BallinaPertejDhjetëra mijëra të varfër e të papunë po përballen me karantinën

Dhjetëra mijëra të varfër e të papunë po përballen me karantinën

Teksa po bëhen tre javë që 2,8 milionë shqiptarë janë të mbyllur brenda në shtëpitë e tyre prej situatës së COVID-19, ata që e vuajnë më shumë janë të papunët dhe të varfërit.

—————————————————————————————————————————————–

Të papunë

Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) për vitin 2019 flasin për një shkallë papunësie prej 12%, kur ende nuk kishte nisur pandemia nga koronavirusi COVID-19 dhe pasojat ekonomike që e shoqërojnë.

Edhe pse papunësia ka ardhur në rënie në krahasim me vitin 2018, ajo mbetet shqetësuese. Pra, 12% e personave të aftë për punë nga mosha 15-64 vjeç janë të papunë në Shqipëri.

Shifrat zyrtare flasin për 71 mijë persona të regjistruar si të papunë në zyrat e punës.

Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia më e madhe është tek të rinjtë 15-29 vjeç, ku 21,5% e tyre deri në fund të vitit 2019 nuk kishin një punë që të siguronin të ardhura.

Të varfër

Shumë qytetarë shqiptarë që janë karantinuar në shtëpitë e tyre janë të varfër dhe si rrjedhojë vuajnë për të siguruar jetesën, për më tepër të mbyllur.

Shifrat tregojnë se rreth 23 % e popullsisë shqiptare është e rrezikuar të jetojë në varfëri, sipas një ankete që INSTAT publikoi në fund të vitit 2019.

Anketa që analizonte të dhënat e vitit 2018 vlerësonte se rreth 671.000 individë jetojnë në rrezikun e kufirit të varfërisë.

Po ashtu, 59 540 familje shqiptare marrin ndihmë ekonomike nga shteti.

Ndihma ekonomike mesatare mujore që marrin këto 60 mijë familje të varfra shqiptare është vetëm 5154 lekë të reja.

Të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjes për vitin 2018 tregojnë se shqiptarët shpenzojnë nga buxheti i tyre më shumë për ushqim.

44% e totalit të tyre mujor të shpenzimeve janë për ushqim dhe pije jo alkoolike.

Po fëmijët?

Altin Hazizaj, drejtor i CRCA/ECPAT, i ka drejtuar një letër të hapur Ursula von der Leyen, Presidentes së Komisionit Europian në 2 prill, ku kërkonte ndihmë për fëmijët e varfër shqiptarë në karantinë.

Mos lini 100,000 fëmijë të vdesin nga uria në Shqipëri”, është thirrja që Hazizaj i drejtonte KE-së.

Më lejoni që t’Ju drejtohem me anë të kësaj letre të hapur, si Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri, organizata më e vjetër për të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve në vend, për të kërkuar mbështetjen tuaj, si Presidente e Komisonit të BE-së, për të shpëtuar nga uria dhe mbase vdekja, të paktën e 100,000 fëmijëve në Shqipëri, të cilët sot jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë, ndër të tjera edhe për shkak të mbylljes në shtëpitë e tyre nga masat që Shqipëria po zbaton në kuadër të mbrojtjes nga Codiv19”, shkruante ndër të tjera Hazizaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img