BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookOpozita nuk i kërkoi sqarime presidentit për akuzën ndaj kreut të SHISH

Opozita nuk i kërkoi sqarime presidentit për akuzën ndaj kreut të SHISH

Pas disa denoncimeve mediatike për një vizitë të kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni në Beograd, opozita u angazhua në marrjen e informacionit zyrtar nga institucioni në fjalë. Kërkesa është keqinterpretuar nga mediat, që e kanë raportuar si të vërtetë gabimin në njoftimin për media të opozitës, duke pretenduar se informacioni kërkohet nga presidenti Begaj.

Jona Plumbi

Pas denoncimeve mediatike të ditëve të fundit të muajit Maj, ku pretendohet se kryetarja e re e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni ka udhëtuar në mënyrë “sekrete” drejt Beogradit ku ka qëndruar për 10 ditë, opozita e përfaqësuar nga ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori hapa institucionalë për të hedhur dritë mbi akuzat e ngritura.

Deputeti demokrat, Flamur Noka, njëkohësisht anëtar i komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare, përmes një kërkese për informacion të datës 30 Maj ka kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Këtë hap institucional e ka njoftuar Partia Demokratike për mediat përmes një njoftimi për shtyp ku deklaron se “Sekretari i Përgjithshëm i PD, njëherazi deputet dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Flamur Noka nëpërmjet një shkrese të dërguar ditën e sotme i ka kërkuar sqarime Presidentit Begaj në lidhje me vizitën 10 ditore të kreut të SHISH, Vlora Hyseni në Beograd”.

Pjesë e njoftimit ishte edhe dokumenti që vërteton dërgimin e kërkesës për informacion.

*Imazh i njoftimit të Partisë Demokratike në grupin Whatsapp me gazetarët e fushës, dt. 31 Maj

Nisur nga tema mjaft e “nxehtë” që përfshin një institucion të rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare si SHISH, në kohë tensionesh të dhunshme në veri të Kosovës mes minoritetit serb atje dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, lajmi për kërkesën e informacionit të deputetit Noka mori vëmendje të madhe nga mediat.

Ajo që bie në sy është pasaktësia në raportimin e lajmit nga mediat.

Nuk dihet nëse është efekti i shpejtësisë apo i marrjes së lajmeve “copy-paste” mes njëri-tjetrit ajo që ka cuar në mosverifikimin e informacionit të shpërndarë nga Partia Demokratike. Si mund të kuptohet që në faqen e parë të dokumentit, kërkesa për informacion në fakt i është dërguar Shërbimit Informativ të Shtetit dhe më specifikisht kryetares së këtij institucioni Vlora Hyseni, dhe jo Presidentit të Republikës.

*dokumenti i shpërndarë në njoftimin zyrtar të Partisë Demokratike për media lidhur me kërkesën për informacion për udhëtimin e Vlora Hysenit në Beograd

Kjo bëhet edhe më e qartë në faqen e dytë të kërkesës ku parashtrohen edhe pyetjet për të cilat deputeti Noka kërkon përgjigje.

Në krye të dokumentit thuhet se kujt i është drejtuar kjo kërkesë për informacion si dhe institucioni që vihet në dijeni për kërkesën në fjalë, si institucion ku SHISH raporton sipas ligjit.

Por mesa duket, disa nga mediat që ka raportuar lajmin, nuk e ka lexuar dokumentin në fjalë, por i është referuar vetëm njoftimit të Partisë Demokratike, duke shpërndarë një keqkuptim për lexuesit.

Në fakt, kërkesës për informacion të deputetit Flamur Noka, do duhet t’i përgjigjet vetë Shërbimi Informativ i Shtetit dhe jo Presidenti i Republikës.

Fakti që kërkesa për informacion pret përgjigje nga Vlora Hyseni dhe jo nga Presidenti, bëhet e dukshme edhe nga vetë pyetjet në kërkesën për informacion, ku Noka pyet Vlora Hysenin nëse ajo ka njoftuar institucionet eprore dhe a ka marrë miratimin e tyre?

Nisur nga ky informacion publik, rezulton se informacioni i shpërndarë nga mediat është i pasaktë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img