Pretendimi se sëmundja e Alzheimerit nuk ekzistonte 40 vjet më parë dhe shkaktohet nga ilaçet që ulin kolesterolin është i pasaktë. Verifikimi i Faktoje shpjegon se përshkrimet e para të Alzheimerit vijnë nga 1906 dhe nuk ka prova apo studime që tregojnë një lidhje mes kësaj sëmundjeve dhe barnave që përdoren për të ulur kolesterolin.

——————————————–

Në rrjete sociale po shpërndahet një video që pretendon se Alzheimer është “shkaktuar nga mjekët.”

Video duket se tregon një fjalim nga “Dr Joel Wallach”, i cili, sipas faqes së tij zyrtare, nuk është doktor, por “veteriner, natyropat, autor dhe lektor”

Në klipin e mësipërm, Wallach pretendon se Alzheimeri është një sëmundje e re e cila “nuk ndodhte 40 vjet më parë” dhe shkaktohet nga “një dietë me kolesterol të kufizuar” dhe “barna që ulin kolesterolin”.

Pretendimi se “dyzet vjet më parë, sëmundja e Alzheimerit nuk ekzistonte, madje edhe me një emër tjetër” është i pasaktë. 

Sëmundja e Alzheimer është shkaku kryesor i demencës, një fjalë e përgjithshme që i referohet paaftësisë për të kujtuar, menduar, apo vendosur, e cila bëhet problematike në jetën e përditshme. Koncepti i demencës ka ekzistuar që në antikitet, por, duke qenë se kjo sëmundje lidhet me moshën, numri i rasteve ka ardhur duke u rritur me rritjen e jetëgjatësisë së njerëzve.

Në 1906, patologu gjerman Alois Alzheimer përshkroi rastin e parë të Alzheimerit tek një grua 51-vjeçare me një “sëmundje të pazakontë të korteksit celebral”, e cila i shkaktonte humbje memorieje, agresivitet, çorientim, dhe deluzione. 

Autopsia tregoi se korteksi celebral i pacientes, ose shtresa e jashtme e trurit, ishte më e hollë se normalja dhe kishte depozitime anormale, të quajtura pllaka amiloide, jashtë neuroneve. Këto pllaka ishin vërejtur edhe më parë tek të moshuarit, por jo në njerëz më të rinj. 

Pasi doktorë të tjerë filluan të raportonin raste të ngjashme, psikiatri Emil Kraepelin përdori për herë të parë termin sëmundja e Alzheimeritnë 1910.

Pra, ndryshe nga pretendimi i Wallach, sëmundja e Alzheimerit është përshkruar mbi një shekull më parë, dhe përpara se barnat për uljen e kolesterolit të hidheshin në treg në mes të viteve 1960.

Ndërkohë, sipas një deklarate nga Shoqata Amerikane e Zemrës, nuk ka prova të një lidhje shkak-pasojë mes simptomave si harresa dhe konfuzioni dhe përdorimit të ilaçeve që ulin kolesterolin ose statinëve

Studime të gjera klinike për vlerësimin e funksioneve konjitive tek personat që përdorin statine dhe ilaçe të tjera për uljen e kolesterolit për të ulur rrezikun e atakut në zemër dhe ishemisë nuk kanë gjetur një lidhje të tillë.

Për më tepër, ka prova se niveli i lartë i kolesterolit në gjak mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së demencës dhe Alzheimerit.