BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGjermania nuk ofron 10 mijë euro për çdo punonjës të ri

Gjermania nuk ofron 10 mijë euro për çdo punonjës të ri

Lajmi për ofrimin e një bonusi prej 10 mijë euro për çdo të punësuar të ri në Gjermani rezulton i pavërtetë. Titulli sensacional është keqinterpretim i një oferte të kufizuar pune në një spital rajonal.

Gjermania mbetet vendi më i preferuar për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të emigrojnë. Për këtë arsye lajmet që flasin për lehtësime politikash emigrimi apo punësime nga ky vend evropian zënë një vend të rëndësishëm në portalet online.

I tillë është dhe informacioni i ndarë në 27 shkurt në Facebook nga profili Vizatravel, me titull: “Gjermani: Bonus mirëseardhjeje prej 10,000 euro për çdo punonjës të ri”. I shoqëruar me një foto ndjellëse të një zarfi të mbushur me kartmonedha 500 euroshe, postimi ka marrë dhjetra reagime, mes tyre ka edhe persona që e besojnë, sikurse ka edhe nga ata që jetojnë në Gjermani dhe thonë se lajmi është i pavërtetë.

Fatkeqësisht, sipas verifikimit të “Faktoje”, të rinjtë që frymëzohen nga ky titull nuk do ta kenë kaq të lehtë mirëseardhjen në Gjermani.

Postimi nuk ofron shumë informacion, por duke kërkuar në Google verifikohet se postimi joshës është frymëzuar nga një lajm që ka qarkulluar nga portale të tjera një dirë më parë. Siç shpjegon artikulli i portalit thanjani.com, njoftimi për këtë bonus të majmë është një oferët tepër e kufizuar.

 “Siç raporton Fenix-magazine.de, drejtori i klinikës Bad Bramstedt paraqiti një ofertë të veçantë pune. Ofron një bonus mirëseardhjeje prej 10,000 eurosh të pabesueshme për një punonjës të ri. Pra, siç thuhet në njoftim, kjo ofertë i referohet 15 vendeve të lira të punës në sektorin spitalor.” – shpjegohet më tej në artikull.

Media “gjermane” që përdoret si referencë, është në fakt një botim në gjuhën kroate, ka publikuar një lajm të tillë në datë 19 shkurt. Autorët në të dyja artikujt si ai origjinal edhe në përkthimin në shqip, janë kujdesur që të shpjegojnë se oferta 10 mijë euroshe është jo normale për punësimin në Gjermani dhe ky është një rast i izoluar.

Postime të tilla që nxjerrin nga konteksti përmbajtjen duke joshur lexuesit përmes titujve bombastik janë të shpeshta në portalet online. Por nëse këto të fundit rrisin fitimet e tyre përmes klikimeve, personat që i lexojnë shpesh herë bien pre e manipulimit.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë tituj të tillë mbi emigracionin në Gjermani që fshehin informacion kyç për të tërhequr shikime dhe klikime. Në një kohë kur shqiptarët kryesojnë listat e të dëbuarve nga Gjermania, një dizinformim i tillë, megjithëse mund të duket i padëmshëm në pamje të parë, mund të ketë pasoja të vërteta në jetën e shqiptarëve që synojnë emigrimin.

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img