BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDokumenti i Kryqit të Kuq nuk provon se holokausti ndaj hebrenjve ishte i rremë

Dokumenti i Kryqit të Kuq nuk provon se holokausti ndaj hebrenjve ishte i rremë

Kryqi i Kuq nuk ka vërtetuar se nuk ka pasur viktima në Aushvic. Ndryshe nga çfarë pretendohet në rrjetet sociale, organizata humanitare ndërkombëtare e ka cilësuar kampin si dështimin e tyre më të madh, pasi nuk arritën që të ndalnin vrasjet masive të hebrenjve nga nazistët.

Mohimi i Holokaustit ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një teori e hershme që ka promotorë dhe ndjekës të saj, pavarësisht se të paktë në numër. Pas konfliktit të fundit mes Izraelit dhe Hamas në Gaza, kjo teori është rikthyer edhe njëherë për të ngjyrosur më shumë akuzat ndaj Izraelit.

Një dokument i vitit 1944 i Kryqit të Kuq, po ndahet në rrjetet sociale në vendin tonë, duke u sjellë si një dëshmi se nuk ka patur ekzekutimeve masive të hebrenjve në kampin e përqendrimit në Aushvic. Madje aludohet se nuk janë 6 milionë hebrenj të vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

6 milion imagjinarë. Në nëntor 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kryqi i Kuq publikoi raportin në foto, në të cilin ai shprehet: ‘Nuk ka asnjë dëshmi të ekzekutimeve masive në kampin e përqendrimit të Aushvicit’ një mashtrim i pluhurosur më pas i pluhurosur për të mbuluar çdo krim Zionist”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim mbi këtë raport të kohës së Kryqit të Kuq, që mesa duket rezulton të jetë i vërtetë si dokument. Duke u ndalur shkurtimisht te përmbajtja e tekstit të raportit, duhet të shpjegojmë kontekstin për të cilin flitet në këtë dokument.  Sipas një interviste të tij dhe dëshmive të bëra publike nga të mbijetuarit e kampit, Maurice Rossel, një delegat i Kryqit të Kuq, e vizitoi kampin Aushvicin më 29 shtator 1944. Kjo intervistë ka shërbyer edhe si frymëzim për një film të titulluar “Një i gjallë që kalon”.

Në intervistë, Rossel pretendon se ai dhe delegatë të tjerë kishin marrë një mision jozyrtar dhe “krejtësisht të paligjshëm” nga Kryqi i Kuq për të shkuar në kampin e përqendrimit të Aushvic. Ai nuk kishte të drejtë të kontrollonte kampin, por zhvilloi vetëm një bisedë me komandantin e tij për rreth 30-45 minuta. Rosselit iu mohua një vizitë në infermieri dhe ai pranoi se nuk kishte parë asgjë në kamp, përveç kazermave prej druri dhe rreshtave prej 400-500 “skeletesh të gjalla” që e shikonin atë me “sy të fortë”. As ai nuk nuhati asgjë.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të Kryqit të Kuq gjetëm një informacion ku flet mbi rolin e tyre në Luftën e Dytë Botërore dhe masakrën që u bë ndaj hebrenjve.

“Nën regjimin e Hitlerit, hebrenjtë u privuan nga të gjitha të drejtat e tyre dhe u shpronësuan. Ata u grumbulluan në geto të mbipopulluara, u detyruan të mbanin një yll të verdhë dhe iu nënshtruan formave të panumërta të poshtërimit dhe brutalitetit, dëbimeve dhe masakrave.

Gjatë luftës, numri i arrestimeve u rrit dhe hebrenjtë u dërguan në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, të shkëputur tërësisht nga bota e jashtme”, thuhet në shkrim.

Në një tjetër shkrim të Kryqit të Kuq theksohet: “Kampi i shfarosjes në Aushvic-Birkenau mbetet një simbol i fuqishëm i krimit më të tmerrshëm të kryer në historinë e njerëzimit. Ajo që ndodhi në Aushvic nuk duhet harruar kurrë. Përkujtimi i kësaj jave na lejon të bëjmë homazhe për të gjitha viktimat e Holokaustit dhe të shprehim admirim dhe solidaritet me ata që i mbijetuan tmerreve të tij.

Aushvici përfaqëson gjithashtu dështimin më të madh në historinë e Kryqit të Kuq, i rënduar nga mungesa në marrjen e hapave për të ndihmuar viktimat e persekutimit nazist. Ky dështim do të mbetet pjesë e kujtesës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ashtu si veprimet e guximshme të delegatëve tanë individualë në atë kohë”.

Edhe nëse do të bëjmë kërkime në faqe të besueshme raportohet masvisht se 6 milionë hebrenj u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania Naziste.

Në prill të këtij viit, “Associated Press” raportoi mbi ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Izrael për 6 milionë viktimave hebreje të Holokaustit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img