BallinaFaktometerE PavërtetëDeklaratat e ish kryeministrit Berisha për protestë paqësore në 8 janar

Deklaratat e ish kryeministrit Berisha për protestë paqësore në 8 janar

Ina Allkanjari

Protesta e 8 janarit, u cila u paralajmërua që në ditët e dhjetorit nga grupi i rithemelimit të Partisë Demokratike degradoi në aktë dhune, ndaj të cilave pati kundërpërgjgje edhe nga brenda selisë. Pavarësisht se situata arriti deri në kufijtë e rrezikimit të jetës, siç konfirmoi Policia e Shtetit e njoftuar nga drejtues të PD, që ndodheshin në mjediset e selisë blu, ish kryeministri Berisha konfirmoi gjatë gjithë kohës se protesta ishte paqësore.

————————

“Ftoj anëtarët e PD, 44 mijë dhe gjithë të tjerët që nuk morën pjesë në referendum dhe të gjithë ata që firmosën shkarkimin e Bashës, të bashkohen për revolucion paqësor. Ndaj bunkerit përdoren mjete teknike paqësore, nuk do ta qëllojë kush me mjete luftarake, mes nesh nuk ka dhe s’do ketë kurrë armë. Bashën do e nxjerrim me pekule”.

Kështu deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha një ditë para protestës duke theksuar se ajo do të zhvillohej në mënyrë paqësore.

Përgjatë mëngjesit të së shtunës Faktoje shkoi pranë selisë së PD-së për të ndjekur nga afër ecurinë e protestës.

Protestuesit, mbështetës të ish-liderit të PD-së Sali Berisha rrethuan selinë blu dhe nisën përpjekjet për të hapur dyert e selisë. Pas tentativës për të hyrë brenda në seli, dyert e të cilës ishin të mbyllura, nisën aktet e dhunshme, thyerje xhamash, goditje e dyerve me sende të forta dhe përpjekje për të hyrë edhe përmes dritareve të katit të dytë të ndërtesës.

Foto, pamje gjatë protestës së 8 Janarit

Ndërsa deklaratat që vinin nga përfaqësitë ndërkombëtare në Shqipëri bënin thirrje për vetëpërmbajtje dhe kundër dhunës, ish-Kryeministri Berisha vijonte të deklaronte nga oborri i selisë blu se protesta që po zhvillohej ishte paqësore. Madje në një moment, i pyetur nga gazetarët ai tha:

“Çfarë keni parë ju, asnjë xham nuk është thyer, dera u hap vetë”- u shpreh Berisha.

Foto, pamje gjatë protestës së 8 Janarit

Rreth orës 12.30 të së shtunës disa deputetë të Partisë Demokratike të cilët ndodheshin brenda selisë, kërkuan ndërhyrjen e policisë.

“Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij (Sali Berishës), po sulmojne godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë. Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese! I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë për të shmangur viktimat e dhunës së Sali Berishës mes demokratëve.”-thuhej në deklaratë.

Është dashur ndërhyrja e policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për shpërndarjen e protestuseve, duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës.

“Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë:

Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës”- njoftoi Policia e Shtetit pas thirrjes së deputetëve të PD të cilët ndodheshin brenda selisë.

Foto, pamje gjatë protestës së 8 Janarit

Pavarësisht situatës së krijuar në një deklaratë për gazetarët ku njoftoi mbylljes e protestës për atë ditë, Sali Berisha,  aktualisht deputet i përjashtuar nga gupi parlamentar i PD tha:

“E vërteta është se protesta madhështore ishte tërësisht paqësore. Protesta kishte për detyrë të hapte dyert e blinduara nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha.”

Foto, pamje gjatë protestës së 8 Janarit

Policia e Shtetit konfirmon dhunën

Protesta u konsiderua e dhunshme edhe nga Policia e Shteti e cila në një reagim për mediat informoi:

“Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme. Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëlllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë”

Foto, pamje gjatë protestës së 8 Janarit

Nga ana tjetër Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi arrestimin në flagrancë për 34 shtetas, dhe procedimin penal për 18 shtetas të tjerë pasi ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së 8 janarit me këto akuza:

1-Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme

2-Prishja e qetësisë publike

3-Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit

4-Shkatërrimi i pronës

5-Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta

6-Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive, kryer në bashkëpunim

Nisur nga informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratat e ish kryeministrit Berisha për zhvillim të protestës paqësore, t’i kategorizojme të “TË PAVËRTETA”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img