BallinaFaktometerE PavërtetëBraçe: Tenderat e klasifikuar si “sekret”, nuk janë sekret

Braçe: Tenderat e klasifikuar si “sekret”, nuk janë sekret

Prej shpërthimit të pandemisë “Covid-19” më 9 mars e deri më 25 prill, Qeveria e Shqipërisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes lidhi 15 kontrata të konsiderura si “sekrete”. Zëvendëskryeministri Erion Braçe në një intervistë televizive argumetoi se “tenderat sekret në fakt nuk janë sekret”. SPAK dhe KLSH po shqyrtojnë denoncimet lidhur me këto kontrata, ndërsa rrezikun për afera korruptive përmes këtyre kontratave e paralajmërojnë edhe organizmat ndërkombëtarë.


Pas shpalljes së gjendjes së “Fatkeqësisë Natyrore”, Qeveria përmes Ministrisë së Shëndetësisë hapi 15 thirrje të cilat u kategorizuan si “kontrata sekrete”. Për tenderat sekretë, në ndryshim nga prokurimet e tjera, nuk publikohet vlera, objekti i detajuar, kushtet, cilësia e mallit, kriteret e blerjes dhe dorëzimit, kushtet dhe afatet e pagesës apo edhe detaje të tjera proceduriale.

Tenderat sekret të thirrur nga Ministria e Shëndetësisë nga fillimi i pandemisë deri më 25 prill

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, në Euronews Albania më 27 prill hodhi poshtë akuzat se tenderat ishin sekret duke argumentuar se ato janë kryer konform legjislacionit në fuqi.

Nuk janë sekret fare. Janë kontrata që janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe vendimet e Këshillit të Ministrave janë publike. Nuk ka asgjë sekrete në këtë histori, u shpreh Braçe.

Braçe argumentoi se procedurat e prokurimit publik janë kryer konform ligjit për prokurimet Publike të ndryshuar në vitin 2012, duke iu referuar më konkretisht Nenit 6.

Por, çfarë parashikon legjislacioni në fuqi mbi tenderimet sekrete?

Neni 6 “Kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit”, dikton mundësinë që qeveria ka për të kryer tenderime sekrete në raport me nevojat emergjente.

Ky ligj nuk zbatohet në përzgjedhjen e fituesve të kontratave publike, në rast se zbatimi i tyre kërkon masa të veçanta sigurie, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, në fuqi, ose në rast se një gjë e tillë diktohet nga interesat thelbësorë të shtetit, thuhet në nenin 6 të ligjit “Për Prokurimin Publik”.

Por, nëse shqyrotojmë objektivat e tij, ligji “Për Prokurimet Publike” synon në fakt rregullimin e procedurave të tenderimit me procedura sekrete.

Qëllimi i ligjit:

  • Të rrisë efiçencën dhe efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, të kryera nga autoritetet kontraktore;
  • Të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe të ulë shpenzimet procedurale;
  • Të nxisë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik;
  • Të nxisë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë;
  • Të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jo diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik;
  • Të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik;

Presidenti Meta, të hënën ktheu për rishikim në Kuvend ligjin për prokurimin në fushën e mbrojtjes së sigurisë.

Pavarësisht qëllimit pozitiv të deklaruar të kësaj nisme ligjore, mënyra e formulimit të disa prej dispozitave që lidhen me shtrirjen e zbatueshmërisë së këtij ligji, cenojnë parime të rëndësishme kushtetuese, argumentoi në vendim preidenti Meta.

Vendimi i presidentit Meta për mosdekretimin e ligjit Nr.36/2020

Partia Demokratike, më herët akuzoi qeverinë se duke shfrytëzuar gjendjen e pandemisë “Covid-19”, po kryen kontrata sekrete të cilat kryhen me kosto shumë më të lartë sesa çmimi i ofruar në treg.

Më 30 prill, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK reagoi duke njoftuar se kishte marrë në shqyrtim akuzat drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Shëndetësisë.

Më 30 prill, SPAK reagoi duke njoftuar se kishte marrë në shqyrtim akuzat drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Shëndetësisë.

Po bëhen hetime intensive në procedimin penal që ka objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe po kryhen verifikimet e nevojshme në lidhje njoftimet e bëra publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të klasifikuar ″Sekret″, thuhet në njoftimin e SPAK të dates 30 prill.

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithashtu parlajmëroi më 26 prill, hetim të kontratave të lidhura gjatë periudhës së pandemisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vijojë bashkëpunimin në një shkallë më të lartë me Prokurorinë e Përgjithshme, me SPAK dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, në denoncimin e rasteve të abuzimit me fondet dhe pronën publike gjatë pandemisë, duke garantuar auditim të thelluar për një proces tenderimi publik sa më transparent, të hapur, gjithëpërfshirës e të përgjegjshëm, thuhet në reagimin e KLSH-së.

Aranita Brahaj nga Open Data Albania ngre dyshime mbi kontratat e lidhura nga qeveria gjatë pandemisë “Covid-19”.

Kontrata sekrete covid19, të barabarta me blerje pa llogaridhenie publike e penale. Kontratat sekrete janë kontrata për të cilat nuk dimë vlerën, objektin e detajuar, kushtet, cilesitë e mallit, kriteret e blerjes dhe dorëzimit, kushtet dhe afatet e pagesës e shume detaje të tjera. Këto kontrata nëse janë tipike korruptive apo klienteliste nuk hetohen dot nga Prokuroria”, shprehet  Brahaj.

Sekretari ekzekutiv i Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, në një intervistë për Zërin e Amerikës më 8 maj, lidhur me tenderat sekretë, paralajmëroi se me procedurat e ndjekura edhe rreziku i korrupsionit mbetet i lartë.

Ndërhyrjet urgjente janë të rëndësishme dhe të justifikuara. Sidoqoftë, gjatë kryerjes së këtyre veprimeve një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fushave ku rreziku i korrupsionit është më i lartë, Pra, ajo që ne po përpiqemi të themi është ju lutemi, bëni kujdes,tha për Zërin e Amerikës në një komunikim përmes Skype-t Gianluca Esposito, Sekretar ekzekutiv i GRECO-s.

Deklaratën e Zv.kryeministrit Erion Braçe do e kategorizojmë si “Të pavërtetë“, pasi asnjë nga 15 kontratat e lidhura nga Qeveria e Shqipërisë nga shpërthimi i pandemisë e deri më 25 prill nuk është e disponueshmepër publikun.

Në asnjë prej seksioneve të dedikuara pasqyrimit të akt-marrëveshjeve që Qeveria e Shqipërisë kryen me palë të treta siç janë Agjencia e Prokurimit Publik, Fletorja Zyrtare apo njoftime nga kabineti i pushtetit vendor nuk ka përmbajtje me kontratat e cilësuara “sekrete” të lidhura në periudhën e lartpërmendur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img