BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëAsfaltimi i rrugës në Brestin e Sipërm nuk u krye, siç premtoi kryebashkiaku i Dibrës

Asfaltimi i rrugës në Brestin e Sipërm nuk u krye, siç premtoi kryebashkiaku i Dibrës

Nëse ka një premtim që banorët e fshatit Brest i Sipërm në Dibër e kanë dëgjuar të përsëritet çdo fushatë, është asfaltimi i një kilometri rruge, por që ende nuk është bërë realitet. Kështu garantoi edhe kandidati fitues si kryebashkiak i Dibrës, Rahim Spahiu para 14 majit, duke e konsideruar punë të kryer. Faktoje verifikoi se edhe këtë vit rruga mbetet plot gropa, një makth për 65 familjet e fshatit, sidomos gjatë dimrit.

Më 27 prill të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu gjatë takimit me banorë në fshatin Brest i Sipërm u zotua se së shpejti do të asfaltohej rruga e këtij fshati.

“Asfaltimi i rrugës së Brestit të Sipërm, së shpejti do të jetë punë e kryer!”-premtoi Spahiu.

Postimi i kryebashkiakut në Facebook

Faktoje vendosi të verifikojë përmbushjen e këtij premtimi dhe fillimisht iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Ndër të tjera, ne e pyetëm këtë institucion se në çfarë faze ishin punimet për asfaltimin e rrugës së Brestit të Sipërm.

Zyrtarisht Bashkia e Dibrës sqaroi se nuk ka nisur puna për ndërtimin e saj, sepse projekti është në fazë tenderimi, ndaj dhe mungon një datë e saktë për fillimin e ndërhyrjes, që konsiderohet urgjente.

“Është në proces tenderimi. Vlera e investimit është 20.000.000 lekë me TVSH. Afati i punimeve është 2 muaj pas fillimit te punimeve. Rruga u shërben 365 banorëve”-njofton Bashkia e Dibrës për Faktoje.

Ne udhëtuam drejt Dibrës më 4 dhjetor, për të parë nga afër gjendjen e rrugës në fshatit Brest i Sipërm. Nga verifikimi në terren konstatuam se rruga ishte e shkatërruar dhe nuk kishte ndonjë shenjë se ato mund të nisnin, këtë vit.

Rruga Brest i Sipërm, Dibër, 4 dhjetor 2023

Gjatë verifikimit takuam Perviz Danin, banor i fshatit Brest i Sipërm i cili tregon se asfaltimi i kësaj rrugë është premtuar disa herë. Madje banorët janë dëshmitarë se në këtë aks u vendos njëherë tabela që njoftonte nisjen e asfaltimit, por u hoq sërish dhe punimet nuk nisën ndonjëherë.

“Janë 65 familje që e përdorin këtë rrugë. Është 1 km nga këtu në hyrje të fshatit, deri te komuna. Vjet patën vënë tabelën këtu për ta rikonstruktuar, gjoja do bëhej me asfalt. E hoqën tabelën pastaj. Kemi bërë dhe mbledhje me kryetarin dhe tha që rruga juaj është e mbaruar, është dhënë fondi, do bëhet se s’bën”, rrëfen Dani.  

Përviz Dani, banor i fshatit Brest i Sipërm, Dibër, 4 dhjetor 2023

Më tej, banori i fshatit shprehet se rruga kthehet në makth për të dhe bashkëfshatarët, sidomos në Dibër, duke iu dëmtuar edhe automjetet.

“Rruga do të përmirësonte shumë situatën, sjell zhvillim. Problemi është që kjo rrugë nuk po bëhet. Në dimër është e vështirë të kalohet se rrugë dheu është kjo. Plus makinat na shkatërrohen se siç e shihni është copë-copë, me gropa me gjëra”, thotë Perviz Dani.

Rruga Brest i Sipërm, Dibër, 4 dhjetor 2023

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës Brest i Sipërm, të cilin kandidati Spahiu e quajti ‘punë të kryer’, do ta kategorizojmë të pambajtur.

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img