Pasi shqiptarët mësuan nga mediat ndërkombëtare për planet e ndërtimit të resorteve në Sazan dhe Zvërnec nga dhëndri i Trump, kryeministri Rama nxitoi t’u kthehej me shpoti kritikuesve. Në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku zgjodhi të flasë, Rama e cilësoi Sazanin një park kombëtar imagjinar, një pretendim i pavërtetë ky, sepse hapësira ujore rreth ishullit është pjesë e të vetmit Park Kombëtar Detar që ka Shqipëria. Por përtej këtij debati, ekspertët e mjedisit vërejnë me shqetësim shkatërrimin e zonave të mbrojtura, siç është ishulli i Zvërnecit në Lagunën e Nartës. 

Esmeralda Topi

Planet e resorteve turistike në Sazan dhe Zvërnec që shqiptarët i mësuan përmes medias ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i komentonte përballë të tijëve- në Asamblenë e Partisë Socialiste duke rrëmbyer duartrokitje të shpeshta nga salla. 

“Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri…” – deklaroi kryeministri Edi Rama, teksa i etiketoi ‘gojështhurrur’ zërat kritikë ndaj planit 1 miliardë dollarë për ndërtimin e resorteve turistike në Shqipëri nga dhëndri i ish- presidentit amerikan Donald Trump.  

Verifikim

Ndryshe nga sa ironizon kryeministri- për një park kombëtar imagjinar- dokumentet tregojnë se hapësira ujore rreth e rrotull ishullit të Sazanit është pjesë e të vetmit Park Kombëtar Detar që ka Shqipëria. 

Ekosistemi ujor/detar ‘Karaburun – Sazan’ është shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II), me Vendim të Këshillit të Ministrave prej vitit 2010. 

“Sazani si hapësirë tokësore nuk e ka statusin e zonës së mbrojtur, por hapësira detare rreth e rrotull ishullit është Park Kombëtar Detar dhe është i vetmi që ne kemi. Sërish, ti dhe kur ndërton në ishull e cënon Parkun Kombëtar, sepse infrastruktura dhe mbetjet në det do të shkojnë. Në këtë kuptim nuk mund të thuash që është Park Kombëtar imagjinar, se Parku Kombëtar është aty, thjesht është detar.”- argumentoi për Faktoje Aleksandër Trajçe, drejtues ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). 

Edhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Parku Kombëtar Detar ‘Karaburun-Sazan’ cilësohet si mrekulli e natyrës Shqiptare.  

“I vetmi Parku Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara.” – shkruan Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. 

Sazani ‘gur shahu‘ për të hequr vëmendjen nga Zvërneci

Teksa vëmendja është fokusuar tek diskursi që zgjodhi edhe Rama të nxisë, ishulli i Sazanit dhe stausi i tij, një tjetër zonë, tërësisht e mbrojtur rrezikon të transformohet- Zvërneci që shtrihet në lagunën e Nartës. 

Aleksandër Trajçe argumenton se Rama është marrë qëllimisht me projektin e Sazanit, duke anashkaluar shkeljen e rëndë që do t’i bëhet zonës së mbrojtur të lagunës së Nartës. 

“Ajo që është më e tmerrshme është që pjesa e Zvërnecit, midis lagunës së Nartës dhe detit, që është projekti i Kushnerit me vila, aty është zonë e mbrojtur. Nuk ka imagjinatë aty, është zonë e mbrojtur. Por Rama këtë se përmëndi, qëllimisht nuk e përmëndi se e di. Dhe u mor me këtë detajin e Sazanit.” – përfundon ai.

Kontekst 

Të premten e 15 marsit Bloomberg bëri me dije se, Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, shpalli planin ambicioz të investimit në resorte turistike në Shqipëri, përkatësisht në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit. 

Plani i Kushner për zonën e Zvërnecit synon ndërtimin e dhjetëmijë njësive akomoduese turistike, ndërsa në Sazan projekti parashikon vila dhe hotele. 

Investimet 1 miliardë dollarë të sipërmarrësit amerikan u bënë publike nga vet ai, pak kohë pasi socialistët miratuan në parlament ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke i hapur rrugën ndërtimit në këto zona. 

Përfundim

Nisur nga verifikimet dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama për Sazanin si ‘park kombëtar imagjinar‘ do ta kategorizojmë të pavërtetë.