BallinaFaktometerE PavërtetëRama: Britania ka bërë plan për kufizimin e energjisë

Rama: Britania ka bërë plan për kufizimin e energjisë

Shqipëria është në emergjencë të furnizimit me energji elektrike, siç konfirmoi kryeministri Rama pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, javwn e kaluar. Për ta përforcuar këtë argument, zoti Rama konfirmoi se Britania, një ndër 7 vendet më të fuqishme, kishte hartuar një plan për kufizimin e energjisë elektrike. Faktoje, pasi kontaktoi zyrën e shtypit të kësaj qeverie, konfirmoi se informacioni i artikuluar nga kryeministri për Britaninë, është i pavërtetë, madje theksoi se Britania ka të garnatuar përmbushjen e kërkesave edhe për vitet 2024-2025.

 

Vendimi i shpallur të premten, (08/10/2021) nga kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, konfirmoi se Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në situatën e emergjencës energjetike, e cila pritet të zgjasë deri në qershor të vitit 2022.

Sipas kryeministrit Rama vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative.

Në po të njëjtën ditë Kryeministri, gjatë një interviste televizive theksoi se kjo krizë ka prekur vende shumë herë më të fuqishme sesa Shqipëria. Duke marrë si shembull Britanisë, Rama tha se qeveria e këtij vendi ka bërë gati një plan për kufizimin e energjisë elektrike për qytetarët e saj.

“Britania ka bërë plan të kufizimit të enegjisë elektrike për shkak të prodhimit”

Nisur nga kjo deklaratë e kryeministrit Rama, Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit të qeverisë britanike për të mësuar nëse ekziston një plan i tillë, siç u artikulua nga zoti Rama.

*Kërkesa dërguar zyrës së shtypit të qeverisë Britanike, 12 tetor 2021

 

Në përgjigjen e saj, që mbërriti brenda 24 orësh, kjo strukturë na informon përmes zëdhënësit të qeverisë britanike se informacion nuk është i vërtetë dhe se qeveria nuk ka asnjë plan të tillë.

“Faleminderit për pyetjen tuaj. Mund të konfirmojmë se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka në plan të kufizojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Mbretërinë e Bashkuar.”-shkruhet në përgjigjen zyrtare drejtuar Faktojes.

*Përgjigjja nga zyra e shtypit të qeverisë britanike për Faktoje.al

Midis informacioneve të tjera të detajuara për mënyrat e furnizimit me energji elektrike, ky institucion na informon se shteti britanik është siguruar që përmes Tregut të Kapaciteteve (burimi kryesor për të siguruar furnizimin me energji elektrike) – të përmbushen të gjitha kërkesat e parashikuara deri në vitin 2024/2025.

Faktoje gjithashtu kontaktoi edhe me tre nga operatoret e vetëm që sigurojnë furnizimin me energji elektrike dhe gaz për qytetarët britanikë për të mësuar nëse ata vetë parashikojnë një gjë të tile, por për të trija kërkesat në fjalë jemi në pritje të një përgjigjjeje.

*Kërkesa dërguar njërës prej kompanive (National Grid plc)

 

Nisur nga verifikimi dhe grumbullimi i informacionit, vendosëm që deklaratën e kryeministrit Rama se Britania ka një strategji për kufizimin e energjisë, ta katëgorizojmë Të pavërtetë.

Intervista e kryeministrit, pasaktësi të tjera për Britaninë

Duke iu rikthyer intervistës së Kryeministrit Rama, ai iu referua sërish Britanisë duke thënë se pagesa e energjisë nga qytetarët bëhej përmes kartave të cilat nuk linin vend për mospagesa apo prapambetje të faturave.

“Në Britaninë e Madhe – ju e dini kush ka qenë atje – që është si karta e telefonit, ti shkon rimbush dhe nuk të pyet njeri fare, jo kam, jo s’kam. Shko merre mbush kartën dhe merr drita, nuk do apo nuk ke lekë, hiç mos merr. Ky është fakti.”

 

Pavarësisht se kryeministri Rama theksoi se ky ishte një fakt, Faktoje zbuloi disa pasaktësi në lidhje me këtë deklafratë. Aktualisht në Britaninë e Madhe ka tri mënyra të pagesës së energjisë të cilat dëshmojnë se parapagimi nuk është mënyra e vetme për përfitimin e energjisë. Kjo e fundit paguhet në fund të çdo tre muajve.

Mënyrat e pagesës janë të publikuara edhe në faqen zyrtare UK Power e cila informon vazhdimisht qytetarët në lidhje me këtë aspekt.

*Alternativat për pagesat e energjisë elektrike dhe gazit në Britani

Sipas tabelës qytetarët mund të paguajnë nga telefoni, përmes bankës ose online. E njëjta formë konfirmohet edhe nga SSE  një nga tre kompanitë që bën të mundur furnizimin me energji elektrike në Britani. Kjo kompani e rendit parapagimin si një mënyrë alternative, por jo të detyrueshme.

*Alternativat për pagesat e faturave sipas SSE, pagesa e energjisë me kartë renditet e fundit dhe opsionale

 

 

Lexo edhe:

A ka Gjermania dhe Italia një model të ngjashëm me “Agjencinë e Medias” siç deklaroi kryeministri?

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img