BallinaAnkesa dhe KorrigjimeAustralia nuk po vaksinon popullsinë nga ajri

Australia nuk po vaksinon popullsinë nga ajri

Qeveria australiane nuk ka dhënë leje për spërkatjen e popullsisë me një vaksinë kundër kolerës. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se vaksina në fjalë, Vaxchora, as nuk është licensuar për përdorim në Australi ende. Për më tepër, ajo nuk spërkatet në ajër sepse administrohet oralisht.

——————————

Lajmi se qeveria australiane do të lejojë “vaksinimi me spërkatje” kombinon dy lloje teorish konspirative, atë anti-vaksinim dhe atë të gjurmëve kimike (chemtrails). Kjo e fundit pretendon se vazhda e avullit të bardhë që del nga avionët është në fakt një mënyrë për të shpërndarë kimikate apo viruse.

Artikulli i datës 28 tetor i portalit Mast.al, në një mënyrë të ngjashme, kombinon disa lajme të rreme në brendësi të tij. 

Pretendimi i parë është ai se Australia ka “dhënë miratimin kompanisë së vaksinave ‘PaxVax’ për të spërkatur nga ajri popullsinë me baktere të modifikuara të kolerës së gjallë” me anë të chemtrails.

Në brendësi të vetë artikullit, pohoet se “‘Pax Vax’ pretendon gjithashtu se fillimisht do të testohet në zona për 1.000 vullnetarë dhe do t’u jepet përmes një lëngu që nuk spërkatet në ajër.” Megjithatë, kjo fjali pasohet menjëherë nga përfundimi fantastik se “gjithçka na çon në konkluzionin se synimi është që të bëhet vaksinimi me spërkatje dhe kjo teknologji është në zhvillim e sipër.”

Në fakt, asgjë, përveç imagjinatës, nuk çon në këtë konkluzion. 

Verifikimi i mëtejshëm i “Faktoje” zbulon se Zyra e Rregullatorit të Teknologjisë Gjenetike (OGTR) së Australisë, në faqen e saj zyrtare, disponon vetëm një dosje ku përmendet kompania PaxVax. Bëhet fjalë për një licensë të lëshuar nga kjo zyrë ndaj kompanisë në fjalë për zhvillimin e provave klinike të një vaksinë kundër kolerës gjatë periudhës 2014-2015. Sipas dokumenteve të bashkëngjitura, vaksina e PaxVax administrohet në mënyrë orale, pra nga goja.

Dokumentacioni i licensimit të kompanisë PaxVax

Sa i përket këtyre provave klinike, OGTR shpjegon: “1.000 vullnetarë do të marrin pjesë. Vaksina do të administrohet nga profesionistë mjekësorë të kualifikuar në ambjente klinike. Pjesëmarrësit do ta marrin vaksinën si pije. Vaksina nuk do të injektohet tek pjesëmarrësit dhe as nuk do të spërkatet në ajër.”

Në fakt, do të bënte pak sens që qeveria australiane dhe PaxVax të spërkaste nga ajri një vaksinë që merret në mënyrë orale. Për më tepër, vaksina ende nuk është aprovuar për përdorim nga Administrata e Mallrave Terapeutike të Australisë.

Përgjigjia e një kërkese për informacion që “Faktoje” i drejtoi Departamentit të Shëndetit australian konfirmoi se rregullatori nuk ka aprovuar dhe as nuk ka marrë ndonjëherë kërkesë për aprovimin e shpërndarjes nga ajri të organizmave të modifikuar gjenetikisht siç është vaksina kundër kolerës e PaxVax

Përgjigjia e Departamentit të Shëndetit të Australisë

Pretendimi i dytë i rremë është se “diçka e ngjashme ndodhi për Covid në Spanjë, kur qeveria spanjolle miratoi spërkatjen ajrore të “chemtrails” nën justifikimin e një “gjendje të jashtëzakonshme” të shpallur gjatë pandemisë.” 

Si provë për këtë pretendim, artikulli citon një Dekret Mbretëror të publikuar më 16 Prill 2020 nga qeveria spanjolle. Në të vërtetë, ky dekret autorizoi një pjesë të ushtrisë të përdorte biocide specifike për dizinfektim për të luftuar përhapjen e Covid-19. Megjithatë, këto biocide nuk do të spërkateshin me aeroplane apo drone, por me anë të një ‘nebulizatori‘, një pajisje që spërkat dizinfektues në formën e një reje mbi një hapësirë të gjerë, e montuar mbi një kamion. E njëjta procedurë ndiqet gjerësisht nga kompanitë e specializuara për dezinsektimin, kryesisht mushkonjat, për të luftuar shumimim e tyre në zonat turistike. 

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

*Lajmi i publikuar në datën 9 Nëntor 2022 u përditësua në 15 Nëntor 2022 për të shtuar përgjigjen e Departamentit të Shëndetit australian, pas kontestimit të mast.al. Informacioni i përditësuar përforcoi edhe më shumë gjetjet e “Faktoje”.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img