BallinaPertejA po i shmangen partitë llogaridhënies duke mos publikuar programet elektorale?

A po i shmangen partitë llogaridhënies duke mos publikuar programet elektorale?

ILDA KURTI

Fushata për zgjedhjet e 25 prillit ka një javë që është hapur zyrtarisht, por programet zgjedhore të shumicës së partive që kandidojnë, nuk janë të publikuara gjëkund. Edhe pse botimi i plaftormave elektorale nuk është një detyrim ligjor, ai mbetet një detyrim moral i partive ndaj qytetarit, nga i cili kërkon votën. Faktoje vendosi të monitorojë përgjegjshmërinë e subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe mori mendimin e politologëve mbi këtë fenomen.

Sa parti e kanë të publikuar programin elektoral, ku zgjedhësit të mund të konsultohen para se të japin votën, apo të kërkojnë llogari në rast të shkeljes së premtimeve?

Faktoje iu referua dokumentit “Regjistri i Partive Politike të Regjistruara në KQZ për Zgjedhjet për Kuvend të datës 25 Prill 2021”, i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të identifikuar së pari partitë kandiduese.

Në datën 1 Prill, kontrolluam në websitet zyrtare të të gjitha partive politike të regjistruara zyrtarisht në zgjedhje dhe konstatuam se pjesa dërrmuese e tyre, nuk dispononin as website zyrtare funksionale. Gjatë verifikimeve në motorin e kërkimit Google për emrat e partive, disa shfaqeshin si ‘linqe të vdekura’ (dead links) dhe pjesa më e madhe nuk kishin as adresa zyrtare se ku mund të kontaktoheshin nga zgjedhësit apo përfaqësuesit e mediave.

Infografik me gjetjet për publikimin e platformave nga partitë politike 

 

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk e kanë publikuar platformën e tyre elektorale, pavarësisht se çdo ditë bëjnë takime të rregullta ku artikulojnë premtime në këmbim të votës.  

Për të kuptuar nëse do të kishim një program zgjedhor përfaqësues për koalicionin zgjedhor “Aleanca për Ndryshim”, Faktoje ndoqi veprimtaritë e të gjitha partive, për të kuptuar nëse diferencat e tyre ideologjike do të pasqyroheshin në këtë program, apo gjithsecili prej tyre do të ndiqte një platformë të pavarur.

Regjistri i Koalicioneve të Regjistruara në KQZ për Zgjedhjet për Kuvend të Datës 25 Prill 2021. Burimi: KQZ 

Ajo që vumë re ështe se këto parti nuk paraqesnin ndonjë program, qoftë kolektiv apo ndividual: PD, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PDK, LZHK, PLL, FRD, BDL, PBKD, PBDSH, PKD. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e tyre nuk kishin as website të aksesueshme online: PDK, LZHK, PLL, FRD, BDL, PBKD, PBDSH, PKD! 

Partia Socialiste rezulton që për këto zgjedhje nuk ka bërë ende publik manifestin, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara.

Foto ilustruese nga website i PS Datë 01.04.2021 

 

Nisur nga vëzhgimi ynë, të vetmit që e kanë respektuar këtë detyrim kundrejt zgjedhësve janë: Lëvizja Socialiste për Integrim, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Thurje. 

Ajo që bie në sy është zelli i treguar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka publikuar tri programe individuale për secilin prej kandidatëve të saj, programe që shkarkohen lehtësisht në faqen e tyre zyrtare: Boiken Abazi për qytetin e Tiranës, Iliaz Shehu për qytetin e Lezhës dhe Kreshnik Merxhani për qytetin e Gjirokastrës

Nisma Thurje ka filluar publikimin e programit zgjedhor në platforma elektronike. Pak ditë më parë u bë publik programi legjislativ me 33 projektligjet që synojnë transformimin e sistemit politik në Shqipëri. 

Faktoje kontaktoi me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi për të kërkuar një qëndrim në lidhje me mungesën e publikimit të programeve elektorale.  

“Subjektet poltike që janë regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 prillit 2021 nuk kanë detyrim ligjor për të depozituar një program zgjedhor për kandidaturën në zgjedhje.” -tha zoti Celibashi për Faktoje.

 

Foto ilustruese e përgjigjes së kreut të KQZ, Ilirjan Celibashit për Faktoje. 

 

Nëpërmjet një bisede telefonike me ekspertin Denar Biba, morëm këtë opinion prej tij: 

“KQZ është thjesht administrator teknik i zgjedhjeve dhe nuk ka kompetencë ligjore të kërkojë depozitimin e programeve zgjedhore. Është diçka që vetë qytetarët duhet t’ua kërkojnë partive politike.”  

Verifikimi nga ana jonë nuk është mjaftuar vetëm me kontrollimin online për platforma zgjedhore apo manifeste politike të publikuara. Në datën 8 shkurt 2021, në periudhën parapërgatitore për nisjen e fushatës, Faktoje u ka dërguar njëmbëdhjetë Kërkesa për Informacion selive të partive politike në vend: Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nismës Thurje, Partisë Republikane, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partisë Ambientaliste Agrare, Partisë Demokristiane, Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, si dhe zyrës së shtypit të Lëzivjes Vetëvendosje në Shqipëri. 

Kërkesa e dërguar pranë Partisë Socialiste. Datë 08.02.2021

Kërkesë e dërguar pranë LSI. Datë: 08.02.2021 

Kërkesë e dërguar pranë PD. Datë: 08.02.2021 

Nga këto 11 kërkesa, vetëm 1 prej tyre ka marrë përgjigje, një tregues i qartë për nivelin e transparencës që këto parti kandidate kanë kundrejt publikut, në prag të zgjedhjeve. 

E vetmja përgjigje që morëm ishte nga Zyra e Komunikimit me Median nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët na saktësuan se Lëvizja Vetëvendosje! do të publikonte programet zgjedhore për secilin qark, sapo të përfundohej zyrtarizimi i kandidaturave nga KQZ.

Foto ilustruese e përgjigjes së Koordinatorit për Komunikimin me Mediat nga Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Shqipëri, 8 shkurt 2021 

 

Faktoje kërkoi mendimin e dy ekspertëve mbi mungesën e platformave politike të shkruara ‘e zezë mbi të bardhë’. Politologu Afrim Krasniqi thotë për Faktoje:  

“Ligji i partive politike ka detyrimin që partitë të paraqesin program dhe ta depozitojnë në gjykatë per miratim. Kodi Zgjedhor nuk e ka kriter, pasi subjektet zgjedhore mund të jenë parti, kandidatë të pavarur ose koalicione dhe identifikimi i programit nuk është i njëjtë në tri rastet. Kodi presupozon se partitë janë të miratuara në Gjykatë dhe e kanë depozituar programin atje, pra e merr të mirëqenë që partitë kanë program. Në praktikat ligjore elektorale nuk ka detyrime për programe, sepse merret e mirëqenë që partitë kanë programe.”  

 

Më tej, ai e shpjegon fenomenin të lidhur me partitë politike në vend: 

“Programet janë në thelbin e tyre kontratë sociale dhe besimi parti-zgjedhës dhe mungesa e tyre e pamundëson kontratën, pra e pamundëson edhe fuqinë e zgjedhësve për të kërkuar mbajtje premtimesh, transparencë dhe llogaridhënie. Partitë bëjnë premtime pafund, sidomos liderët politikë, duke krijuar idenë se i ngjajnë Babagjyshit që plotëson çdo dëshirë, kur në fakt nuk kanë dokument të shkruar dhe as nuk lënë gjurmë të shkruara të cilat mund t’u kthehen në bumerang të nesërmen pas zgjedhjeve.” 

 

Politologu Ermal Hasimja thotë: 

 

“Shqipëria është një vend me traditë dhe kulturë demokratike tepër të cunguar. Klientelizimi është një element i rëndësishëm i racionalitetit zgjedhor që i bën të panevojshëm programet zgjedhore. Në një shtet normal demokratik përmbushja e programeve zgjedhore nuk mund t’i lihet në dorë ndonjë autoriteti tjetër, sepse ose do të shndërrohej në farsë juridike, ose do të përdorej për sulm politik. Përfytyroni për shembull sikur një gjykatë e caktuar të kishte në dorë të gjykonte nëse programi është zbatuar. Çfarë do të ndodhte nëse gjykata konstaton mosrealizimin e programit zgjedhor? Duhej ndaluar ajo parti të futej në zgjedhje? E pamundur! Gjithashtu, shpesh programet zgjedhore mbushen me premtime të cilat po të realizoheshin do të falimentonin ekonominë e vendit.

Rrjedhimisht problemi i madh i mosrealizimit të programeve zgjedhore nuk mund të zgjidhet me rrugë ligjore, por përmes ndëshkimit me votë të mashtruesve.” 

 

Faktoje do të vijojë monitorimin nëse partitë politike që kandidojnë në 25 prill, do të publikojnë programet elektorale deri në përmbyllje të fushatës zgjedhore, me qëllim nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies përballë votuesve, duke nxitur kulturën e të lexuarit dhe të vlerësuarit të programeve zgjedhore vizionare, me politikat përkrahëse ndaj qytetarëve dhe kauzave që ata mbështesin. 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img