BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëAsfaltimi i rrugëve të Tiranës, në 4 muaj sa për dy vite

Asfaltimi i rrugëve të Tiranës, në 4 muaj sa për dy vite

Rrugët e Tiranës u kthyen në një kantier ndërtimi pak muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Por a ishte kjo një fushatë asfaltimi elektoral? Një hulumtim i Faktoje që nisi para fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit ku u anketuan edhe qytetarët, tregon se në Tiranë u hap ndërtimi për 100 rrugë dhe koha e zbatimit të punimeve ishte vetëm 1 muaj. Buxheti i parashikuar për asfaltim në Bashkinë Tiranë për këtë vit ishte rreth 500 mln lekë pa TVSH dhe po kaq duhej të realizoheshin në 2024. Por në katër muajt e parë të këtij viti zgjedhor u alokuan në kontrata punimesh mbi 90% e fondit total për dy vite.

Ilda Hoxha

Pas marrjes së mandatit të tretë, në zgjedhjet e 14 majit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj bëri një inspektim të punimeve për asfaltimin e rrugëve në kryeqytet.

“Dje mbrëma në Lagjen 12, i shtrëngova duart kolegëve që asfaltojnë deri në orët e vona të natës, ku vlon puna në çdo kohë. Kjo është fushata e punës në Tiranë, e cila nuk ndalon për asnjë ditë”, shkruante Veliaj në Facebook më 23 maj.

Postimi i kryebashkiakut Veliaj në Facebook, 23 maj 2023

Faktoje nisi një verifikim gjatë fushatës elektorale, ku përfshiu edhe një anketë me ndjekësit në rrjetet sociale në 18 prill, të cilët i pyetëm nëse kishin vënë re shtrim dhe asfaltim të rrugëve në muajt e fundit. Përmes komenteve dhe fotove iliustruese, qytetarë të Tiranës pohonin se në zonat e banimit po bëheshin ndërhyrje në rrugë.  

Pyetja që i drejtuam ndjekësve në rrjetet sociale

Faktoje bëri një verifikim në terren në disa zona të kryeqytetit, ku konstatuam se dy muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit, në shumë rrugë të Tiranës po punohej intesivisht.

Rruga “George W. Bush”, Tiranë 18 prill 2023

Nga verifikimi pamë se për një pjesë të madhe të rrugëve mungonin tabelat në kantierin e punimeve, edhe pse kjo është shkelje e ligjit.

Rruga e Kavajës, 13 prill 2023

Rruga “Myslym Shyri”

Nisur nga interesi publik në lidhje me këtë çështje, ne bëmë një verifikim të planifikimit për shtrimin dhe asfaltimin e rrugëve në Tiranë.

Në mbledhjen e datës 6 shtator 2022 Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi disa ndryshime në buxhetin e Bashkisë për vitet 2022-2024. Vetëm katër muaj nga përfundimi i vitit buxhetor 2022 dhe rreth 9 muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, në buxhetin e bashkisë përfshihet për herë të parë zëri: “Sistemim, asfaltime të rrugëve në Njësitë Administrative 1 – 11 dhe Lagjet 12 – 14”. Ky projekt 3-vjeçar me një fond në vlerë rreth 1.2 miliardë lekë ose më shumë se 10 milionë euro me TVSH do të financohej 20% në vitin 2022 (minimum që kërkon legjislacioni për menaxhimin e sistemit buxhetor për projektet shumëvjeçare), 30% në vitin 2023 dhe 50% në vitin 2024.

Burimi: Bashkia Tiranë – VKB Nr. 78, datë 06.09.2022 “Për disa ndryshime në VKB Nr. 166, datë 24.12.2021 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2022-2024 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2022 (e ndryshuar)”

Pas këtij miratimi, Bashkia Tiranë ka shpallur procedurën për lidhjen marrëveshjes kuadër me disa Operatorë Ekonomikë për këtë qëllim, me fond limit 1 miliard lekë pa TVSH (1.2 miliardë me TVSH). Procedura u zhvillua në 14 Nëntor 2022.

Burimi: APP

Pas njoftimit të operatorëve fitues në 6 dhjetor 2022 dhe shterimit të afateve ligjore për ankimim, u vijua me nënshkrimin e marrëveshjes kuadër. Kjo marrëveshje ka një afat dyvjeçar mbështur në faktin që 50% e fondeve janë për t’u realizuar në vitin 2024.

Burimi: APP

Këshilli Bashkiak i Tiranës rikonfimoi fondet për këtë projekt edhe me buxhetin e vitit 2023, kur përsëri 50% e fondeve mbetën për vitin 2024 dhe vetëm gjysma për vitin 2023.

Burimi: Bashkia Tiranë

Nga studimi i Minikontratave të lidhura vetëm për projektin për ”Sistemim asfaltime të rrugëve në Njësitë Administrative 1 – 11 dhe Lagjet 12 – 14” rezulton se nga fillimi i vitit deri në 2 Maj 2023, bazuar në të dhënat e buletineve të APP-së, janë lidhur 103 minikontrata punimesh për asfaltim të rrugëve të qytetit të Tiranës.

Në të gjitha rastet koha e zbatimi të punimeve është vetëm 1 muaj, duke përqendruar në intensitet një projekt 2-vjeçar në vetëm disa muaj. Kontratat e asfaltimit kanë një vlerë mesatare rreth 80 mijë euro (79.500) për një rrugë.

Vlera më e ulët e shpenzuar për asfaltimin është në rrugën Derhemi (që lidh rrugën ”Hoxha Tahsim” me ”Qemal Stafën”) në vlerën 14,285 euro. Vlera më e lartë e shpenzuar për asfaltimin është mbrapa shkolles 9-vjeçare ”26 Nëntori” me 363,197 euro.

Screenshot, tabela e përpunuar nga Faktoje

Këtu gjendet tabela ilustruese për çdo rrugë në territorin e Bashkisë Tiranë, ku mund të identifikoni rrugën dhe koston e punimeve në të.

Ndonëse buxheti i parashikuar për asfaltim në Bashkinë Tiranë për vitin 2023 është vetëm gjysma e fondit prej 1 miliardë lekësh pa TVSH dhe gjysma tjetër duhej të realizohej në 2024, rezulton se në 4 muajt e parë të vitit janë alokuar në kontrata punimesh sa 92% e fondit total për dy vite.

Faktoje në datë 19 prill dërgoi një kërkesë për informacion pranë Bashkisë Tiranë ku kërkoi të dhëna të detajuara për projektimin, punimet dhe mbikqyrjen e këtyre punimeve. Kjo duke përfshirë edhe datat kur janë zhvilluar procedurat për projektimin, lënien e afateve ligjorë për ankimimin, përgatitjen e projekteve, shpalljen e konkurimit për punimet ndërtimore, lënia afateve për ankimim, lidhja e minikontratës dhe kryerja punimeve në një hark kohor 4 mujor, për më shumë se njëqind rrugë të Tiranës.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 19 prill 2023

Ne morëm përgjigje më 25 maj, ku ndër të tjera thuhet:

“Drejtoria e Prokurimeve, në mbështetje të ligjit nr. 162/2020 Për prokurimin Publik’ si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 19.05.2021 Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” (i ndryshuar), ka zhvilluar procedurat e prokurimit Marrëveshje Kuadër, për objektet: ‘Sistemim asfaltime të rrugëve në Njësitë Administrative 1-11 dhe Lagjet 12, 13, 14″ me nr. Ref-45612-10-12-2022 si dhe ‘Mbikëqyrja e punimeve për objektin: Sistemim asfaltime të rrugëve në njesitë Administrative 1-11 dhe Lagjet 12, 13, 14″ me nr. Ref- 48463-11-04-2022.

Në ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, neni 56, pika l, përcaktohet: “Njoftimet e procedurave të prokurimit sipas këtij ligji publikohen në përputhje me afatet e përcaktuara në këtë ligj, në sistemin e prokurimit elektronik dhe në mënyrë të shkurtuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i cili përgatitet dhe publikohet periodikisht”.

Referuar vendimit të KQZ që rregullon aktivitetet e ndaluara para zgjedhjeve, në nenin 3, pika 1, gërma B përcaktohet:

“Veprimtari të ndaluara për t’u promovuar janë veprimtaritë publike sipas përkufizimit të nenit 2, të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi, apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë…

mbështetjen dhe promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve, kombëtare ose vendore, me karakter social dhe ekonomik, si edhe ato në funksion të mbrojtjes dhe ruajtje së mjedisit, të shëndetit, të kulturës, rinisë, sporteve të arsimit publik në të gjitha nivelet, si edhe infrastrukturës, në shërbim të interesit publik”.

Nga të dhënat e Faktoje rezulton se procedurat për tenderat janë kryer në muajt e fundit të vitit 2022 dhe nuk përbën shkelje zgjedhore.

Nga ana tjetër, banorë pranë shkollës”Edith Durham” i thanë Faktojes se rruga është shtruar brenda javës.

Rruga pas shkollës ’Edith Durham’, 15 mars 2023

”Rruga jonë ka qenë problem prej shumë kohësh, me gropa dhe brenda javës e shtruan. Nuk është ndonjë punim cilësor, por së paku mbyllën gjithë këto gropa, sepse nuk kishe ku kaloje”, tregon Lola banore e zonës.

Rruga pas shkollës ’Edith Durham’, pas ndërhyrjes njëjavore 21 mars 2023

I ftuar në emisionin ”Top Story”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi edhe në lidhje me cilësinë e punimeve në këto rrugë, të kryera vetëm pak muaj para zgjedhjeve.

”Është kollaj të thuash e duam këtë rrugën me trotuar. Po, do prishen avilltë e 30 familjeve, i del garant? Ajo që ne propozojmë është, për momentin ne do ta bëjmë të kalueshme, sepse ke ndërtuar në një zonë informale, pra ti ke dalë nga rregullat urbanistike. Si fillim këto familje i kam legalizuar, pastaj po i urbanizoj, por për të mos shkaktuar drama sociale, ti thua, meqë ti ke shkuar mbi nivelin e vijës së verdhë, do ta bëj edhe atë arnimin me asfalt që ty mos të të prekë këmba në baltë”, argumentoi Veliaj.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img