BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI pavërtetë shërimi i diabetit në vetëm 5 ditë trajtim ushqimor

I pavërtetë shërimi i diabetit në vetëm 5 ditë trajtim ushqimor

Diabeti nuk kurohet me receta 5 ditore, siç sugjerohet në disa artikuj këshillues të shpërndara në Youtube. Studimet e kryera deri më tani tregojnë se nuk ka një kurë për trajtimin e diabetit, por gjendja mund të mbahet nën kontroll nëpërmjet një regjimi të caktuar.

Diabeti është një nga sëmundjet më të përhapura dhe sigurisht që këshillat dhe recetat që ndahen online ngjallin gjithmonë interes tek lexuesit. E tillë është dhe video që nëpërmjet Facebook tërheq përdoruesit e interesuar në një kanal Youtube, duke sugjeruar një kurë që supozohet se largon diabetin për 5 ditë.

Receta që ka lënë mjekët gojëhapur: Për 5 ditë i thoni lamtumirë diabetit”, titullohet video 10 minutëshe.e ndarë fillimisht më 30 gusht 2022  në kanalin “Jetë dhe Stil”.

Screenshot, publikimi në Youtube që promovon kurën

Video nis me shpjegimin se çfarë është diabeti dhe faktin që kjo recetë i ka lënë gojëhapur të gjithë. Fillimisht sugjerohet duke shpjeguar një kurë që sipas tyre rregullon nivelet e sheqerit në gjak. Receta që sugjerohet përbëhet nga spinaqi, karrota, molla dhe selinoja. Kjo masë që përbëhet nga këto produkte këshillohet që të konsumohet esëll në mëngjes.

Më pas jepet edhe receta, që ka në përbërje speca djegës, vezë dhe kripë. “Doktorët e mjekësisë metabolike pohojnë se kanë zbuluar kurën për diabetin dhe do t’u duhen vetëm 5 minuta për ta bërë këtë. Eksperti 82-vjeçar nga Filipine thotë se sheqeri nuk është shkaktari kryesor i diabetit, por mungesa e 6 mineraleve kryesore në trup. Ai ka dizenjuar një recetë të veçantë, e cila furnizon trupin me mineralet e nevojshme për të luftuar diabetin. Përbërësit janë: 12 copë speca djegës, 2 vezë, një lugë gjelle kripë deti”, shpjegohet në videon e publikuar në Youtube.

Më tej jepen edhe recetat e tjera, që do të ndiqen në 5 ditë, duke pretenduar se “zhdukin diabetin”. Mirëpo, a kurohet diabeti?

Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll. Shkencëtarët po ndërmarrin hapa për të ndërtuar një të ardhme ku diabeti nuk do të shkaktojë asnjë dëm.

Terapitë dhe stili i jetesës mund të ndikojë në reduktimin e efekteve të diabetit te njeriu. Aktualisht nuk ekziston një kurë për diabetin, por sëmundja mund të shkojë në remision. Kur diabeti kalon në remision, kjo do të thotë se trupi nuk shfaq asnjë shenjë diabeti, megjithëse sëmundja teknikisht është ende e pranishme.

Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insulin, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img