpër muret rrethuese që gjenden buzë territorit të amfiteatrit viheshin re disa krisje.

Muzeu Etnografik i Durrësit – i mbyllur pa gjurmë punimesh  

Banesa në foto është shtëpia muze në të cilën ka banuar për disa vite Aleksandër Moisiu përgjatë fëmijërisë së tij. Për shkak të tipologjisë së ndërtimit si një shtëpi karakteristike qytetare durrsake me çardak, në vitin ’82 është hapur si muze etnografik.

Qysh pas tërmetit, Muzeu Etnografik qëndron i mbyllur pasi paraqet rrezik të lartë për vizitorët. Banorët rreth zonës na treguan se stuktura e shtëpisë kishte patur dëmtime. Përgjatë verifikimit në terren, pos përgjigjes evakuuese momentale, në godinën e kyçur të Muzeut Etnografik nuk kishte gjurmë punimesh.

Fotoja e mësipërme paraqet një nga krisjet në kullën e majtë të shtëpisë.

M., banor në zonën muzeale të qytetit tha për Faktoje: “Muzeu është dëmtuar shumë, – teksa drejton gishtin për nga kulla në të majtë. -Ne na kanë thënë se ka rrezik të shembet dhe trarët brenda mund të shkëputen. Direkt e mbyllën për qytetarët muzeun dhe avash-avash erdhën edhe hoqën edhe objektet brenda nga frika.”

Sipas vlerës së adresuar në raportin e MK, totali i dëmtimeve të këtij monumenti është përllogaritur në vleftën 8.500.000 lekë, nga ku janë përllogaritur 599.000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim.

Amfiteatri i Durrësit – ende në pritje të restaurimit

Foto ilustruese e Amfiteatrit të Durrësit. Foto: 02.07.2021

Amfiteatri i ndërtuar përgjatë periudhës së sundimit të perandorit Trajan është një ndër objektet e kulturës që karakterizon zonën muzeale të qytetit të Durrësit dhe që mban statusin si Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Ende sot në këtë objekt historik nuk ka filluar procesi i restaurimit.

Sipas vlerës së adresuar në raportin e Ministrisë së Kulturës, totali i dëmtimeve të këtij monumenti është përllogaritur në vleftën 5,200,000 lekë, nga ku 364,000 lekë janë përllogaritur për vlerësim, studim dhe projektim.

Sipas burimeve të Faktoje, më shqetësues ishte fakti se dyshohej se struktura gjeologjike mund të kishte ndryshuar si pasojë e goditjeve të tërmetit, duke e rrezikuar kështu amfiteatrin që të fundosej apo të zhytej nën nivelin e tanishëm.

Nga verifikimi në terren që Faktoje bëri, vumë re disa problematika:

Shkëputja e gurëve dhe guralecëve në pjesën hyrëse të amfiteatrit. Foto: 02.07.2021

-Ne hyrje, në të majtë të biletarisë, dalloheshin disa gurë dhe guralecë që ishin shkëputur nga muratura. Burimet tona na bënë me dije se ky dëmtim kishte ardhur si pasojë e tërmetit.

Më shqetësuese dukeshin krisjet që kishte pësuar Kishëza e Shën Agustinit.

Një krisje shquhej përmbi dy harqet e dritareve.

Po ashtu, dy krisje dalloheshin në gjatësi të objektit, në të dy anësoret.

Krisje në murin e jashtëm, që vijon mbi pjesën hyrëse tek biletaria e amfiteatrit.

Kalaja e Ishmit – pa restaurim dhe mirëmbajtje

Kalaja e Ishmit mban statusin si Monument Kulture i Kategorisë së Parë, por restaurimi i saj duket ende shumë larg. Objekti historik, edhe sipas banorëve të zonës, prej vitesh nuk ka kurrfarë mirëmbajtje.

V.T., 52 vjeç, banore e Ishmit, tha për Faktoje se i vetmi shërbim përkujdesës që kryhej atypari ishte për nder të Ibrahim Kodrës, artistit të varrosur në sheshin përballë hyrjes së kalasë.

Objekti mbahej i kyçur dhe nuk patëm mundësi të vijonim verifikimin e imtësishëm brenda tij. Nga vlerësimi i jashtëm që Faktoje bëri, në këtë monument kulture nuk kishte asnjë shenjë të procesit të rikonstruksionit. Gjatë vëzhgimit në terren vërehet së njëra prej kullave të kalasë ishte veçanërisht e dëmtuar, ku nga të dyja anët e saj shquheshin krisje.

Nga vëzhgimi i zonës hyrëse përballë kalasë, kulla dukej se rrezikonte që të binte pasi muri rrethues i kullës kishte krijuar bark.

Sipas vlerës së adresuar në raportin e Ministrisë së Kulturës, totali i dëmtimeve të këtij monumenti është përllogaritur në vleftën 3.600.000 lekë, nga ku janë përllogaritur 252,000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim.

Muret e portës në Porto Romano – më shumë se tërmeti dëmtuar nga “harresa”  

Në Porto Romano pak metra nga muri antik, vijojnë punimet për portin e ri. Objekti historik nuk kishte kurrfarë mirëmbajtje, duke mos ruajtur asgjë nga lavdia e dikurshme. Në disa pjesë të murit dalloheshin disa krisje.

Punimet kishin bërë që objekti të vishej nga pluhuri. Gjendja e keqe e objektit të bënte të kuptoje se aty nuk kishte patur kurrfarë procedure mirëmbajtjeje prej vitesh. Barërat e këqija e kishin mbuluar në çdo cep të tij. Më shumë se prej tërmetit, ky monumenti është dëmtuar nga neglizhenca.

Mjetet e tonazhit të rëndë, të cilat transportonin materiale për ndërtimin e portit të ri të mallrave të Durrësit kalonin aty, pa marrë parasysh dëmtimet që mund të shkaktoheshin në bazamentin mbajtës të objektit.

Sipas vlerës së adresuar në raportin e Ministrisë së Kulturës, totali i dëmtimeve të këtij monumenti është përllogaritur në vleftën 2.000.000 lekë, nga ku janë përllogaritur 252.000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim. Nga verifikimi i Faktoje, aty nuk kishte asnjë gjurmë restaurimi.

Hamami në oborrin e shkollës ‘16 Shtatori’- “i kyçur” dhe pa shenja restaurimi.

Hamami mesjetar i vendosur në zemrën e qytetit, qëndronte i kyçur. Sipas banorëve, kyçi i derës tani së fundmi ishte ndërruar pasi po të shtyje portën, hyje brenda. Në një vështrim të parë, nuk arritëm të dallonim krisje në strukturën e jashtme të objektit.

Binin në sy për nga mungesa e mirëmbajtjes: vegjetacioni dhe muret plot lagështi.

Sipas vlerës së adresuar në raportin e Ministrisë, totali i dëmtimeve të këtij monumenti është përllogaritur në vleftën 6.000.000 lekë, nga ku 420.000 lekë janë përllogaritur për vlerësim, studim dhe projektim. Me sa mund të shikohej nuk kishte asnjë të dhënë për punime restaurimi.

Kisha e ‘Shën Ndojit’ në Kepin e Rodonit – asnjë tabelë identifikuese

Në vazhdën e verifikimeve, Faktoje vizitoi gjithashtu edhe Kishën e Shën Ndojit në Kepin e Rodonit.

Objekti ishte kryesisht i mirëmbajtur dhe priste nisjen nga puna restauratore e fondit EU4CULTURE të BE. Derimë tani, nuk dimë me siguri nëse kishin nisur nga puna pasi nuk kishte asnje tabelë identifikuese të punimeve.

Në pjesën lindore të kishës shquhej një krisje që përshkonte të gjithë lartësinë e murit.

Foto ilustruese e rrënojave në pjesën lindore të kishës. Foto: 04.07.2021

Në brendësi të saj, kisha paraqeste probleme me lagështinë e mureve, e cila rrezikonte jetëgjatësinë e afreskëve idilikë të pikturuar në muret e saj.

                 Foto ilustruese e detajeve të afreskut të Kishës së Shën Ndojit. Datë: 04.07.2021

Kalaja e Currilave në Muzhlin e Skënderbeut në Kepin e Rodonit

Kalaja e Kepit të Rodonit, e njohur edhe si Kalaja e Skënderbeut, është një nga monumentet e listuara si të dëmtuara nga tërmeti. Faktoje përgjatë verifikimit në terren nuk arriti të shquajë krisje në strukturë.

Dëmtimet e bedenave të kalasë kanë qenë të mbartura.

Sipas raportit të Ministrisë së Kulturës, Kalaja e Currilave dhe Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit përllogariten të dyja brenda totalit të dëmtimeve prej 1.800.000 lekësh. Prej aty janë përllogaritur 126.000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim.

Nga inspektimet e kryera nga Faktoje vërtetuam se procesi i restaurimit në qytetin e Durrësit kur tashmë ka kaluar një vit e tetë muaj pas tërmetit, po restaurohet vetëm njëri prej 8 objekteve të listuara në listën e monumenteve të dëmtuara. Dy nga objektet historike ishin evakuuar dhe 6 të tjerët prisnin prezencën e institucioneve për shërbimet restauruese dhe mirëmbajtëse.

Shënim: Faktoje do të vijojë të pasqyrojë me një seri shkrimesh situatën e monumenteve të kulturës pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

*Monument kulture i kategorisë i është ndërtimi me vlera të spikatura dhe me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore, i cili ruhet në tërësinë e përbërësve të tij arkitektonikë dhe teknikë. Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve të jashtme e të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike e funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohen.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img