BallinaAktualitetShqipëria, vendi që i rizgjoi shpresën komunitetit afgan të refugjatëve

Shqipëria, vendi që i rizgjoi shpresën komunitetit afgan të refugjatëve

Një ekspozitë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e parë me sytë e afganëve që prej disa muajsh jetojnë në Shqipëri është çelur në Lezhë. Fotoreporteri afgan, Firooz Mashoof, në një intervistë për Faktoje thekson se fotot e artistëve afganë për Shqipërinë tregojnë situata të ndryshme nga natyra dhe njerëzit në Shqipëri. Por ajo çka duhet të theksohet është se ‘sytë e afganëve janë shumë të bukur”, bëri të ditur Firooz Mashoof. Ekspozita “Shqipëria në sytë e mi” është e mbështetur nga ‘American Councils’.

———————————————

Të befasuar nga mikpritja shqiptare dhe falenderues për gjithë ngrohtësinë që kanë marrë gjatë kësaj periudhë të vështirë, komuniteti afgan refugjatëve, i vendosur në një hotel privat në Shëngjin të Lezhës organizoi në datat 6-7 janar ekspozitën me temë “Shqipëria në sytë e mi”, e mbështetur nga ‘American Councils’.

Me qindra foto të shkrepura dhe të ekspozuara në muret e hotelit ku ata po qëndrojnë, tregonin një pjesë të realitetit dhe përditshmërisë në dy qytete, Tiranë dhe Lezhë. Faktoje pa nga afër këtë ekspozitë të veçantë, duke marrë pjesë edhe në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve për tre më të mirët. Imazhet e shkrepura ishin nga më të ndryshmet, që nga të moshuarit që shesin në rrugët e Tiranës, sheshi ‘Skënderbej’, rrugët e kryeqytetit e deri te deti në Shëngjin.

Ekspozita “Shqipëria në sytë e mi”, janar 2022

Ishin tre të rinj që rrëmbyen këto çmime kaq të rëndësishme për komunitetin e refugjatëve dhe jo vetëm. Çmimi për foton e parë më të mirë shkoi për Hanifa Moradi, i dyti për Sayed Abdullah Saledy dhe çmimi i tretë për Aria Mushahed.

Ata rrëfyen për Faktoje emocionet që solli pjesëmarrja në këtë konkurs dhe të gjthë njëzëri theksuan fort dashurinë për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar.

Fituesja e vendit të parë, Hanifa Moradi tregon se e ajo e do Shqipërinë dhe shpreh mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtësinë që i fali populli shqiptar në këto muaj të vështirë në jetën e saj.

“Shqipëria është një vend i bukur me njerëz shumë të mirë. Është një vend plot ngjyra që të zgjon dëshirën për të vazhduar jetën, pavarësisht vështirësive tona si popull. Kam shkrepur foto në Tiranë dhe Lezhë, por kurrë nuk e kisha menduar që do merrja çmimin e parë”, tha Hanifa.

Fotot e Hanifa Moradi, fituese e vendit të parë

Fituesi i çmimit të dytë, Sayed Abdullah Saledy thotë se Shqipëria në sytë e tij është vendi më I bukur në botë.

“Kur erdhëm në Shqipëri, nuk e mendova kurrë që do të vinte një ditë që do të na jepej mundësia që të bëheshim pjesë e një kompeticioni të tillë. Jam shumë i lumtur që vizitova edhe Tiranën dhe ky konkurs ishte një mundësi shumë e mirë për mua për të parë diçka ndryshe. Fotot i bëra në Tiranë, në sheshin ‘Skënderbej’. Ishte një garë e fortë, sepse ishin të gjithë fotografë të mirë dhe inteligjentë. Nuk e besoj që arrita të fitoj çmimin e dytë. Shqipëria në sytë e mi është vendi më I bukur në botë. Edhe vendi ynë ishte i bukur, por jo kaq i bukur sa Shqipëria. Gjëja që unë pëlqej më shumë nga Shqipëria është deti dhe njerëzit këtu. Shqiptarët janë shumë të qeshur, të fortë, punojnë së bashku. Në Tiranë më ka pëlqyer që njerëzit ishin shumë të lumtur dhe punëtorë”, rrëfeu mes emocionesh Sayed Abdullah Saledy.

Fotot e Sayed Abdullah Saledy,  fitues i vendit të dytë

Aria Mushahed, fituesja e çmimit të tretë u shpreh se kjo ekspozitë rizgjoi shpresën te ta, madje shtoi se do të kishte shumë dëshirë të qëndronte në Shqipëri nëse këtu do t’i jepej mundësia për të ecur përpara.

“Unë jam Aria Mushahed dhe jam një prej emigrantëve të ardhur nga Afganistani në Shqipëri. Jam shumë e lumtur për mundësinë që na u dha për të bërë këtë ekspozitë në Shqipëri. Ishte mundësia jonë e parë dhe që na rizgjoi shpresën që jeta vazhdon edhe pas shumë vuajtjeve të kaluara. Ishte hera e parë që unë mora pjesë në një konkurs fotografie.

Nuk e besoj ende, por ishte shumë e dobishme për mua të shihja gjërat e mira që më rrethojnë. Kur erdha në fillim në Shqipëri gjithçka ishte shumë e çuditshme për ne, por tani pikëpamja jonë ka ndryshuar tërësisht. Qoftë për shqiptarët, për sjelljen e kulturën dhe gjithçka në këtë vend të bukur. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu.

Mendoj se shqiptarët janë shumë të ngjashëm me ne në shumë gjëra. Veçanërisht për sa i përket kulturës familjare dhe ne e pëlqejmë shumë këtë. Nëse ne na jepet mundësia për të ecur përpara, të kemi jetën tonë këtu, ndoshta do qëndroja në Shqipëri. Ne e duam këtë vend dhe popullin shqiptar. Fotot e mia janë shkrepur në Shëngjin dhe në Tiranë. Më pëlqen shumë Lezha”, tha Aria.

Fotot e Aria Mushahed, fituese e vendit të tretë

Fotoreporteri, Firooz Mashoof, i cili ishte pjesë e jurisë që përzgjodhi fotot më të mira, na dha detaje mbi pjesëmarrësit në konkurs. Ai gjithashtu kishte me “merak” që të theksonim një detaj të rëndësishëm: ‘Sytë e afganëve janë shumë të bukur’.

“Kishte rreth 200 foto dhe morën pjesë 22 persona. Pjesëmarrësit ishin shumë të talentuar, kishin eksperiencë në këtë fushë. Na u deshën 5 orë për të zgjedhur fituesit. Shqipëria është një vend plot ngjyra, kultura të ndryshme dhe njerëz të ndryshëm. Fotot ishin të ndryshme dhe në to paraqiteshin situata të ndryshme nga natyra dhe njerëzit në Shqipëri. Por një gjë duhet të theksoni fort që: ‘sytë e afganëve janë shumë të bukur”, bëri të ditur Firooz Mashoof.

Fotoreporteri, Firooz Mashoof, Shëngjin 2022

Në fund të muajit gusht të vitit 2021, Shqipëria priti grupin e parë me refugjatë nga Afganistani dhe asokohe askush nuk besonte se ky komunitet do arrinte të përshtatej kaq mirë në një vend të panjohur dhe të largët për ta.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img