BallinaAktiviteteBashkitë “harrojnë” premtimet elektorale pas zgjedhjeve vendore

Bashkitë “harrojnë” premtimet elektorale pas zgjedhjeve vendore

Bashkitë në Shqipëri janë bërë më transparente, duke duke ndarë më shumë informacion për qytetarët, por puna në mbajtjen e premtimeve të kyebashkiakëve në fushata elektorale ende çalon.

Qendra Faktoje publikoi gjetjet e raportit të monitorimit të performancën e transparencës së 10 institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që për të katërtin vit me radhë mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED).

Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Maj 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur. Mbajtja e premtimeve elektorale dhe në rastet kur ato riciklohen nga mandate të mëparëshme, vijon të mbetet problematike.

Transparenca, llogaridhënia dhe rëndësia që ka puna e institucioneve të qeverisjes vendore në rrugën drejt integrimit evropian ishin në fokus të konferencës “Forcimi i Përgjegjshmërisë së Institucioneve të Qeverisjes Vendore”, të organizuar nga Faktoje në sinergji me projektin C1-EU-NPA dhe me Ambasadën së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë.

“Bashkitë kanë një rëndësi shumë të veçantë për Bashkimin Europian” – ishte mesazhi i ambasadori i Mbretërisw së Vendeve të Ulta në Tiranë, z. Reinout Vos.

Europa është plot me bashki dhe ne në BE presim shumë prej tyre. Kjo, sepse bashkitë do të kenë mundësi të administrojnë fonde të BE-së, si dhe të jenë përgjegjës për mënyrën se si i shpenzojnë ato. Dhe ju siguroj që nuk është gjë e lehtë. BE është shumë e fortë në kërkesën e llogarisë në emër të taksapaguesve europianë, kur vjen puna tek menaxhimi i fondeve. Kjo kërkon zhvillim të institucioneve të qeverisjes vendore si dhe forcimin e tyre në mënyrë që ato t’i shpërbejnë qytetarëve.”

Lidhur me llogaridhënien dhe transparencën e punës së institucioneve të qeverisjes vendore, drejtuesja ekzekutive e qendrës Faktoje, Klodiana Kapo referoi punën e kryer për monitorimin e disa bashkive në vend përmes projektit “10 bashki, 40 premtime” të mundësuar nga National Endowment for Democracy dhe zbatuar nga Faktoje në 4 vitet e fundit.

Gjatë këtyre viteve të monitorimit të bashkive në vend kemi hasur disa sfida, por njëkohësisht kemi vënë re edhe një reflektim nga disa bashki që kanë përmirësuar performancën e tyre kryesisht në komponentin e transparencës. Sfida më e madhe mbetet ajo e përmbushjes së premtimeve elektorale të dhëna nga kandidatët, që më pas marrin postin e kryetarit të bashkisë.”

Video-prezantimi i projektit “10 bashki, 40 premtime” mbështetur nga National Endowment for Democracy dhe zbatuar nga Faktoje

Gjetjet dhe rezultatet e bashkive të monitoruara gjatë vitit të fundit i prezantoi për pjesëmarrësit menaxherja editoriale e Faktoje, Aimona Vogli.

Bashkitë me performancën më të lartë përsa i përket transparëncës ndaj qytetarit janë ato të Shkodrës, Korçës dhe e Lezhës me 100% dhe më pas ajo e Dibrës duke plotësuar në masën 87.5%, ndërkohë bashkia me performancën më të dobët është Bashkia e Kavajës, niveli i transparencës së të cilës është vetëm 18.7%.

*gjetjet e raportit të Faktoje për bashkitë e monitoruara në vitin 2023
*gjetjet e raportit të Faktoje për bashkitë e monitoruara në 4 vjet për transparencën

Z. Rudin Beka, zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, një nga bashkitë e monitoruara me performancën më të lartë sa i përket transparencës theksoi rëndësinë që kjo transparencë e matur në procedura dhe letra, të transmetohet edhe tek perceptimi i qytetarëve dhe impakti në jetën e tyre të përditshme.

Në këto 7 muaj punë në Bashkinë Shkodër, rëndësinë e kemi tek krijimi i një bashkie të hapur jo vetëm në letra, por edhe si pereëptohet nga qytetarët. Ne rikonceptuam mënyrën e strukturimit të Bashkisë. Krijuam disa struktura të reja si psh: Bio Strajca, një shoqëri e re e që do menaxhojë tregjet, të cilat ishin edhe element i monitorimit nga Faktoje lidhur me mbajtjen apo jo të premtimeve. Këto ristrukturime e kalojnë perceptimin e hapjes së bashkisë që ekzistonte në letër, tashmë edhe në realitet me qytetarët dhe impaktit që ndihet në qytet.

Eksperti i çështjeve të integrimit Europian nga projekti C1-EU-NPA, Geron Kamberi solli disa shifra që tregojnë rëndësinë që ka menaxhimi i financave publike në nivel lokal, veçanërisht si pjesë e Bashkimit Europian.

Qytetet në Europë shihen si burim dhe zgjidhje për sfidat e sotme ekonomike, mjedisore dhe sociale. Në zonat urbane të BE jetojnë mbi dy të tretat e popullsisë dhe që përdorin rreth 80% të energjisë dhe ofrojnë deri në 85% të PPB-së së Evropës. Në periudhën 2014-2020, rreth 115 miliardë euro fonde të Politikës së Kohezionit (EU Cohesion Policy) janë investuar në qytete, qyteza ose zona periferike. Vetëm në zonat urbane janë financuar rreth 81 miliardë euro.

Drejtuesi i Akademisë së Studimeve politike, Erjon Tase në fjalën e tij theksoi se bashkitë duhet të jenë më inovatore dhe konkurruese në ide dhe vizion.

“Problematika kryesore mbetet disbalanca mes bashkive të mëdha, që fitojnë të ardhura nga ndërtimet apo biznesi dhe bashkive të vogla që nuk kanë autonomi financiare. Për më tepër, këto bashki po braktisen vitet e fundit dhe nuk kanë mundësi të krijojnë të ardhura edhe në rast të një menaxhimi më të mirë financiar. Gjithashtu, drejtuesit e bashkive duhet të kuptojnë se nuk duhet të jenë vetëm ofrues të shërbimeve, por të krijojnë zhvillin ekonomik të njësive duke hartuat plane zhvillimore strategjike.”

Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve.

Shkarkoni përmbledhjet e gjetjeve të raportit të Faktoje për monitorimin e bashkive gjatë vitit 2023 në linkun vijues:

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img