• Historitë e katër vendeve nga Ballkani Perëndimor që aktualisht po aderojnë drejt rrugës evropiane janë të ndryshme, megjithëse të parë me dylbi nga Brukseli, ato transmetojnë të njëjtin imazh: ekonomi e dobët, korrupsion, gjyqësor i dirigjuar politikisht dhe probleme me vendet fqinje.

• Megjithëse investimet prej 6 miliardë eurosh të shpallura nga Von der Leyen janë të mirëseardhura, për përfituesit e tyre të mundshëm, ato janë një tjetër mekanizëm i BE-së për të ruajtur kredibilitetin e saj në Ballkanin Perëndimor, pasi u bë e qartë se loja e maces dhe miut mes Brukselit dhe vendeve kandidate për anëtarësim në BE është larg përfundimit.

• Çështja që ka marrë vrull është nëse Shqipëria do të vazhdojë vetë rrugën evropiane nëse në Shkup nuk arrihet një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Brukseli.

Treni për në BE

BE-ja planifikon të investojë gjashtë miliardë euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin evropian. Ky lajm që u komunikua nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë turneut të saj në vendet e rajonit, i la të gjithë indiferentë. Ndonëse fondet janë të mirëseardhura, për përfituesit e tyre të mundshëm, ato janë një tjetër mekanizëm i BE-së për të ruajtur kredibilitetin e saj në Ballkanin Perëndimor, pasi u bë e qartë se loja e maces dhe miut mes Brukselit dhe vendeve kandidate për anëtarësim në BE është larg përfundimit.

Maqedonia e Veriut nuk arriti t’i përfundojë ndryshimet kushtetuese, që do të thotë se treni evropian këtë herë kaloi pa u ndalur në Shkup, por nëse është një ngushëllim, as aspirantët e tjerë Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria nuk mund të shpresojnë për një biletë festive treni drejt BE-së. Secili prej këtyre tre vendeve është në faza të ndryshme të integrimit evropian, por emëruesi i përbashkët i tyre është se do të duhet të presin anëtarësimin në BE.

zapadniot balkan ke go priceka vozot za eu 1
(Burimi: profili i Dimitar Kovaçevskit në FB)

Maqedonia nuk arriti të përfundojë ndryshime kushtetuese, kurse tre vendet e tjera janë në faza të ndryshme të integrimit evropian.

Në Maqedoni, prania e demokristianes gjermane Von der Leyen, e cila erdhi për të lobuar para referendumit për Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018 në cilësinë e atëhershme të Ministres së Mbrojtjes së Gjermanisë, kaloi në heshtje, pa bujë dhe pa pompozitetin që ishte pritur herëve të mëparshme. Shkak për këtë është rritja e pakënaqësisë me kërkesën për ndryshime kushtetuese, ndaj së cilës pjesa maqedonase e shoqërisë shprehu kundërshtim. Kjo, natyrisht, nuk mund të vihet në korrelacion me dëshirën e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Në anketën e Eurotink – Qendra për Strategji Evropiane të publikuar në muajin tetor, 60,8 për qind e të anketuarve kanë thënë se BE-ja është alternativa më e mirë për Maqedoninë, por 55,8 për qind janë shprehur se qëndrimi i BE-së është i padrejtë, arrogant dhe shantazhues. Nëse miqtë tanë evropianë po pyesin pse opinioni në Maqedoni është i tillë, ja pse: Një kërkim i shkurtër në internet do t’ju çojë në një titull të vitit 1995 – „Maqedonia kapi trenin evropian“. 28 vjet më vonë, treni maqedonas është ende duke udhëtuar për në Bruksel.

Gjërat nuk janë më mirë në vendet e tjera të grupit të Ballkanit Perëndimor, i cili ka qëndruar prej kohësh në binarët evropianë, por ose nuk kishte vend në tren ose ishte shumë i nxituar për të ndaluar në stacionet e pluhurosura dhe të vjetëruara të Ballkanit.

Mali i Zi mori statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit 2010, kurse negociatat e pranimit filluan në mesin e vitit 2012. Ka 11 vite që negociohet, janë hapur të 33 kapitujt dhe vetëm tre janë mbyllur. Vetëm Turqia aktualisht ka përvojë më të gjatë në negociata sesa Mali i Zi. Procesi i anëtarësimit ka ngecur prej vitesh, ndër të tjera, për shkak të pamundësisë së shumicës parlamentare për të finalizuar emërimet në sistemin gjyqësor.

Ajo që e ka mbajtur mbrapa Malin e Zi me vite është përparimi i pamjaftueshëm në kapitujt 23 dhe 24, të cilët tani përbëjnë grupin e parë. Progresi në të gjithë kapitujt e tjerë varet nga progresi në fushat e sundimit të ligjit, gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas metodologjisë së re të negociatave, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet derisa të përmbushen standardet e përkohshme në ato fusha.

Ne jemi për BE-në, por a është BE-ja për ne?

Megjithatë, horizonti i mjegullt drejt Brukselit nuk i dekurajon malazezët gazmorë. Sipas sondazhit të fundit të opinionit publik, është matur një nivel rekord i lartë i mbështetjes për anëtarësimin në BE. Sipas një sondazhi të Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM) nga Mali i Zi nga maji i këtij viti, 76 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, që është një për qind më shumë se sondazhi i mëparshëm i dhjetorit. Sondazhi është kryer nga 1 deri më 14 maj 2023 me 1003 të anketuar. Sipas këtij hulumtimi, nëse do të shpallej një referendum për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, 84.9 për qind do ta mbështesnin, kurse 15.1 për qind do ta kundërshtonin.

Edhe qytetarët shqiptarë duan t’i bashkohen Evropës ashtu siç bënë 33 vjet më parë kur protestuan kundër regjimit komunist me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Mbështetja e tyre për integrimin në familjen e madhe evropiane nuk është lëkundur, edhe pse e kanë pritur për më shumë se tre dekada.

zapadniot balkan ke go priceka vozot za eu 2
(Burimi: profili i Edi Ramës në FB)

Shqiptarët janë një nga popujt më pro-evropianë, por kjo nuk ua lehtëson rrugën e integrimit.

Në verën e vitit 2022, në një anketë të bërë nga Barometri i BE-së, 93 për qind e shqiptarëve thanë se duan që vendi të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Sondazhi u krye në një kampion përfaqësues prej 1012 qytetarësh nga e gjithë Shqipëria. Në një tjetër anketë të Barometrit të Sigurisë për Ballkanin Perëndimor, në periudhën shtator-tetor 2022, përgjigjet treguan se rreth 98.43 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Megjithatë, të qenit njerëzit më pro-evropianë duket se nuk ua ka bërë më të lehtë rrugën drejt integrimit. Pas një sërë bllokadash, Bashkimi Evropian nisi zyrtarisht negociatat me Shqipërinë verën e kaluar. Aktualisht, vendi është në të ashtuquajturin proces shqyrtimi (screening), që nënkupton një rishikim analitik të legjislacionit.

E vetmja në këtë grup vendesh që edhe pse prej vitesh zhvillon negociata për anëtarësim, Serbia nuk shfaq shumë entuziazëm, të paktën kur bëhet fjalë për qytetarët.

Mbështetja e opinionit publik për anëtarësimin në BE është dukshëm më e ulët në Serbi sesa në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Arsyet janë çështja e Kosovës dhe qëndrimi irracional ndaj Rusisë dhe Vladimir Putinit, ndaj të cilëve shumica e qytetarëve tregojnë qëndrim pozitiv dhe këtë e tregojnë të gjitha anketat. Shoqëria e Serbisë është e polarizuar lidhur me çështjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas rezultateve të sondazhit të fundit të opinionit publik në Serbi, të kryer në dhjetor të vitit 2022, 43 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në BE, ndërsa 32 për qind janë kundër.

zapadniot balkan ke go priceka vozot za eu 3
(Burimi: profili i Aleksandar Vuçiqit në FB)

Serbia është e vetmja nga grupi i vendeve të rajonit që po negociojnë anëtarësimin me BE-në, e cila nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë.

Sipas të anketuarve, “kushtëzimi dhe shantazhi i vazhdueshëm” nga BE-ja përmendet si shkaku më i madh i problemeve në pranimin në BE. Gjysma e qytetarëve mendojnë se problemet në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të zgjidhen pavarësisht nga pritjet e BE-së. Të anketuarit njohin aspektet pozitive të BE-së, të tilla si udhëtimi falas dhe normat më të larta të punësimit, por kanë frikë nga humbja e identitetit kulturor.

Natasha Dragojloviç, ish-koordinatore e Serbisë për BE, thotë se marrëdhëniet me Kosovën e vështirësojnë anëtarësimin e tyre në familjen evropiane. Ato janë pjesë e të ashtuquajturit Kapitulli 35 në kolonën “çështje të tjera”.

“Gjithçka që ndodh në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vlerësohet në kapitullin 35, para së gjithash, zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Euroskeptikët e shohin faktin që Serbisë i kërkohet diçka që nuk i është kërkuar asnjë shteti anëtar apo kandidati tjetër, si një çmim shumë i lartë për hyrjen në Bashkimin Evropian”, shpjegon ajo.

Serbisë mund t’i shtohet edhe një karakteristikë, sepse është i vetmi vend nga grupi i vendeve të rajonit që po negociojnë anëtarësimin me BE-në, e cila nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë.

“Arsyet janë varësia e plotë energjetike e Serbisë nga burimet energjetike ruse dhe mbështetja ruse për Serbinë në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Kosovës, edhe pse ai argument është krejtësisht i parëndësishëm që nga momenti kur Rusia sulmoi Ukrainën. Ai vend nuk është më i besueshëm për të mbrojtur integritetin territorial të një vendi tjetër,” thotë Dragojloviç.

Në horizont një veto e dytë greke?!

Një nga kriteret kyçe për hyrjen në BE – fqinjësia e mirë mund të jetë pengesë edhe në rastin e Shqipërisë, pas tensionimit të marrëdhënieve me Greqinë për shkak të arrestimit të kryetarit të zgjedhur të Himarës (një bashki ku jetojnë pakica greke), Fredi Beleri. Greqia pretendon se Shqipëria ka shkelur të drejtat e njeriut të qytetarëve nga minoriteti grek. Sipas vëzhguesve, ky konflikt mund të ketë pasoja në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.

„Paralajmërimet janë reale dhe fatkeqësisht vitet e fundit shohim shpesh bllokim të procesit për shkak të mosmarrëveshjeve apo çështjeve dypalëshe, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me anëtarësimin në BE”, thotë Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane për Shqipërinë”. Në këtë drejtim, ai përmend Maqedoninë e Veriut si shembullin më të afërt, e cila u bllokua nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria për vite me radhë.

“Ky është shembulli më ekstrem i pasojave negative që vijnë nga mosmarrëveshjet me një shtet anëtar të BE-së”, thekson Gjipali. Sipas tij, edhe pse vetoja apo bllokadat e njëanshme të procesit integrues mund ta kenë lodhur BE-në, ende mungojnë instrumentet ligjore për të anashkaluar një pengesë të tillë.

Frika për dinamikën e procesit ekziston edhe në Mal të Zi, megjithëse pengesat janë të një natyre tjetër. Përpara raportit të ri të Komisionit Evropian për progresin e Malit të Zi, që do të publikohet këto ditë, në dokumentin jo zyrtar, të ashtuquajturin non-paper të Komisionit Evropian që u referohet kapitujve të diskutueshëm, Mali i Zi paralajmërohet se ka humbur fokusin në reformat kryesore në fushën e sundimit të ligjit.

Në Maqedoni, nga ana tjetër, Qeveria është në telashe, sepse nuk mund të japë rezultat para përfundimit të mandatit të saj për çështjen kapitale – vazhdimin e negociatave me BE-në. Opozita refuzon të votojë ndryshimet kushtetuese dhe duket se në krah të saj janë qytetarët që besojnë se BE-ja dhe SHBA-ja nuk e mbajtën premtimin se pas ndryshimit të emrit të shtetit, hyrja në BE është e garantuar. Sipas anketës së Institutit për Demokraci dhe Fondacionit Konrad Adenauer, 65 për qind e të anketuarve nuk pranojnë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë (që është kusht i vendosur nga BE-ja me kërkesën e Bullgarisë), madje nga baza etnike 80 për qind e maqedonasve janë kundër.

Përveç problemit me ndryshimet kushtetuese, Maqedonia përjetoi edhe një cunami penalo-juridik pasi autoritetet brenda natës miratuan ndryshime në Kodin Penal që synonin rastet e profilit të lartë të korrupsionit të zyrtarëve të pushtetit të kaluar dhe aktual. Shumë nga aktorët, të përfshirë në korrupsionin e lartë, gjyqësori nuk arriti të përcaktojë brenda afatit të vendosur nga rregullat e reja, u gjendën të lirë për shkak se veprat e tyre kriminale kishin skaduar. Kjo ngriti alarmin edhe në Bruksel, por reagimi duket të jetë tepër vonë.

Njerëz që e njohin procesin, megjithatë, thonë se dobësitë e vendit tonë janë shfrytëzuar si alibi që anëtarët e BE-së të solidarizohen me fqinjët e Maqedonisë, të cilët kundërshtojnë anëtarësimin në BE.

“Në rastet kur nuk kemi pasur të drejtën e vetos nga ndonjë shtet anëtar, kemi pasur përsëri vërejtje nga institucionet evropiane, dhe është shumë e vështirë që ato shtete që përdorin të drejtën e vetos t’ua arsyetojnë shteteve të tjera anëtare nëse shteti ka një rekord evropian pa të meta. Në këtë rast jemi shumë larg një rekord të përsosur dhe është shumë më e lehtë për vendet anëtare, në këtë rast Bullgaria, në të kaluarën Franca apo Greqia të arsyetojnë veton e tyre”, thotë Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për integrimin evropian.

VIDEO 1

Megjithëse vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor nuk përballen me veton nga fqinjët e tyre, problemet e brendshme janë po aq frenues në rrugën e integrimit evropian. Për të pestin vit radhazi, Mali i Zi nuk ka arritur të zgjedhë Prokurorin e Lartë të Shtetit me mandat të plotë dhe shumica e emërimeve të tjera në gjyqësor janë bllokuar ose emëruar si ushtrues detyre. Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Prokurorin e Lartë të Shtetit, të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, por edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Lartë i Shtetit dhe anëtarët e Gjykatës Supreme duhet të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë prej dy të tretave (54) ose tre të pestat (49) të deputetëve.

Për të zhbllokuar të gjithë sistemin gjyqësor dhe reformat në Mal të Zi, është thelbësore të zgjidhet prokurori suprem i shtetit, thotë analistja juridike dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Liritë Civile (CGS) Marija Popoviç Kaleziq.

“Ishte e nevojshme të zgjidhej një person me integritet që është i gatshëm të hyjë në procesin e reformës, jo vetëm në kuptimin thelbësor që presin qytetarët e Malit të Zi, por edhe në pjesën normative, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerësimin e prokurorëve të shtetit, procedurat disiplinore, puna e komisioneve të kodit të etikës, puna e komisioneve të tjera brenda Këshillit të Prokurorisë, të cilat janë shumë të dyshimta dhe që realisht do të pësonin reforma dhe ndryshime nëse jep rezultatet e nevojshme, për të cilat vetë Komisioni i Venecias na paralajmëronte prej shumë vitesh, thotë ajo.

VIDEO 2

Zyrtarja e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Simonida Kordiç, thekson se nuk mund të pritet që ish-regjimi të marrë pjesë në zhbllokimin e gjyqësorit, sepse ai proces duhet të çojë në ndjekjen penale të individëve të atij regjimi.

“Për të siguruar dy të tretat ose tre të pestat e shumicës, duhet të kemi një marrëveshje në parlament pikërisht mes atyre partive politike që mposhtën regjimin e kaluar më 30 gusht 2020”, vlerëson Kordiç.

Por pavarësisht vështirësive në fushën e drejtësisë në Mal të Zi, ekziston një mendim se vendi e meriton të hyjë në BE më herët se viti 2030, pra të kapë afatin e premtuar të vitit 2025. Në samitin Brdo-Brioni në Shkup, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, theksoi se është ende entuziast për hyrjen e Malit të Zi në BE, por se insiston që deklarata e BE-së të tregojë qartë se është i mundur anëtarësimi në BE edhe para këtij viti.

“Ai vit është shumë larg, u arrit një marrëveshje e përbashkët që viti 2030 do të jetë data e fundit dhe se çdo vend mund të bëhet anëtar i BE-së shumë më herët se ai vit me dinamikën e tij në aspektin e përgatitjes dhe reformave të brendshme”, ka thënë Milatoviq. Ai konsideron se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së në periudhën e ardhshme pesëvjeçare.

Këto pritshmëri pasqyrojnë ambiciet e Podgoricës për të marrë pozicione udhëheqëse në rajon në rrugën e integrimit evropian. Nëse shikoni statusin e vendeve të tjera kandidate (Shqipëria i ka nisur negociatat vitin e kaluar, Serbia po sillet rrotull me Kosovën dhe ende nuk mund ta thyejë lidhjen e kërthizës me Moskën, kurse Maqedonia ka ngecur me veton bullgare), tani për tani duket se këto pritshmëri nuk janë pa bazë, por nga ana tjetër BE-ja (do) të insistojë në një paketë zgjerimi.

Në këtë paketë, Maqedonia e Veriut është humbësja më e madhe sepse statusin e kandidatit e ka marrë shumë më parë se vendet e tjera të këtij grupi. Maqedonia mori statusin e kandidatit në vitin 2005, rekomandimi i parë për negociata erdhi në tetor 2009, 7 vitet e ardhshme u pasuan nga 7 rekomandime të tjera të mbushura me veto greke. Kur u hoq vetoja greke, rrugëtimin e ndaloi Bullgaria.

VIDEO 3

Në vendin më të ri negociator, Shqipërinë, megjithatë, gjërat nuk janë gjithashtu rozë. Korrupsioni, nepotizmi dhe mosndëshkimi për zyrtarët e profilit të lartë turbullojnë horizontin evropian të vendit. Prokuroria Speciale verën e kaluar akuzoi ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ai është larguar nga Shqipëria dhe për të është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar.

Akuza është ngritur edhe ndaj ish-kryeministrit dhe presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Maltezi. I pari akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa i dyti dyshohet se ka përfituar 5.4 milionë euro për shkak të lidhjeve me Berishën, duke përdorur postin publik të ish-kryeministrit, vjehrrit të tij.

“Në Shqipëri ka kohë që po zhvillohet ai që quhet korrupsioni ligjor, që është korrupsioni më i rrezikshëm, ku nëpërmjet mekanizmave ligjorë sigurohen përfitime të paligjshme në dobi të individëve apo grupeve të caktuara, por që në të njëjtën kohë garantojnë mbrojtje, një lloj imuniteti ndaj ndjekjes penale përderisa kjo arrihet përmes një mekanizmi legjislativ, siç është ligji. Ky fenomen është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe padyshim cënon thelbin e një shteti demokratik, i cili ka qenë shumë i pranishëm në Shqipëri vitet e fundit”, thotë avokati Jordan Daci.

Dora e gjatë e politikës ka arritur të ndërhyjë edhe në prokurori. Më 27 qershor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me 10 vota të anëtarëve të pranishëm, miratoi listën e renditjes së kandidatëve për tre pozicione vakante në Prokurorinë e Tiranës, me çrast për tre pozicionet vakante, e para në listë ishte prokurorja e Vlorës, Eranda Felaj. Ajo është motra e nënkryetares së Kuvendit (deputetja e Partisë Socialiste), Ermonela Felaj, e emëruar në Prokurorinë e Tiranës, madje anëtarja e katërt e kësaj familjeje në këtë prokurori. Në mars të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorëve vendosi të emërojë bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikaj, prokuror në Tiranë, pa kaluar më parë në procesin e vetingut. Pak muaj më vonë, në maj të vitit 2019, Prokuroria zgjodhi vëllanë e saj Armando Felaj si oficer policie gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në seancën plenare të datës 29 maj u miratua propozimi për kalimin e bashkëshortes së tij, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Raste të tilla thumbojnë sytë dhe dëmtojnë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por vihet re se në rrethet gjyqësore flitet me shumë kujdes për këto tema.

“Nuk dua të merrem me rastin konkret, sepse për të thënë se është nepotizëm do të duhen prova konkrete. Kjo për arsyen shumë të thjeshtë se edhe pse të gjithë janë njerëz të nënkryetares së Kuvendit nuk e bën automatikisht nepotizëm dhe as se emërimet janë të paligjshme, pasi mund të bazohen në një sistem meritash, por padyshim që lë një shije të keqe dhe sigurisht kushdo mund të supozojë një nepotizëm të mundshëm”, na tha avokati Daci.

Me çfarë dylbi na sheh Brukseli!

Çështja që ka marrë vrull në Maqedoninë e Veriut kohët e fundit është nëse Shqipëria do të vazhdojë vetë rrugën evropiane nëse në Shkup nuk arrihet një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Brukseli.

Odeta Barbullushi nga Shqipëria, e cila ishte përgjegjëse për organizimin e samiteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë, thotë se procesi tani bazohet në meritokraci dhe çdo grupim është i parëndësishëm në këtë moment.

“Shqipëria ka një proces dypalësh me Bashkimin Europian, të cilin e kemi parë gjithmonë si shumë të rëndësishëm për transformimin e vendit, të institucioneve, të ekonomisë, por edhe për transformimin e kulturës demokratike. Si i tillë, është një proces shumë i rëndësishëm për të filluar dhe për të qenë në tryezën e negociatave, sepse, natyrisht, në vitin 2018 kemi filluar me para-screening, duke pasur parasysh që edhe legjislacioni i Bashkimit Evropian, ndryshon, evoluon, dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të jemi në tryezën e bisedimeve. Pra, është një proces dypalësh dhe vendosja e një vendi në grup me një vend tjetër është irelevante në këtë moment që flasim. Ne e kemi mbështetur gjithmonë tezën se ky është një proces i bazuar në meritokraci, në meritat e secilit vend, ndaj vendosja e tij në çdo grup dypalësh, trepalësh apo tjetër është irelevante në këtë moment”, thotë ajo.

VIDEO 4

Historitë e katër vendeve nga Ballkani Perëndimor që aktualisht synojnë rrugën evropiane janë të ndryshme, megjithëse të parë me dylbi nga Brukseli, ato transmetojnë të njëjtin imazh: ekonomi e dobët, korrupsion, gjyqësor i dirigjuar politikisht dhe probleme me vendet fqinje. Të gjitha këto që u përmendën më sipër japin arsye për shqetësim se Ballkani Perëndimor është ende larg Bashkimit Evropian. Historia e luftës në Ukrainë si një mundësi për të integruar Ballkanin Perëndimor në BE përfundoi ashtu siç filloi: me një argument jo bindës se Brukseli (do të ketë) zjarr nën këmbë dhe do të mbledhë katër shtetet e rajonit, të cilat u shuan pasi lufta në veri u shtyp nga konflikti i ri izraelito-palestinez dhe u kthye në lajme të mërzitshme të politikës së jashtme. Nëse problemeve në vendet aspirante i shtohet edhe mosmarrëveshja në BE për zgjerimin, atëherë pesimizmi është edhe më i madh.

Pak shpresë u shfaq pas propozimit të grupit të ekspertëve franko-gjermanë për reformat në BE, duke përfshirë ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes në Bashkimin Evropian dhe futjen e shumicës së cilësuar në vend të konsensusit dhe shtetet anëtare të kenë të drejtën e vetos vetëm pas ratifikimit përfundimtar të anëtarësimit.

Nikolla Dimitrov, ish-zëvendëskryeministër për Integrime Evropiane dhe ish shef i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, thotë se ky hap i përfaqësuesve të dy vendeve lidere të BE-së tregon se edhe në mesin e shteteve anëtare më skeptike, u ngjall ideja se zgjerimi duhet të përfundojë. Por nëse ka mundësi që realisht të kalojnë në shumicë të cilësuar, kjo është një pyetje, thotë ai, së cilës ndoshta askush nuk mund t`i përgjigjet.

“Tani jemi në një situatë ku nevojitet një lidership i madh nga ana e BE-së, për të dalë me një ofertë konkrete për Ballkanin Perëndimor dhe për të thënë ‘ja çfarë ofrojmë ne, këtu është afati kohor, ja çfarë kërkojmë nga ju dhe ne do t’ju ndihmojmë, ejani ta mbarojmë këtë punë’, kurse Ballkani Perëndimor nga ana e tij duhet të tregojë vullnet politik për reforma reale. Për momentin, nuk ka asnjë vend që do të niset i pari dhe do të inkurajojë të tjerët. Do të jetë tmerrësisht tragjike nëse Bashkimi Evropian na hap dyert dhe rajoni nuk është gati”, thotë Dimitrov.

Ai beson se rajoni mund të ndikojë në debatin aktual në BE nëse ai është i zhurmshëm dhe unik.

“Për shembull, nëse të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor thonë se është koha për të vënë veton e vetos në procesin e negociatave për të shmangur silurët në çdo hap, siç shihet në rastin e Maqedonisë”, konsideron Dimitrov.

VIDEO 5

Pavarësisht optimizmit që mbizotëroi gjatë kësaj periudhe, dy samitet e fundit të Bashkimit përfunduan pa lajme të mira për vendet e Ballkanit Perëndimor. Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Granadë përfundoi me një deklaratë që nuk përmendte fare vitin 2030 si vit zgjerimi. Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë u mbyll me një mesazh – fillimisht reforma, pastaj mundësia për të hapur dyert e tregut të përbashkët evropian.

*Kjo përmbajtje është realizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit.

Kliko këtu për linkun e artikullit në gjuhën origjinale.

Gazetarë: Sonja Kramarska, Despina Todorovska (Maqedoni), Maja Boriçiq (CIN Mali i Zi), Aleksa Teshiq (BIRN Serbi), Viola Keta dhe Esmeralda Topi (Faktoje, Shqipëri)

Kameramanë: Nake Batev, Sllaven Tomoviq, Atdhe Mulla

Montazhi: Fani Goshevska Zhivkoviq

Burimet e fotografive: consilium.europa.eu, profili i Edi Ramës në FB, profili i Jakov Milatoviq në FB