BallinaFaktometerE PavërtetëAhmetaj: Shkolla “Ramazan Jangozi” mbaron në fund të shkurtit

Ahmetaj: Shkolla “Ramazan Jangozi” mbaron në fund të shkurtit

EDIT NIKOLLI & JOEL ÇELA

Në dhjetor të vitit të kaluar Ministri Ahmetaj deklaroi se shkolla 9-vjeçare “Ramazan Jangozi” në Thumanë do të mbaronte në fund të shkurtit 2021. Një muaj pas kësaj deklaratë Faktoje bëri një verifikim në terren ku konstatoi se punimet për këtë shkollë dhe shkollën tjetër “Kastrioti” vijonin ende. Ndërkohë në tabelën e projektit zhvillimor, afati i përfundimit të punimeve ishte Nëntor 2020.


Në 30 dhjetor 2020 Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj deklaroi në Thumanë:

“Shkolla ‘Ramazan Jangozi’ mbaron në fund të shkurtit”

Gjatë kësaj kohe Faktoje ka bërë disa verifikime për premtimet e dhëna dhe afatet e ndryshme në procesin e rindërtimit.

Më 31 mars, Faktoje udhëtoi drejt njësisë administrative të Thumanës për të parë ecurinë e procesit të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Ramazan Jangozi”. Sipas punonjësve në terren aty vijohej me fazën përfundimtare të punimeve, përfshi lidhjen e kanalizimeve të ujërave dhe të energjisë elektrike, për të vijur me pajisjen e bangave dhe mjeteve të nevojshme.

                         Shkolla 9-vjeçare dhe Kopshti “Ramazan Jangozi” Thumanë, 31 mars 2021

                                Shkolla 9-vjeçare dhe Kopshti “Ramazan Jangozi” Thumanë, 31 mars 2021

Faktoje komunikoi më përgjegjesin e punimeve në këtë shkollë që na  konfirmoi:

“Shkolla si objekt ka përfunduar, tani presim të vendosim bankat dhe mjetet e brendshme shkollore, materialet kanë ardhur janë të vendosura te palestra e shkollës së vjetër, presim të vijnë për t’i montuar.”

Projekti zhvillimor për Rindërtimin e objekteve arsimore, Shkolla 9-vjeçare dhe Kopshti “Ramazan Jangozi”, Thumanë

Referuar kësaj tabele të projektit zhvillimor për rindërtimin e dy shkollave 9-vjeçare dhe dy kopshtve në njësinë administrative Thumanë, punimet duhej të kishin përfunduar në nëntor të 2020-s.

Faktoje ishte dhe pranë shkollës dhe kopshtit “Kastrioti” në njësinë Administrative në Thumanë, ku konstatoi se edhe ato ende nuk ishin gati. Një prej punëtorëve që gjetëm aty tha për Faktoje:

“Të dyja këto godina, shkolla dhe kopshti janë të përfunduara, por vetëm dritat nuk janë lidhur, nuk e di se kur do të vijnë t’i montojnë.”

                                                Shkolla 9-vjeçare “Kastrioti”, 31 mars 2020

                                                               Kopshti “Kastrioti”, 31 mars 2021

Nisur nga verifikimi në terren, vendosëm që deklaratën e Ministrit të Rindërtimit për objektet arsimore në njësinë administrative të Thumanës, ta kategorizojmë “Të Pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img