BallinaFaktometerE PavërtetëA u mbajt premtimi për dhënien fund të sorrollatjeve për analizat laboratorike në shtet?

A u mbajt premtimi për dhënien fund të sorrollatjeve për analizat laboratorike në shtet?

Esmeralda Keta 

Një vit pas premtimit të qeverisë se do t’i jepej fund sorollatjes së pacientëve për analizat në shtet dhe pagesat e majme që detyrohen të bëjnë tek laboratorët privatë, po ndodh e kundërta. Drejtuesit e spitaleve u kërkojnë mjekëve të reduktojnë analizat që rekomandojnë, përndryshe do të gjobiten. Administratori i kompanisë koncensionare të laboratorit të analizave në QSUT pranon se kur shpenzohet 75% e buxhetit, njoftohet spitali. Ndërkohë konrata dikton që kur shpënzohet buxheti, koncensionari do të realizojë vetëm analizat urgjente, por jo më shumë se 5% të fondit.

 “Me këtë investim që po kryhet i largohemi një herë e përgjithmonë atyre eskperiencave të hidhura, kur pacientët vinin në spital dhe i drejtonin në laboratorët privatë për të kryer analiza bazike se nuk kishte kite, nuk kishte reagentë, nuk kishte laboratorë”, – deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 15 qershor 2021, teksa inspektonte laboratorët e rinj në QSUT, shoqëruar nga kryministri Rama.

Por krejt ndryshe nga optimizmi i ministres së Shëndetësisë që premtonte “shtrirje të kësaj nisme edhe në sistemin ambulator dhe zgjerim të gamës së analizave”, një vit pas nisjes së skemës së koncensionit të shërbimit laboratorik në spitalet publike, po përballemi me kufizime të theksuara për kryejen e analizave, qofshin ato edhe bazike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Kryeministri duke inspektuar Laboratorin e analizave në QSUT, qershor 2021

 

H.C. mjek në pension, por që vijon të punojë me orar të reduktuar në një nga spitalet e jugut për shkak të mungesës së stafeve, ka tejkaluar numrin e analizave që i është përcaktuar se do të lëshonte gjatë ditëve që ai ishte në spital.

Më konkretisht mjeku endokrinolog, ka rekomanduar më shumë se 6 pacientë në ditë për të kryer analizën e hemoglobinës së glukozuar, me argumentin se të gjithë pacientët kishin nevojë e ai nuk mund të privonte askënd.

Por tejkalimi i numrit të analizave ka bërë që spitali të marrë masa ndaj mjekut, pasi buxheti për numrin e analizave që mund të kryhen pranë koncensionarit, ishte drejt ezaurimit.

I kontraktuar në telefon, mjeku refuzoi të komentojë për këtë situatë.

“Unë do të jap dorëheqjen këto ditë se jam mjek në pension dhe nuk mund të punoj më gjatë. Ju lutem mos më ngatërroni me këto gjëra”, – i tha Faktojes mjeku endokrinolog që kërkoi të mbetej anonim.

Shërbimi i laboratorëve mjekësorë, i është dhënë me koncension kompanisë “Laboratory Network” për një periudhë 10 vjeçare dhe pritet të kushtojë 114 mln euro. Ai përfshin 18 spitale, dhe nisi zbatimin në gusht të vitit 2020 me laboratorin e QSUT duke u zgjeruar gradualisht me spitalet e tjera.

Por vetëm një vit pas nisjes së skemës së partneritetit publik privat, që parashikon të shpenzojë mbi 10 mln euro në vit vetëm për analiza, spitalet po përballen me fonde të limituara për mbulimin e të gjithë analizave, duke i vënë në vështirësi serioze.

Një dokument zyrtar i shpërndarë gjatë muajit mars, i kërkonte personelit mjekësor pezullimin e të gjitha analizave planifikuara dhe të kishin prioritet vetëm urgjencat, por edhe ato të mos tejkaloheshin. Kufizime për ekzaminimet laboratorike do të kishte edhe për pacientët e hospitalizuar.

 Faksimile e urdhërit për ndalimin e analizave

Të kontaktuar nga “Faktoje” mjekët japin alarmin se ata nuk mund të përshkruajnë as analiza bazike si gjak komplet apo yndyrnat, ndërsa kanë nisur paralajmërimet për gjoba.

“Në mbledhje drejtoria na ka thënë se do të gjobitet doktori nëse kërkohen analiza që nuk përputhen me të sëmurin. Se kush e cakton këtë që nuk përputhet nuk e di? Na thonë pse i kërkoni yndyrnat, përse i kërkoni sheqerin, ndërkohë që unë dyshoj për një gjë ndaj e rekomandoj. Na thonë do të jepni vetëm ato bazë, pasi ka mbaruar fondi”, – shprehet i irrituar mjeku që ushtron aktivitetin si kirurg pranë spitalit të Traumës dhe që na kërkoi të mbetet anonim.

Sipas tij, kjo situatë është e lidhur vetëm me koncesionarin, pasi në të shkuarën nuk kanë pasur probleme të tilla.

“Këto analiza ne i kemi kërkuar edhe para 5 vitesh, edhe para 10 vitesh, kur nuk kishte koncension dhe nuk na ka thënë njeri mos i kërkoni. Tani paguhet kushedi sa herë më shumë koncesioni dhe na u mbarokan lekët, ndërkohë që më parë kemi paguar 10-20 herë më pak dhe nuk kemi pasur kështu mungesash të stërzgjatura”, – thotë mjeku.

Por krejt ndryshe e sheh situatën drejtuesja e këtij spitali, Edlira Bode. Sipas saj spitali që ajo drejton nuk ka pasur anjëherë mungesë fondi për analiza, për asnjë muaj, por e sheh fajin tek mjekët që sipas saj, “abuzojnë” me analizat.

“Nuk u është kërkuar të kufizojnë numrin e analizave, por u është kërkuar të mos abuzojnë, madje edhe me shembuj të marrë nga kartelat. Ka analiza të pajustifikuara në përputhje me protokollin për diagnozë që ka patur kartela. Psh. i është kërkuar fëmijës 16 vjeçar t’i bëhet kolesteroli, pra kanë qenë abuzive.” –  thotë për Faktoje Edlira Bode, drejtoresha e spitalit të Traumës.

“Nuk është ndaluar askush të kërkojë analiza, por ama u është kërkuar që të kenë të argumentuar çdo gjë që bëjnë.” – përfundon ajo.

Sokol Ramizi, administratori i koncensionit të laboratorit, thotë se ata ofrojnë shërbimin brenda termave të kontratës dhe e gjitha është çështje e menaxhimit të spitaleve.

“Ka disa spitale që e shpenzojnë më shpejt buxhetin dhe përballen me vështirësi, por rastet urgjente nuk mbeten asjëherë pa shërbim.” – deklaron ai duke sqaruar më tej:

“Shoqëria monitoron dhe njofton periodikisht spitalet përkatese për shërbimet laboratorike të kryera si dhe nivelin e shpenzimit të buxhetit mujor veçanërisht arritjen e vlerave 50%, 75% dhe 100% të buxhetit mujor të alokuar. Sipas kontratës, kur spitalet arrijnë 75% të buxhetit mujor duhet të vendosin nëse shërbimin do ta vazhdojnë ta japin për të gjithe pacientët e referuar apo vetëm për analizat urgjente.

Pasi është shpenzuar tavani buxhetor mujor i alokuar, shoqëria ofron falas, pa pagesë analiza urgjente ne nje masë të caktuar për çdo spital referues.”

Mirëpo edhe ofrimi falas, bazuar në kontratën koncensionare ka një kufi, që nuk duhet të kalojë më shumë se 5% të fondit.

Pjesë nga kontrata koncensionare për laboratorët e analizave

“Pavarësisht se kjo është një çështje që i përket Spitaleve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqëria dëshiron të shtojë nga ana e saj, se kontrata parashikon buxhete tavan (maksimale) për çdo muaj kalendarik për t’u përdorur nga Spitalet Referuese. Pavarësisht se Shoqëria ka të gjitha kapacitetet për të përmbushur çdo kërkesë nga spitalet referuese, ajo është e detyruar të respektojë dhe zbatojë tavanet buxhetore sipas përcaktimeve te Kontratës” -shton administratori Sokol Ramizi.

Shqetësimet kanë mbërritur edhe në sindikatën e mjekëve. Gent Stroni, kreu i kësaj sindikate, njëkohësisht mjek infeksionist pranë spitalit Infektiv në QSUT, thotë se ka dëgjuar për raste gjobash edhe tek “Nënë Tereza” por nuk ka ankesa konkrete.

Sipas tij, janë shefat e pavijoneve ata që duhet të kalojnë në skaner punën e mjekëve dhe të vendosin nëse ka abuzim me analizat apo jo dhe nuk duhet që ky vendim t’i lihet në dorë një ekonomisti që sheh vetëm shifrat.

“Ka pasur mjekë që janë gjobitur pasi kanë tejkaluar numrin e analizave të rekomanduara. Por këtë analizë duhet ta bëjë pavijoni dhe jo vetëm ekonomisti. Shefi i pavijonit duhet të analizojë punën e mjekëve që ka në shërbimin e tij, dhe nëse është i domosdoshwm një ekzaminim do të duhet të marrë firmën e tij dhe le të gjobitet shefi për tejkalim. Në QSUT kam dëgjuar se ka pasur disa raste gjobash, por nuk ka ndonjë ankesë konkrete”, – sqaron Gent Stroni, kreu i sindikatës së mjekëve.

Ndërkohë ministria e Shëndetësisë, nuk iu përgjigj një kërkese për informacion, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Pavarësisht heshtjes nga institucionet përgjegjëse, mjekët ankohen se po përballen me situata të vështira.

“Skema është jepni, po mos jepni! Ka kohë që vazhdojmë kështu dhe pacientët po i drejtohen privatit.” – thotë një tjetër mjek pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Eliona Demaliaj, drejtoreshë e këtij materniteti i mohon këto ankesa dhe thotë se nuk ka mungesa, por mjekët duhet të tregojnë kujdes.

“Ne jemi brenda buxhetit dhe nuk kemi asnjë rast që i është dashur analiza dhe ne ta kemi shtyrë, por mjekët duhet të tregojnë kujdes dhe të japin analiza vetëm brenda protokollove.” – këmbëngul Demaliaj.

Të njëjtën gjuhë neutrale përdor edhe Sokol Feruni, drejtor i spitalit të Gjirokastrës.

“Ne mbajmë kuotat e pranueshme që të mbulojmë atë buxhet që kemi për analiza, qytetarëve nuk u lihet pa u dhënë shërbimi. Sigurisht kush vjen pa sistem referimi nuk i bëhen analizat pa kaluar më parë nga sistemi i referimit” – përfundon ai.

Kreu I Sindikatws sw mjekwve, Stroni thotw se problemet më të mëdha vihen re kur vjen fundi i muajit:

“Ka një lloj rrudhjeje, jo se nuk bëhen. Ajo që nuk shkon është fundi i muajit kur janë ezauruar resurset. Ajo çfarë kërkohet është që analizat të mos kalojnë një cak. A është e drejtë? Ndoshta jo, por kjo është marrëveshja e lidhur mes spitalit dhe koncensionarit.”

“Nga rrethet nuk ka asnjë ankesë, ndërkohë që edhe këtu ankesat janë sporadike. Duhet të flasim të gjithë të njëjtën gjuhë për të ndryshuar diçka”, – përfundon ai.

Erion Dasho, mjek që e zhvillon aktivitetin e tij në Gjermani dhe që e ka denoncuar disa herë koncesionin e laboratorit, e konsideron kriminale që mjekët të gjobiten pse rekomandojnë analiza.

“Të kesh vetëm kriterin financiar për të përcaktuar se sa analiza duhet të japë mjeku, kjo është e padrejtë madje, e dënueshme nga ana ligjore dhe madje unë do të thoja kriminale. Nuk mund t’i thuash mjekut do të japësh 1 mln apo 2 mln analiza, por t’i i jep mjekut protokolle. Dhe mjeku në përputhje me ato protokolle dhe gjykimin e vet përshkruan ata analiza që pacienti ka nevojë”, thotë Dasho.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img