BallinaAktualitetNumër i lartë hyrjesh në pikën kufitare të Morinit, në mungesë të çdo lloj mase apo kontrolli anticovid

Numër i lartë hyrjesh në pikën kufitare të Morinit, në mungesë të çdo lloj mase apo kontrolli anticovid

EMIRIOLA VELIA

Prej mesit të korrikut, sidomos pas festës së Kurban Bajramit, është rritur ndjeshëm numri i udhëtarëve që hyjnë në Shqipëri përmes pikës kufitare me Kosovën në Morin. Shumica, sipas burimeve kufitare, janë shtetas kosovarë që vijnë të kalojnë pushimet, por ka edhe individë nga vende të Europës. Në Shqipëri, kur është komunikuar zyrtarisht prania e variantit Delta, edhe shifrat e të prekurve po shënojnë sërish rritje, ashtu sikurse në gjithë Europën. Me gjithë këtë rrezik të përhapjes së një vale të re të virusit, në pikën kufitare të Morinit në Kukës nuk ka prani të stafit mjekësor dhe as nuk kërkohet ndonjë vërtetim lidhur me gjendjen shëndetësore të pasagjerëve.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës, hyrje-daljet e udhëtareve kanë vijuar normalisht që prej rihapjes pas izolimit nga kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19, madje kanë shënuar rritje gjatë muajit korrik. Bashkë me numrin e lartë të pushuesve, që pritet t’i japin frymëmarrje sektorit të turizmit, i goditur nga pandemia, rreziku nga përhapja e një vale të re të prekurish është i lartë, aq më tepër kur edhe Ministria jonë e Shëndetësisë raporton për praninë e varantit Delta dhe rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19 javën e fundit.

Radhë automjetesh në doganë

Edhe pse puna vijon normalisht, ajo që na ra në sy gjatë vëzhgimit që bëmë në pikën e kalimit kufitar në Morin, është se udhëtarët që hyjnë dhe dalin nga Kosova dhe  Shqipëria nuk i nënshtrohen as kontrollit mjekësor dhe as raportojnë apo tregojnë ndonjë vërtetim për gjendjen shëndetësore, pasi kjo nuk kërkohet nga autoritetet tona shëndetësore.

Dogana e Morinit në Kukës

Ne biseduam me përfaqësues të policisë kufitare në palën shqiptare të cilët na konfirmuan mospraninë e ndonjë mjeku apo infermieri prej muajsh, për shkak se ato nevojiteshin të përballonin situatën në spital dhe qendra shëndetësore. E njëjta situatë, raportohet edhe në palën kosovare.

Ne kontaktuam me drejtuesin Hasan Halili dhe ish-drejtuesin Fadil Morina, të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kukës (që ka shërbyer deri në nëntor të vitit të kaluar), të cilët konfirmojnë mungesën e bluzave të bardha që prej më shumë se një viti në këtë pikë kufitare. Dogana e Morinit në Kukës bashkë me dy pikat e tjera kufitare në Tropojë dhe Has (edhe këto pa staf mjekësor), nuk imponojnë karantinë për udhëtarët që hyjnë në territorin tonë. Edhe mosparaqitja e ndonjë vërtetimi apo testi që identifikon prekjen nga Covid, është një tjetër element që i lë shteg mungesës së kontrollit mbi përhapjen e këtij virusi apo varianteve të tij, nëpërmjet personave që vijnë jo vetëm nga Kosova, por edhe shtete të tjera të Europës.

“Prej kohësh nuk na kontrollojnë temperaturën”- pohon një prej udhëtarëve.

“Në çdo pikë kufitare që kam kaluar, pasi unë vij nga Gjermania, më kanë kërkuar testin PCR, për të verifikuar nëse jam apo jo i infektuar. Këtu po shoh që nuk kërkohet ndonjë test, apo të bëhet ndonjë kontroll i mundshëm”- u shpreh një tjetër udhëtar me të cilin biseduam në doganën e Morinit në Kukës.

Prej mesit të korrikut numri i personave që hyjnë në një ditë, i kalon të 20 mijët, kryesisht qytetarë nga Kosova që vijnë për të kaluar pushimet në bregdetin e Shqipërisë. Vetëm gjatë kësaj fundjave nga e dita e premte deri të dielën numri i pasgjerëve që kanë kaluar në pikën kufitare të Morinit është mbi 60 mijë persona.

Krahasuar me një vit më parë, sipas punonjësve të policisë kufitare në Kosovë e Shqipëri, hyrjet dhe daljet në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë rritur me rreth 80%.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img