BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPirja e kafes pa sheqer nuk është tregues psikopatie

Pirja e kafes pa sheqer nuk është tregues psikopatie

Nuk ka asnjë lidhje të qenësishme mes sasisë së sheqerit që përdorim për kafen dhe shëndetit mendor të njeriut. Një studim i vitit 2016 i Universitetit të Innsbruck në Austri është keqpërdorur së fundi nga portalet shqiptare për të tërhequr vëmendje dhe klikime. “Faktoje” verifikoi studimin origjinal, për të zbuluar se sa të pabazuara mund të jenë përfundimet e aluduara nga portalet sensacionale. 

Patris Pustina

Kujdes nga njerëzit që e pinë kafen pa sheqer,” paralajmëron faqja “Pëma E Jetes” në një postim që ka arritur të mbledhë mbi 16 mijë shikime në Facebook. Teksti citon “një studim austriak” pa përfshirë asnjë informacion që mund të ndihmojë lexuesin të gjejë studimin në fjalë, si titullin e studimit, autorët, institucionin, revistën shkencore ku ai është botuar, apo linkun.

Kërkimi i “Faktoje” gjeti se bëhet fjalë për studimin “Individual differences in bitter taste preferences are associated with antisocial personality traits”, (Ndryshime individuale në preferencat për shijen e hidhur janë të lidhura me trajta antisociale të personalitetit) nga Christina Sagioglou dhe Tobias Greitemeyer, të Universitetit të Innsbruck në Austri, botuar në janar 2016, në revistën kërkimore “Appetite”.

Si fillim, studimi nuk është marrë me studimin e kafes pa sheqer, por me ushqimet me shije të hidhur në përgjithësi. Gjithashtu, autorët vetë pranojnë, në pjesën e studimit ku detajojnë limitimet e studimit, se “hidhësia” është diçka shumë subjektive që varion nga një person tek tjetri. Vetë studimi, për më tepër, pohon se “në tërësi, njëfarë lidhje mes preferencave në shije dhe personalitetit është gjetur, por provat për këtë janë ende të pakta.” Në asnjë pjesë të studimit nuk thuhet se pëlqimi i kafes, apo pijeve, të hidhura të bën automatikisht psikopat apo sadist. 

Për më tepër, metodologjia e studimit konsistoi në anketimin e 953 personave të rekrutuar nga platforma Mechanical Turk. Ata u pyetën se sa pëlqenin ushqime dhe pije specifike; sa i pëlqenin në përgjithësi ushqimet dhe pijet e hidhura, të ëmbla, të athëta, dhe të kripura; dhe se sa binin dakort me 52 pohime të marra nga teste të ndryshme personaliteti. Vetë-raportimi si metodologji ka probleme besueshmërie. Fakti që të anketuarit ishin rekrutuar me anë të platformës Mechanical Turk, pagesat e të cilës variojnë nga $0.6-$1 për pjesëmarrjen në anketime, mund të ketë bërë që të anketuarit mos e kenë marrë anketimin shumë seriozisht.

Studiues dhe shkencëtarë të tjerë kanë paralajmëruar gjithashtu se rezultatet e këtij studimi nuk duhet të keqpërdoren nga mediat në artikuj sensacionalistë. Kështu, Megan Willis nga Australian Catholic University shpjegon se lidhja që gjeti studimi mes trajtave antisociale të personalitetit dhe preferencës për shijen e hidhur është e dobët, dhe e neglizhueshme krahasuar me tregues si gjenet apo seksi i personit.

Nga ana tjetër, në një intervistë me revistën “Health” Dr. Steven Meyers, profesor psikologjie në Roosevelt University, këshilloi që gjetjet e këtij studimi duhet të interpretohen me kujdes. Rezultatet duhet të arrijnë të replikohen nga studime të tjera, sipas metodës shkencore, përpara se të meritojnë vëmendje të gjerë. “Nëse je me dikë në restorant,” tha Meyers, “mund të kuptosh nëse ai është psikopat më shumë nga mënyra si sillet me ty apo kamarierin, se sa nga sa i pëlqejnë ushqimet apo pijet e hidhura.”

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img