BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriBashkia Durrës paguan për ngrohjen e kaldajave (që nuk punojnë), shkollat gjejnë ’zgjidhje‘ me rezistencat

Bashkia Durrës paguan për ngrohjen e kaldajave (që nuk punojnë), shkollat gjejnë ’zgjidhje‘ me rezistencat

Në këto ditë të ftohta kur terometri ka zbritur nën 0 gradë Celcius, nxënës të shkollës “Jan Kukuzeli“ në Durrës raportuan për Faktoje se klasat janë të ftohta dhe kaldajat nuk punojnë. Gjatë muajit dhjetor 2022-janar 2023 Faktoje konstatoi këtë fakt, që u konfirmua edhe nga Bashkia Durrës. Lënda djegëse pelet vijon të magazinohet në shkollë, ndërkohë që ngrohja bëhet me rezistenca.Vetë Ministria e Arsimit konfirmoi për Faktoje se 15 shkolla në Durrës përdorin ngrohëse elektrike, por ky numër është më i lartë.

Nga Albina Hoxhaj

Në një deklaratë më 6 prill të 2017 kryeministri Rama ndër të tjera tha duke ironizuar:

Më kujtohet një ministër i yni që thoshte se nuk kemi nevojë për ngrohje, se i kemi shumë të ngjeshura klasat dhe është ngrohja e trupit të njeriut që garanton të ngrohet gjithë klasa, pasi trupi i njeriut ka një energji që e nxjerr. Domethënë, ai i konsideronte nxënësit si auto kaloriferë që mund të garantonin ngrohjen, por nuk kishte gjetur akoma një zgjidhje për ftohjen. Këto ishin argumentet idiotikë të njerëzve në Shqipërinë që kishim”.

Përtej ironisë, në thelb deklarata e kryeministrit përcillte edhe një zotim se do të sigurohej ngrohje në shkolla, gjë që nuk ishte përmbushur në qeveritë e mëparshme.

Por çfarë ka ndodhur thuasje 5 vite pas këtij premtimi dhe a është siguruar ngrohja në shkolla? Ne vendosëm të bëjmë një verifikim në disa shkolla të bashkisë Durrës në dhjetor 2022-janar 2023.  Njëra prej tyre është shkolla artistike “Jan Kukuzeli”. Ngrohja realizohet me një ngrohëse që ka kushtuar 2 500 lekë të reja, në klasa me 25 nxënës brenda. E njëjta situatë është në çdo klasë të shkollës. Kaldajat nuk punojnë, sepse vitin e kaluar pati një defekt, siç tregojnë burime brenda shkollës dhe prej asaj kohe nuk funksionojnë. Ne nuk u lejuam të hyjmë në mjediset e saj, por nga të njëjtat burime, mësuam se shkolla vazhdon të blejë dhe të mbajë pelet në magazinë pavarësisht se kaldajat nuk funksionojnë.

Një mesazh i mbërritur këtë të hënë të 6 shkurtit, kur temperaturat në Durrës zbritën nën 0 gradë Celcius njoftonte se kaldajat në këtë shkollë ende nuk janë në funksion dhe mësimi zhvillohet në të ftohtë.

Screen, një mesazh nga një nxënës i shkollës “Jani Kukuzeli”

Shkolla artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës

Mw herwt ne iu drejtuam bashkisë Durrës me një kërkesë për informacion në lidhje me mungesën e ngrohjes nga sistemi i kaldajave në shkolla. Lidhur me shkollën artistike “Jani Kukuzeli”, bashkia jep këtë justifikim për mungesën e ngrohjes me kaldaja.

“Objekti ka plotësuar fazën e garancisë së difekteve e cila është një periudhë dy vjeçare nga dita e kolaudimit të punimeve, Bashkia Durrës ka ngritur grupin e punës për marrjen në dorëzim të këtij objekti të iniciuar nga vetë sipërmarrësi i punimeve të kësaj shkolle. Meqënse objekti ka rezultuar me disa difekte të punimeve të cilësuara dhe nga grupi i punës më dt. 28.12.2022, sipërmarrësit të punimeve të objektit i janë lënë detyra për rregullimin e këtyre difekteve”-thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Screenshot i përgjigjes së bashkisë Durrës, janar 2023

Thuajse një vit më parë, në janar 2022, Ministria e Arsimit dhe Sportit u detyrua të mbyllte të gjitha shkollat e sistemit arsimor parauniversitar për 3 ditë për shkak të temperaturave të ulëta, dimrit të ashpër dhe mungesës së ngrohjes në institucionet arsimore. Ministria e Arsimit, e pyetur zyrtarisht mbi masat e marra për ngrohjen në shkolla në një periudhë kur vendi përballet me krizë energjetike, e kaloi tërësisht përgjegjësinë tek pushteti vendor. Megjithatë nga të dhënat zyrtare të këtij institucioni rezulton se vetëm ¼ e shkollave në vend janë të pajisura me sistem ngrohjeje.

Screen i përgjigjes së MASR për faktoje

Duke u ndalur konkretisht në bashkinë Durrës, sipas ministrisë rezulton se nga 54 shkolla në total, 15 ngrohen me fornela elektrike, 13 janë në proces rindërtimi, 7 përdorin kaldaja me naftë, 18 kaldaja me pelet.

Tabela pasqyron të dhënat për shkollat në tërësi dhe mënyrën e ngrohjes

Duke qenë se sigurimi i ngrohjes në institucionet arsimore është përgjegjësi e pushtetit vendor, bashkia Durrës ka përcaktuar fondin për ngrohjen me dru zjarri dhe pelet është 24.993.431 lekë me tvsh për vitin 2022, ndërsa për naftën me të cilën funksionojnë kaldajat fondi i planifikuar është 8.447.240 lek me tvsh.

Screen nga përgjigja e bashkisë së Durrësit që tregon fondin e përcaktuar për ngrohjen në shkolla.

Në lidhje me këtë problematikë, të pazgjidhur ndër vite, Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, thotë për Faktoje:

“Infrastruktura në sistemin arsimor parauniversitar vazhdon të mbetet një nga problematikat më të mëdha, mjafton këtu të kujtojmë se çdo vit temperaturat e ulëta mbyllin shkollat, duke dëshmuar mungesën e kushteve minimale për ngrohjen e tyre, dhe këto janë fenomene të cilat nuk i përkasin vetëm periferisë apo zonave rurale të vendit, por edhe shumë pranë kryeqytetit.”

“Nevojat dhe kërkesat e qytetarëve me infrastrukturën mësimore janë në raport dramatik me njëra-tjetrën. Ne nuk mund të dalim nga kjo situatë për aq kohë sa mungon një analizë, një studim i detajuar i lëvizjeve demografike dhe më e rëndësishmja ky sektor nuk po financohet, buxheti i shtetit vazhdon të jetë në të njëjtin nivel sa i përket arsimit. Është objektivisht e pamundur të presim një përmirësim infrastrukturor në këtë sektor.”- sugjeron Qiraxhi.

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img