BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAlarmi për ADN në vaksinat mRNA, një keqinterpretim i shkencës

Alarmi për ADN në vaksinat mRNA, një keqinterpretim i shkencës

Vaksinat mRNA të Covid-19 nuk shfaqin asnjë rrezik për ADN dhe as për shfaqjen e problemeve të tjera si tumore apo infarkt, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në portale. Ekspertët sqarojnë se vaksina kundër Covid nuk ndryshon ADN e njeriut.

Artikuj të publikuar nga mediat në Shqipëri pretendojnë se vaksinat mRNA të Covid përmbajnë pjesë të ADN së njeriut dhe kjo përbën rrezik që mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve tumorale apo infarkt.

Deklaratë tronditëse e biologut amerikan: ‘Vaksina Pfizer e kontaminuar me ADN’, rrezik sulmi në zemër”- shkruan në 21 shtator portali Patriotik Media.

Artikulli i shpërndarë në portale

Artikulli citon deklaratat e një studiuesi amerikan, Phillip Buckhaults, profesor i biologjisë molekulare në Universitetin e Karolinës së Jugut, gjatë një seance dëgjimore përpara Komisionit për Çështjet Mjekësore të Senatit të ShBA.  

Në një kërkim të bërë rezulton se kjo deklaratë e tij është shpërndarë masivisht nga makineritë e propagandës kundër vaksinimit ndaj Covid-19, duke e keqintepretuar fjalën e studiuesit.

Eksperti i gjenomikës së kancerit, Dr. Phillip Buckhaults ka theksuar gjatë fjalës së tij potencialin që vaksinat mund të përmbajnë material ADN-je dhe se nevojitet më shumë kontroll dhe standarte për mënyrën se si po orientohen zhvillimet shkencore në këtë drejtim. Kjo është edhe pjesa që ka shërbyer si bazë për të nxitur keqinterpretimin e ndarë online masivisht.

Vetë profesori është detyruar të sqarojë më pas publikisht në një postim në rrjetin X: “ADN-ja është reale, megjithatë rreziku i kësaj ADN-je është teorik. Nuk ka nevojë për panik për vaksinimin e kryer në të kaluarën. Komentet e mia u drejtoheshin rregullatorëve dhe ekspertëve të industrisë, ato nuk ishin të destinuara për publikun e gjerë. Shpërndarja e gjerë e paparashikuar jashtë audiencës së synuar ka shkaktuar një ankth të paqëllimshëm, krejtësisht të papërshtatshëm në publikun e gjerë. Qetësohuni ju lutem”.

Në lidhje me këto pretendime Organizata Botërore e Shëndetësisë ka sqaruar më herët se teknologjia mRNA e vaksinave nuk mund të ndryshojë ADN e njeriut.

“Teknologjia e vaksinës mRNA kundër COVID-19 është testuar në mënyrë rigoroze për siguri dhe testimet klinike kanë dëshmuar që vaksinat mRNA ofrojnë reagim imunitar afatgjatë. Teknologjia e vaksinave mRNA është studiuar me dekada, duke përfshirë në kontekstin e vaksinave kundër virusit Zika, tërbimit dhe gripit sezonal (influenza). Vaksinat mRNA nuk janë vaksina të gjalla virale dhe nuk ndërhyjnë në ADN-në e njeriut”, argumenton OBSH.

“Injektimi i RNA-së në një person nuk mund të ndërhyrjë në ADN-në e qelizave njerëzore”, sqaron professor Jeffrey Alond nga Universiteti i Oksfordit.

Më tej, ekspertët argumetojnë: “Materialet që e formojnë vaksinën kundër koronavirusit kanë bazë të acidit ribonukleik (RNA), dhe, kur ato hyjnë në trup, nuk depërtojnë aspak në nukleus, kështu që nuk kanë mundësi të bien në kontakt me materialin trashëgues që përmban ajo; prandaj, konkludojmë se vaksinimi nuk do të shkaktojë ndonjë dëm në trup, veçanërisht në aspektin e ndryshimit të strukturës së zinxhirit të ADN-së.

Pra, të gjitha studimet tregojnë se këto vaksina nuk hyjnë në bërthamën e qelizës ku ndodhet ADN-ja jonë (materiali gjenetik), kështu që nuk mund të ndryshojë apo të ndikojë në gjenet tona.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img