BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checking“Kushtet e jashtëzakonshme” të motit mbyllin shkollat për tri ditë, po gjithë dimrin si ngrohen nxënësit?

“Kushtet e jashtëzakonshme” të motit mbyllin shkollat për tri ditë, po gjithë dimrin si ngrohen nxënësit?

Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi mbylljen e shkollave në të gjithë vendin për tri ditë gjatë javës së ardhshme, me argumentin e kushteve të jashtëzakonshme atmosferike. Megjithatë, Faktoje prej ditësh ka publikuar verifikime se edhe në temperaturat e ‘zakonshme’ dimërore, në shkolla është gati e pamundur të zhvillohet mësim, nga mungesa e ngrohjes. Prej muajit dhjetor, Faktoje ka kërkuar informacion nga Ministria e Arsimit, Ministria e Rindërtimit dhe Bashkia Tiranë për ngrohjen në shkolla, përfshirë edhe ato të rindërtuara, por “askush nuk merr përgjegjësinë” për t’i dhënë përgjigje dhe aq më pak zgjidhje situatës.

——————————————————-

“Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.

Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirë-qenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën”- njoftoi nëpërmjet një postimi në Facebook ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Postimi i ministres së Arsimit, Evis Kushi, 20 janar 2022 

Pavarësisht situatës së jashtëzakonshme atmosfrike që parashikohet të vijë, Faktoje ka verifikuar më herët se në shkolla është gati e pamundur të zhvillohet mësim, për shkak të mungesës së ngrohjes edhe në temperatura të zakonshme dimërore. Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion, fillimisht Bashkisë së Tiranës më 24 dhjetor 2021, ku pyeste sa shkolla në kryeqytet janë të pajisuara me sistem ngrohjeje, nëse sistemi është funksional, etj.

Ne morëm një përgjigje nga ky institucion më 21 janar, pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit. Në përgjigjen e saj, Bashkia Tiranë bën të ditur se në kryeqytet janë 153 objekte arsimore, të cilat janë të pajisuara me sistem ngrohje.

“Ngrohja e objekteve shkollore dhe parashkollore në juridiksionin e Bashkisë Tiranë gjatë sezonit të ngrohjes, i cili fillon me 15 Nëntor dhe përmbyllet me 15 Mars të çdo viti akademik, realizohet me sistem chiller, impiante ngrohëse (kaldajë) me lëndë djegëse gazoil ose pellet dhe me soba me pellet.

Objektet parashkollore dhe shkollore, të cilat janë të pajisura me impiante ngrohëse janë gjithsej 153 objekte, nga të cilat 84 janë objekte shkollore, 40 janë kopshte dhe 29 janë çerdhe. Objektet në të cilat ngrohja realizohet me soba me pellet janë 19 objekte shkollore. Në 74 objekte shkollore në Njësitë e Reja Administrative (ish – komunat), të cilat nuk janë të pajisura me impiant ngrohës apo me soba me pellet, ngrohja realizohet me soba me dru.

Nuk janë të pajisura me impiant ngrohës gjatë procesit rikonstruktiv të 20 viteve të fundit objektet si: Shkolla e Mesme e Përgjithshme ‘Partizani’, shkolla 9-vjeçare ‘Shyqyri Peza’, shkolla e Mesme të Përgjithshme ‘Kostandin Kristoforidhi’ dhe shkolla 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’. Ngrohja në këto objekte realizohet në mënyrë alternative. Çerdhja Nr.11 si dhe Çerdhja Nr. 33, të cilat nuk janë të pajisura me impiant ngrohës, ngrohja realizohet me kondicioner”, sqaron Bashkia Tiranë.

Por a është funksional sistemi i ngrohjes?

“Në shkollën ‘Farkë e Vogël’ në Njësinë Administrative Farkë, impianti ngrohës është funksional, por rrjeti i shpërndarjes së ujit të ngrohtë është tejet i amortizuar dhe për këtë arsye sistemi ngrohës nuk ka rediment. Në Çerdhen Nr.59 Kodër- Kamëz, impianti ngrohës është në proces riparimi dhe ngrohja realizohet me kondicioner”, theksohet në përgjigjen zyrtare.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 24 dhjetor 2021

Gjithashtu, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku pyetëm nëse shkollat e rindërtuara janë të pajisura me sistem ngrohje.

Kërkesa për informacion dërguar MASR, 24 dhjetor 2021

Në përgjigjen zyrtare, MASR thekson ndër të tjera se ngrohja në shkollat e rindërtuara nuk janë përgjegjësi e këtij institucioni, por e Ministrisë së Rindërtimit dhe Njësive të Vetëqeverisjes Vendore.

“Në lidhje me informacionin e kërkuar ju bëjmë me dije se procesi i rindërtimit ndiqet nga Ministria e Rindërtimit dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bashkëpunuar në procesin e rindërtimit me të dhënat e nxënësve dhe mësuesve, si dhe ka organizuar dhe menaxhuar zhvillimin e procesit mësimor në shkolla të tjera për ata nxënës, shkollat e të cilëve janë prishur, duke siguruar edhe transportin e tyre.

Për ndërtimin e objekteve arsimore ka standarde të përcaktuara me Vendim te Këshillit te Ministrave, të cilat zbatohen në rikonstruksionin ose ndërtimin e objekteve arsimore te reja. VKM 319, datë 12.4.2017 për miratimin e standardeve të projektimit të shkollave.

Nisur nga sa më sipër MAS nuk ka dijeni për projektet dhe implementimin e tyre. MAS, nëpërmjet Zyrave Vendore Arsimore në momentin e përfundimit të ndërtimit ose rikonstruksionit, bën të mundur organizimin e procesit mësimor në ambientet e objekteve arsimore të ndërtuara ose rikonstruktuara”- sqaron ndër të tjera MASR.

Përgjigjia e plotë e MASR për Faktoje

Pas kësaj përgjigjeje, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për të mësuar nëse shkollat e reja janë të pajisuara me sistem ngrohjeje dhe nëse ky sistem është funksional.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 10 janar 2022

MSHR në përgjigjen e dërguar për Faktoje thekson se nuk ka informacion për këtë çështje.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, MSHR nuk disponoin një informacion të tillë.  Lutemi t’i drejtoheni për informacion Njësive Zbatuese sipas Aktit Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019 Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore”- thuhet në përgjigjen e MSHR.

Faktoje bisedoi me nxënës të klasës III dhe VIII të shkollës “Emin Duraku” në Tiranë, të cilët na thanë se kanë kaldaja në klasa, por nuk ndizen dhe nuk dihet arsyeja.

“Klasa jonë është shumë e ftohtë, bëjmë mësim me xhupa. Kaldajat janë, por nuk ndizen. Njëherë na thanë që janë prishur, pastaj na thanë që u rregulluan, por prapë nuk punojnë. Në korridore kaldajat janë të ndezura, në klasa nuk punojnë”- tha një nxënëse e klasës së tetë.

Sistemi i ngrohjes në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, janar 2022

Ndërsa, një nxënës i klasës së tretë po në këtë shkollë rrëfeu:

“Kemi blerë vetë një ngrohëse të madhe me ajër, por prapë është ftohtë, nuk e ngroh të gjithë klasën. Rrimë veshur në mësim, me xhupa, kapuçë.”

Në këto ditë të ftohta dimri, Faktoje ka risjellë në vëmendje mungesën e ngrohjes edhe në shkolla jashtë qarkut të Tiranës, por edhe në spitale.

Në një artikull të publikuar në 19 janar, ne treguam se si pacientët e spitalit të Lushnjës detyroheshin që në këto ditë të ftohta të merrnin ngrohëse nga shtëpia, apo të blinin vetë batanijet.

Ndërsa në një artikull që Faktoje publikoi më 20 janar raportoi se në shkollën “Pal Zefi” të Rrushkullit, qarku Durrës mungonte ngrohja, ndaj prindërit detyroheshin të sillnin ngrohëse nga shtëpitë.

Në një intervistë për Report TV më 15 janar të këtij viti, ministrja e Arsimit Evis Kushi pranoi se nuk ka sistem ngrohje në të gjitha shkollat, duke shtuar se janë gjetur mënyra alternative për të siguruar ngrohjen.

“Jo të gjitha shkollat kanë sisteme ngrohje, por kudo ka bashkëpunim shumë të ngushtë për të siguruar ngrohjen, diku sobë me dru, ose me kaldaja, me pelet në një numër shkollash, Pra, në pjesën më të madhe ngrohja kontrollohet shumë mirë nga Bashkitë e vendit. Ngrohja është përgjegjësi e Bashkive, por ne bashkëpunojmë shumë ngushtë, sepse edhe për ne është shqetësim. Një proces mësimor që të zhvillohet normalisht, sidomos në zonat e veriut dhe në zonat e juglindjes, ku kushtet atmosferike janë nën zero, nuk mund të pretendojmë një proces normal nëse nuk garantohet ngrohja”- deklaroi Kushi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img