BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingA u kthye Himara në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore, siç premtoi kryeministri në 2015?

A u kthye Himara në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore, siç premtoi kryeministri në 2015?

ANILA PRIFTI

Në Himarë, perlën turistike të jugut ku llogariten të pushojnë rreth 80 mijë turistë, gjatë sezonit veror qyteti gjendet me grumbuj mbeturinash kudo.  Në nëtor 2021 ose gjashtë vite pas premtimit se Himara do kthehej në shembull të mirëmbajtjes mjedisore, kryeministri Rama pranoi se situata mbetet problematike. Ekspertët sugjerojnë si zgjidhje të kësaj krize të përsëritur me mbetjet, ndarjen e tyre në burim dhe riciklimin. Bashkia e Himarës pranon se i mungojnë të ardhurat e mjaftueshme financiare, ndërkohë që dërgimi i mbetjeve në landfillimin e Bajkajt rezultoi të mos ishte zgjidhje për këtë situatë.

 —-

“Qëllimi i parë është që të pastrohen të gjitha vatrat e infektuara nga vendgrumbullimet pa asnjë standard dhe nga plehrat e mbledhura kuturu nëpër vite dhe pastaj të garantohet që i gjithë sistemi i mbledhjes në gjithë njësitë vendore në Himarë, në Sarandë dhe në Konispol të funksionojë, në mënyrë që ky investim të kthehet në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore të të gjithë zonës. Kështu që kjo është një pikë kthese historike për zonën dhe për turizmin në Shqipëri.”-u zotua kryeministri Rama në mars 2015, ndërsa inspektonte punimet e landifillit në Bajkaj të Sarandës, një investim me vlerë 5.6 milionë USD.

Nga një verifikim në terren gjatë muajit gusht 2021, në pikun e sezonit turistik kur llogaritet që Himara të presë deri në 80 mijë turistë, grumbujt e plehrave tregonin se situata nuk kishte ndryshuar nga 6 vite më parë.

Grumbuj mbetjesh në Himarë, gusht 2021

 

“Faktoje” udhëtoi në jug të vendit për të parë nga afër atë që ndodh në “zonën më të pistë”. Në fundvjeshtë rrugët dhe sheshet e Himarës dukeshin të pastra. Koshat e plehrave, ishin bosh, megjithatë banorë dhe pronarë të njësive të shërbimit në Himarë, dëshmojnë se sezoni i verës kthehet në makth për shkak të mbeturinave që gjenden kudo.

*Kazanët e mbeturinave në Himarë, nëntor 2021

 

“Në verë kazanët qëndrojnë plot ose plehrat përfundojnë jashtë tyre. Duhet bërë diçka, në Greqi nuk shohim kështu”-tregon Elena banore e Himarës. “Në sezonin turistik edhe lopët futen në det nga plehrat. Turistët i hedhin përgjatë rrugës, në plazh e qytet”- tregon pronari i një lokali në qendër të Himarës.

“Bashkia e ndotjes në behar, është model i pastërtisë në dimër, sepse rikthehet në normën natyrale të popullimit të saj. Një bashki me territor të hapur gjeografikisht dhe kapacitete të vogla, infrastrukturë të pazhvilluar, prapambetje dhe mungesë kapacitetesh në logjistikë dhe atë njerëzore për shërbimin urban”- thotë për Faktoje gazetari Aleksandër Çipa, me origjinë nga qyteti i Himarës.

 

*Gazetari Aleksandër Çipa

 

 

“Në gati tri muajt e verës qytete si Himara, Dhërmiu, apo fshatra turistikë të bashkisë si Vunoi, Palasa, Qeparoi, Piluri, Kudhësi, Borshi, Lukova, Piqerasi, Sasaj, Shën Vasi, Nivica etj. nuk mund ta përballojnë dyndjen demografike. Popullsia gati njëzet-fishohet. Bashkia edhe pse i tre apo katërfishon strukturat e shërbimit, nuk e përballon dot kapacitetin e mbetjeve urbane dhe atë të shërbimit në krejt territorin e vet”-thekson më tej Çipa.

Me një sipërfaqe me gjatësi 50 km dhe gjerësi 10 km, Himara e më shumë se 10 kishave e kështjellave, fillon në Qafën e Llogarasë dhe përfundon në hyrje të Sarandës. Nis në Bashkinë Selenicë dhe mbyllet në kufi me Bashkinë Tepelenë në Lumin e Vlorës.

Në hyrje të Himarës, nëntor 2021

“Tani mund të jetë pastër, por në sezonin e verës mbeturinat digjen në anë të rrugës së makinave. Fushatat nuk kanë për qëllim të mbrojnë shëndetshëm komunitetin, por të vendosin proceset e pastrimit për interesa personale të pushtetarëve përmes inceneratorëve, aty ku fitojnë më shumë”- thotë eksperti i mjedisit, Abdulla Diku.

Kosha të boshatisur në Himarë, nëntor 2021

“Kjo ndodh nga shumëfishimi i mbetjeve prej shumëfishimit të popullsisë gjatë sezonit turistik. Nga Bashkia duhej të funksiononte grumbullimi më vete i plastikës e letrës dhe këto mbetje me volum të madh të tërhiqeshin e të presoheshin brenda Himarës, për t’u dërguar jo në landfillin e Bajkajt, por në fabrikat e riciklimt. Është edhe neglizhencë, edhe pamundësi finaciare. Është edhe shkelje ligjore, nga moszbatimi i ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, e lidhur edhe me dy te parat”thotë eksperti i Mjedisit Lavdosh Ferruni.

“Pamja e parë, sapo kalon postbllokun në dy anët e rrugës, janë tonelatat e mbetjeve në vite. Edhe të tanishmet kanë gjurmët aty.

Një nga venddepozitimet e paligjshme të mbetjeve në Himarë

Kryebashkiaku Jorgo Goro duke iu referuar këtyre venddepozitimeve të paligjshme në rrugën kombëtare Himarë-Sarandë thotë:

“Rastet e hedhjes së mbeturinave pa kriter, nga inertet deri tek sendet e shtëpive, njerëz të ndryshëm, subjekte tregtare deri tek kalimtarët apo turistët sezonalë, janë problematika që nuk marrin zgjidhje vetëm me aksione”.

Postim i kryebashkiakut Jorgo Goro në Facebook për mbetjet e hedhura përgjatë rrugës, Himarë 13 nëntor 2021

 

Më 22 tetor 2021, gjatë takimit me kryetarët e bashkive dhe prefektët, kryeministri Edi Rama tha për Himarën:

“Në darkë, në qendër të Himarës duhet të ecësh përmes kazanëve të stërmbushur me plehra dhe duhet të bashkëjetosh me muzikën në kupë të qiellit dhe me erën e plehrave.”

 

“Kryeministri e ka fjalën për kohën e sezonit, kur vijnë turistët dhe ne nuk kemi mundësi të largojmë të gjitha mbeturinat. Firma me të cilën kemi kontratë nuk e përballon dot këtë sasi. Për sezonin ardhshëm do kërkojmë një zgjidhje tjetër, do kërkojmë ndihmë me fonde në qeveri. Ka vend për përmirësim” thotë kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.

Kryetari i Bshkisë Himarë, Jorgo Goro

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për vitin 2020 u raportua se Bashkia Himarë prodhoi 6.7 kg mbetje për banor në ditë. Sasia totale e gjeneruar e mbetjeve sipas AKM është 4107.70 tonë në vit. Sasia totale e mbetjeve inerte të prodhuara është 30 000 ton në vit.

 

Përgjigja në lidhje me sasinë e mbetjeve të gjenerura për Himarën, nga AKM për Faktoje

 

Të njëjtat shifra u konfirmuan edhe nga Bashkia e Himarës, e cila thekson se për çdo vit ka një rritje prej 13 deri në 15 përqind të sasisë së mbetjeve.

Me një popullsi prej afro 14 mijë banorësh, referuar censusit të 2011-s, gjatë sezonit turistik, kur mbetjet e gjeneruara arrijnë në 35 ton në ditë, një kamion me tonazh 10 ton dhe një vëllim prej afro 10 m³ duhet të bëjë 4 deri 5 rrugë në ditë për të larguar mbetjet urbane të grumbulluara.

Pjesë nga përgjigjja zyrtare e Bashkisë Himarë, për Faktoje

Nga ana tjetër edhe projekti për diferencimin e mbetjeve në burim i prezantuar në gusht 2019, duket se nuk ka dhënë zgjidhje, sidomos gjatë sezonit turistik.

Venddepozitimi ku duhet të kryhej diferencimi i mbetjeve, Himarë

Nga 75 milionë lekë buxhet për pastrimin, për vitin 2022 Bashkia e Himarës ka programuar 120 milionë lekë, me qëllim që të përfshihet edhe zona Horë Vranisht, territor deri tani i pambuluar. Ne u interesuam në Agjensinë Kombetare të Mjedisit, nëse ka një projekt apo plan për pastrimin e Himarës, por nuk morëm përgjigje shteruese. Sipas AKM, Himara si të gjitha bashkitë e tjera, është e përfshirë në Planin Kombetar të Pastrimit të territorit. Aktualisht mbetjet  depozitohen në landfillin e Bajkajt 70 kilometra larg qytetit me 22 dollarë për ton.

 

 

“Bashkia e Himarës nuk ka nevojë të çojë mbetje tek inceneratoret. Ajo duhet të prodhojë më pak mbetje, duke vendosur dhe duke inkurajuar reduktimin e gjenerimit të tyre duke i ricikluar mbetjet. Natyrisht duhet edhe një lloj mbështetje nga Qeveria për këto politika të reduktimit e riciklimit, por ekziston një zgjidhje. Qeveria duhet të heqë dorë nga invesitmi për inceneratorët dhe të investojë për riciklimin e mbetjeve”thotë Lavdosh Ferruni.

Specialisti i çështjeve të mjedisit, Lavdosh Ferruni

“Nuk është përgjegjësi e pushtetit vendor. Ai është gati i vobektë përballë atij fluksi. Ndoshta një projekt pilot i riciklueshëm për këtë periudhë fluksi për pastrimin dhe mjetet pastruese do të ishte zgjidhje”sugjeron gazetari Çipa.

Në 7 Nëntor 2021 kryeministri Rama njoftoi nisjen e një plani kombëtar për pastrimin e territorit, duke konfirmuar mosmbajtjen e premtimit të vitit 2015 për pastrimin e të gjitha vatrave të infektuara nga vendgrumbullimet pa asnjë standard dhe nga plehrat e mbledhura kuturu nëpër vite dhe funksionimin e sistemit të mbledhjes në njësitë vendore në Himarë, në Sarandë e Konispol.

Më herët në 2 Nëntor 2021 edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro pranoi situatën problematike me mbetjet në bashkinë e Himarës:

“Zbrazja gjatë dimrit dhe mbipopullimi gjatë muajve të verës për këto zona është një problem, por aspak pa zgjidhje. Po, ta pranojmë se ky ishte një sezon problematik për mbetjet në Himarë. Prandaj bashkë me kryetarin Jorgo Goro nuk pritëm momentin e fundit, por u ulëm që tani duke hartuar një plan konkret masash që situata të mos përsëritet më sezonin tjetër.” – tha Kumbaro.

 

Shqipëria në vetëm 1 dekadë ka hartuar 2 strategji kombëtare dhe ka miratuar dy ligje për menaxhimin e mbetjeve, dhe nuk ka zbatuar as njërën e as tjetrën.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img